Në një deklaratë në panelin e Chatham House në Londër, Kryeministri Edi Rama shpalli me krenari se Shqipëria po ecën më mirë se vetë kontinenti që po përpiqet ta pranojë.
Në fjalimin e tij, Rama tha: “Në këtë pikë në kohë, ne po ecim më mirë se Europa!”
Rama falënderoi Vladimir Putinin për agresionin ndaj Ukrainës, duke e cilësuar si momentin që “zgjoi Europën me zhurmë” – një mënyrë e re për të thënë se diplomacia shqiptare po përfiton nga tragjeditë gjeopolitike. “Falë Putinit, Europa më në fund po na sheh si pjesë të saj,” tha Rama.
Nëse Europa është një tren i ngadaltë, Rama e sheh Shqipërinë si lokomotivën që po e tërheq ndërsa të gjithë treguesit sugjerojnë se ekonomia e vendit ka prekur fundin.
Mjaftojmë të përmendim raportin e INSTAT pak ditë më parë ku 40.5% e popullsisë në vend është në rrezik varfërie. Po si pas këtij raporti një shqiptar i thjeshtë nuk ka mundësi të përballojë shpenzime bazë si ngrohja, pagesa e faturave, blerja e ushqimit, rrobave, pushimeve etj.
Deklarata e Ramës:
“Jemi në një periudhë kohe kur Europa po sillet shumë mirë me ne. Në këtë pikë në kohë, ne po ecim më mirë se Europa! Kisha besim edhe në kohën kur ishte qesharake të besoje në anëtarësim. 90% e shqiptarëve besojnë te anëtarësimi. Për ne është besim i patundur, bindje shumë e fortë”, tha Rama në fjalën e tij në panelin e Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian.
“Qysh prej agresionit kundër Ukrainës, falë Vladimir Putinit, Europa u zgjua me zhurmë dhe jo vetëm po thotë sa mirë është të marrë Ballkanin Perëndimor, por edhe po përshpejton punën për ta bërë një gjë të tillë. Ne aty ishim edhe më parë, por u refuzuam, pikërisht sepse fjalët dhe veprat ishin larg njëra-tjetrës. Tashmë Europa është pro kësaj dhe shpresojmë të arrijmë këtë objektiv, të realizojmë një ëndërr dhe më pas do të nisë një jetë e re”.