Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas fletëthirrjes nga Prokuroria e Posaçme për Belinda Ballukun.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se Balluku për t’iu shmangur akuzës së ngritur ndaj saj, lidhur me vjedhjet e shumta që ka bërë, po përdor vizitat zyrtare për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një “masterclass” për përvojën e saj të pasur me tenderat’, shkruan Bardhi.
Sipas tij, sa do që Balluku të shmanget përmes akrobacive nëpër trena dhe avionë, stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë.
‘Dhe përpara se të mbërrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK’, thotë ndër të tjera Bardhi.
Postimi i Bardhit:
Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një “masterclass” për përvojën e saj të pasur me tenderat:
– Si të zhdukësh 50 milion € si në tunelin e Llogarasë;
– Si të vjedhësh 180 milion € në shit-blerje energjie;
– Si të vjedhësh 5 milion € në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës; dhe
– Si të avullosh 80 milion € me anije termocentral, që s’u vunë kurrë në punë.
Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë. Dhe përpara se të mbërrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK!














