Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka folur për SPAK dhe reformën në drejtësi.
Fevziu tha se SPAK ka patur disa rezultate edhe pse ka pikëpyetje për këtë institucion, ndërsa për reformën në drejtësi, deklaroi se e ka futur drejtësinë në kaos dhe nuk ka prodhuar një sistem drejtësie më të mirë se ai që kishim para reformës.
Biseda në studio:
Ylli Rakipi: Altin Dumani do të largohet në dhjetor të këtij viti. Çfarë bilanci mendon se ka patur SPAK nën drejtimin e tij?
Blendi Fevziu: Duhet të ndajmë dy gjëra, drejtësinë edhe SPAK. Dumani e ktheu SPAK në një strukturë më efikase dhe ndëshkuese se sa ishte më parë. Por nuk jam i sigurtë se si do të vijojë në tre vitet e ardhshme. A kam vërejtje për Dumanin? Kam sa të duash, por i kam renditur. Por Dumani është një prej njerëzve që la gjurmë me SPAK. Kërkoi arrestin e Berishës, që nuk e arriti dot dhe për të cilin unë nuk jam dakord. Është njeri që arrestoi Metën, mënyra si u bë arrestimi nuk jam dakord. Arrestoi Erion Velinë. Nëse më pyet mua dhe flas nga pozitat e një njeriu që ka një eksperiencë, do të pretendoja që këta njerëz të ndiqeshin në gjendje të lirë, t’ju vërtetohej shkelja ligjore, dhe pastaj të shkonin në burg. Megjithatë Dumani para pak minutash tha që vetëm 9.7% të rasteve të SPAK kanë shkuar në paraburgim, pjesa tjetër ndiqen në gjendje të lirë. Mendoj se disa prej këtyre arrestimeve janë bërë në mënyrë spektakolare edhe për të krijuar përshtypjen lart e poshtë që po ndëshkohen njerëz që nuk ndëshkoheshin më parë. Më thuaj, pse duhej kryer arrestimi i Metës ashtu në mes të rrugës? Katrolina më e shëmtuar. Cili është ai vend që Presidentin e vet e tërheq zvarrë?
Dëgjova konferencën për shtyp të kryeministrit të Malajzisë, që tha kam qenë në burg dhe ka qenë për korrupsion, edhe Trumpi iu afrua burgut tha dhe bënte shaka. Ai ka qenë në burg, ka bërë dënimin dhe është rizgjedhur. Në botë, fakti që mund të bësh burg është një lloj riedukimi. Po të votuan njerëzit mund të zgjidhesh. Ndërsa në Shqipëri, ndëshkimi nuk përceptohet te vuajtja e dënimit për fajin që ke bërë, por përceptohet vetëm po e arrestove dhe po tregove dhunë.
Ylli Rakipi: Pra ju jeni me idenë që është e orientuar edhe pak nga spektakli, për të bërë bujë me emrat e zyrtarëve. Këto ditët e fundit kemi parë lojën, u thirr, nuk u thirr Balluku, një gjeagjëzë.
Blendi Fevziu: Për Ballukun nuk dimë gjë akoma. Sot do të kisha emision për Ballukun, por asnjë nga gazetarët seriozë, nuk mund të vijnë në studio dhe të flasin për një hipotezë. Ne nuk kemi deklaratën. Pra pa patur deklaratën, po të shohësh mediat online, shokohesh. Disa flasin për tunelin e Llogarasë, që nuk e di a ka ministrja përgjegjësi pasi është ARRSH, disa flasin për supervizimin, disa për anijet, disa të tjerë për gjë tjëtër. Në këtë mes dhe këtë e quaj papërgjegjshmëri, ne dimë deri tani, që ka një lajm të dalë nga mediat që Balluku do të thirret, për ti komunikuar akuzë apo për ta marrë të pandehur. Se për çfarë nuk e di, nuk mund të ngremë hipoteza.
Ylli Rakipi: Jo, ka disa që e bëjën sepse kanë axhenda të ndryshme.
