Një rast i shfrytëzimit për prostitucion është zbuluar sot në një apartament të marrë me qira në zonën e Rrugës së Barrikadave, ku jetonin katër shtetase kolumbiane.
Ambienti ishte përshtatur për ushtrimin e kësaj veprimtarie, duke u kthyer në një pikë referimi për aktivitetin e paligjshëm.
Gjatë hetimeve u identifikua një 22-vjeçar i cili dyshohet se ka shfrytëzuar gratë për prostitucion.
Kejvi Pocaj u ndalua së bashku me dy nga shtetaset kolumbiane, Juliana Ospina dhe Lorena Crespo, të cilat kishin organizuar ambientin për këtë qëllim. Dy të tjera u proceduan penalisht për ushtrim prostitucioni.
Autoritetet përkatëse po vijojnë me dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe me identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.