Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të mblidhet të martën, 21 Tetor, në kuadër të takimit informues (i dyti këtë vit) mbi situatën në Kosovë.
Siç raportojnë mediat kosovare, zëvendësPërfaqësuesi Special dhe Zyrtari i Përgjegjshëm i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Milbert Dongjoon Shin, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un, i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 10 tetor dhe mbulon zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator.
Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) pritet të marrin pjesë sipas rregullit 39.
Për ta kuptuar, rregulli 39 është një nen i Rregullores së Punës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që përcakton të drejtën për të ftuar palë të jashtme (që nuk janë anëtare të Këshillit) për të marrë pjesë në një mbledhje, pa të drejtë vote.
Kështu, Shin pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm.
Kujtojmë se në prill të këtij viti, kryediplomatët e Kosovës dhe të Serbisë shkëmbyen akuza ndaj vendeve të njëri-tjetrit në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, ku u diskutua për raportin 6-mujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.