Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit mund të dështojë në bërjen e Qeverisë së re të vendit, duke thënë se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.
Kurti u nominua më 11 tetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re dhe, sipas ligjeve të Kosovës, ai ka 15 ditë afat për ta bërë këtë, që nënkupton se atij i ka mbetur kohë vetëm deri më 26 tetor.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti të martën.
Kurti udhëtoi për në Londër të hënën, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Partia e Kurtit gjendet nën trysni të madhe për ta fituar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme.
Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Disa deputetë të partisë së konfirmuan të hënën për Radion Evropa e Lirë se “nuk janë në dijeni për ndonjë bisedë me parti të tjera parlamentare”, duke shtuar se “mbetet për t’u parë”.
Gjithashtu, zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se deri tani “nuk ka pasur as takime e as ftesa për të diskutuar një koalicion të mundshëm”.
“Vetëvendosje po vepron përmes individëve, jo me ne si subjekt politik”, tha njëri prej tyre.
Kurti tha të martën se “nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”.
Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.
Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.
Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.
Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit – një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj.
Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar./ REL