Blendi Fevziu: Unë po pres kur SPAK të komunikojë.
Ylli Rakipi: Pra në këtë rast ka edhe SPAK makinerinë e pi-arit.
Blendi Fevziu: Çdo njeri kur bën një gjë do të duket. Nuk e di as kush ka qenë këshilltar i SPAK. Ka një perceptim që shembujt janë zgjidhja më e mirë. Pra bëj dy-tre shembuj dhe tremben edhe të tjerët. Për mua, duhen dënuar fajtorët. Sikur të dënosh një të pafajshëm, ke dështuar. Është më mirë të mos dënosh ca fajtorë, sesa një i pafajshëm të bëjë nburg.
Ylli Rakipi: Kemi vënë re që janë të rralla rastet kur gjykata rrëzon SPAK.
Blendi Fevziu: Ky është defekti më i madh që ka reforma në drejtësi. E quaj SPAK deri diku histori suksesi.
Ylli Rakipi: Edhe unë e kam atë ide. Por ja vijmë këtu.
Blendi Fevziu: Konsideroj që te SPAK ka një problem madhor. SPAK ngre akuza dhe mbron akuza, nuk dënon njeri. SPAK ngre akuzë, dënimin e bën gjykata. Problemi është që gjykata dhe këtu kam parë deklaratë të Dumanit që jam shokuar, që thotë natyrisht gjykata do të aprovojë gjërat tonë.. Por nëse gjykatësit vlerësohen dhe kontrollohen nga SPAK në kuptimin e kontrollit profesional, atëherë nuk ke drejtësi të pavarur. E kuptoj prokurorinë e posaçme, mund të ketë, por gjykatë të posaçme pse duhet të ketë? Domethënë ke prokurori të posaçme, por gjykimi mund të jetë në gjykatën normale. Në cilin vend të botës ka gjykatë të posaçme? Nuk ka pse të jetë. Mund të ketë prokurori të posaçme meqë është korrupsioni problem. Çfarë domethënë gjykatë e posacme? E 45-sës?
Sot qytetarët shkojnë në gjykatë, pse kur të dënohet korrupsioni të mos shkojë në këtë? Tani ka ardhur koha të themi një gjë, pavarësisht entuziasmit të reformës në drejtësi, prodhoi histori relativisht suksesi si SPAK dhe prodhoi kaos total në anën tjetër, që sot Shqipëria e ka në kurriz. Sot, Gjykata e Lartë ka 30 mijë çështje, gjykat e apelit ka 1/3 e numrit që duhet të ketë. Një gjyqtar, i ndjeri që humbi jetën kishte 1800 çështje. Pse superman janë ata? Kështuqë kemi prodhuar kaos, për të cilin askush nuk del përballë dhe askush nuk përgjigjet. Amerika ka këmbëngulur për SPAK, por çfarë të drejte reforma dogji Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, e la vendin pa GJK?
Ylli Rakipi: Tani për reformën, 99.7% është pjesa tjetër e drejtësisë, sepse vetëm 0.3% është SPAK-u, pjesa tjetër duket e dështuar reforma.
Blendi Fevziu: E dështuar nuk di të them, por them është një kaos, ne duhet të themi, sot çështjet gjyqësore janë më të gjata, vuajtja e njerëzve më e gjatë, drejtësia sot nuk është më e mirë. Si e mat? Ne kemi patur Gjykatë Kushtetuese, me njerëz me defekte por që kanë marrë 37 vendime kundër një qeverie, kur qeveria ishte e fuqishme. Rrëzuan një prej marrëveshjeve fondamentale. Pse qenka më e mirë e sotmja?
Kjo mazhorancë të kishte kurajo, të pranonte, që kemi një produkt që ka dhënë disa rezultate, SPAK, me gjithë pikëpyetjet, por kemi prodhuar kaos total në anën tjetër. Jemi nisur për mirë por na doli për keq. Është një dështim.














