Për pushtetin Binaj nuk duhet eleminuar si i pavarur, por si njeri i Berishës. Vetëm kështu, fabula se fajin e ka opozita dhe jo autokrati, mund t’i japë ende tagji tufës ripërtypëse të Ramës.
Nga Armand Shkullaku
Kandidimit të një aktori varieteje për t’u bërë kryebashkiak, mund t’i gjesh mjaftueshëm lëndë të parë për të ngjizur dyshime e kritika, nëse ishte apo jo alternativa e duhur për kryeqytetin. Por ajo që po bie në sy këto ditë, pas shpalljes së kandidaturës së Florian Binajt dhe mbështetjes nga ana e opozitës së bashkuar, është një fushatë propagandistike që godet vetëm në një pikë: Binaj nuk është i pavarur; Ai është përzgjedhur nga Sali Berisha; Ai paguhet nga Tv i Berishës; Ai po përdoret nga PD, etj, etj.
Në të gjitha mediat pranë qeverisë, duket se një dorë e vetme kujdeset që sulmi ndaj kandidatit atipik në zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, të asgjesojë epitetin “i pavarur”. Binaj duhet të paraqitet si kandidati i Berishës ose i familjes Berisha. Në rrethanat kur si PD ashtu edhe Berisha e kanë pranuar Binajn si kandidatin e tyre, me të cilin do të hynë bashkarisht në zgjedhje, duket disi e çuditshme që gjithë investimi i spin- doktorëve të Ramës të shkojë tek përkatësia “klasore” e konkurrentit të Manastirliut.
Për ish policin e Portokallisë mund të gjenden plot argumenta për të vënë në dyshim efikasitetin e tij si kandidat dhe alternativë për Tiranën. A mund të krijojë besim tek votuesit dikush që nuk ka përvojë as në menaxhim dhe as në angazhim të fortë politik? Sa i njeh ai problemet e Tiranës dhe çfarë garanton për zgjidhjen e tyre? A mjafton të qenit personazh publik për të krijuar bindjen se një tjetër model qeverisjeje për kryeqytetin është i mundur? Duke u shtuar këtyre dilemave edhe ndonjë kritikë për paraqitjet e deritanishme të Binajt, mediat e qeverisë nuk do ta kishin të vështirë ta vinin në pikëpyetje kandidimin e tij si zgjedhjen e duhur për Tiranën. Por jo, problemi numër një që ato ngrenë është pavarësia ose jo e kandidatit antiqeveritar.
Me shumë gjasë Binaj nuk do të kandidonte fare, nëse nuk do të kishte mbështetjen e Sali Berishës. A e ka marrë këtë mbështetje në kulisa apo pasi vendosi të kandidonte, kjo nuk ka shumë rëndësi në përcaktimin e profilit të tij publik. Të gjithë e dinë se aktori- aktivist, nuk është ndonjë militant i thekur i PD, ndryshe nga shumë kolegë të tij të estradës. Ish imituesi i Ramës nuk ka bërë pjesë ndonjëherë në rrethin e ngushtë të Berishës, madje as të klaneve të tjera rrotull PD-së. Ai më shumë mbahet mend në dalje publike me figura të mazhorancës se sa si aktivist i shquar opozitar. Po ashtu, të gjithë e dinë, përfshi edhe gazetarët qeveritarë, se emisioni Piranjat është një prodhim outsourcing, ku Binaj ka rolin e moderatorit dhe jo të autorit.
Atëherë përse gjithë kjo fushatë për ta vizatuar kandidatin opozitar si një njeri jo vetëm të përzgjedhur por edhe të afërt me Berishën? Eshtë e qartë se propagandistët e Ramës e dinë fare mirë se në Tiranë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, nuk bëhen zgjedhje. Se votat janë të paracaktuara nga paratë e korrupsionit, nga bandat, shantazhi dhe blerja e kundërshtarëve. Ata janë dëshmitarë të fenomenit rilindas sui generis se sa më shumë thellohen skandalet, aq më shumë shtohen votat për partinë. Mirëpo, për të mbuluar asgjesimin e zgjedhjeve dhe për të justifikuar tasin e supës së përditshme, ata kanë vetëm një teori: Zgjedhje ka, por fajin e ka Sali Berisha. Rama mundet me vota, por opozita nuk bind se nuk hapet, nuk rinovohet, nuk transformohet, nuk limohet, nuk ëmbëlsohet…
Një kandidat që vjen nga shoqëria civile, që nuk ka në cv e tij asnjë ditë pushtet, që nuk është militant i verbër apo gojëtar i kryetarit, përbën pikërisht zgjedhjen të cilën të tredhurit e pushtetit e predikojnë prej vitesh si rrugën e duhur për opozitën përballë Ramës. Jo me berishistë por me aktivistë e civilistë. Por a është kjo thembra e Akilit për mosndryshimin e pushtetit në Shqipëri? Sigurisht që jo. Binaj do të ishte shëmbulli konkret se në përballjen me një regjim nuk duhet kërkuar përgjegjësia tek opozita, por tek pushteti që asgjeson çdo kundërshtar, çdo zë kundër, çdo tentativë edhe për të lindur diçka të re. Asgjesim me propagandë mediatike, blerje, shantazh, kërcënime e deri burgosje.
Për pushtetin Binaj nuk duhet eleminuar si i pavarur, por si njeri i Berishës. Vetëm kështu, fabula se fajin e ka opozita e parinovueshme dhe jo autokrati që nuk lejon zgjedhje, mund t’i japë ende tagji tufës ripërtypëse të Ramës. Kjo tufë do vazhdojë të mos shohë dhjetra miliona euro që digjen në Sharrë dhe miliona të tjera nga 5D-të që derdhen në fushata. As paratë e lejeve të ndërtimit, të pastrimit të parave dhe të taksave të grabitura, me të cilat vidhen vota për të vjedhur Tiranën dhe Shqipërinë. Ripërtypësit nuk mund dhe nuk duan të flasin për këto. Atyre iu duhet të njehsojnë Binajn me Berishën për të vazhduar edhe nesër refrenin e turpit se fajin e ka opozita.
/Lapsi.al














