Administrata e presidentit Donald Trump ka përgatitur një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, nëse Vladimir Putin vazhdon të vonojë përfundimin e luftës në Ukrainë. Lajmin e bën të ditur Reuters, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.
Sipas raportit, Uashingtoni ka informuar partnerët evropianë se mbështet përdorimin e aseteve të “ngrira” ruse nga Bashkimi Europian për blerjen e armëve amerikane që do t’i dërgohen Ukrainës. Po ashtu, janë nisur diskutime të brendshme për shfrytëzimin e fondeve ruse që ndodhen në territorin amerikan për të forcuar përpjekjet luftarake të Kievit.
Edhe pse nuk dihet nëse sanksionet do të zbatohen menjëherë, fakti që ekziston një plan i detajuar tregon se Shtëpia e Bardhë është e përgatitur për çdo skenar. Ky do të ishte raundi i dytë i sanksioneve që nga rikthimi i Trump në pushtet, pas atyre të vendosura të mërkurën e kaluar.
Burime të afërta me administratën amerikane thanë se sanksionet e reja do të synojnë kompanitë kryesore të naftës ruse, Lukoil dhe Rosneft, duke shkaktuar tashmë rritjen e çmimit të naftës me mbi 2 dollarë për fuçi. Kjo ka detyruar blerësit e mëdhenj, si Kina dhe India, të kërkojnë furnizues alternativë.
Një pjesë e masave të reja lidhet gjithashtu me sektorin bankar rus dhe infrastrukturën e transportit të naftës, ndërsa disa propozime nga pala ukrainase përfshijnë edhe bllokimin e plotë të bankave ruse nga sistemi i dollarit amerikan.
Në Kongresin amerikan është rikthyer gjithashtu një projektligj dypartiak për sanksione shtesë ndaj Moskës, që kishte mbetur i pezulluar prej muajsh. Megjithatë, sipas burimeve të Reuters, nuk pritet që ai të miratohet brenda tetorit.
Nga ana tjetër, Ukraina e ka mirëpritur vendimin, me zëdhënësen e ambasadës në Uashington, Halyna Yusypyuk, që u shpreh:
“Çmontimi i makinerisë luftarake ruse është mënyra më njerëzore për t’i dhënë fund këtij lufte.”
Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i Kremlinit për bashkëpunim ekonomik, Kirill Dmitriev, tha se Rusia, SHBA dhe Ukraina janë “afër një zgjidhjeje diplomatike”, ndonëse Uashingtoni ende nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.













