Nga Ilir Kalemaj
Sa më shumë shtohen paudhësitë, aq më tepër shtohet arroganca e përzier me makutërinë, rezultat i mbipushtetit që konsumohet nga mazhoranca në fuqi. Që nga presioni mbi Kushtetuesen në dy shina paralele ku presidenti i republikës është kthyer në patericë të qeverisë në rastin Veliaj, në vend që të ishte mbi palët dhe garantues i Kushtetutës, te përfundimi i padrejtë i mandatit të gjyqtares Bejtja ku po presidenti i kërkoi në mënyrë të paprecedentëvetë gjykatës të shprehej mbi interpretimin e përfundimit të mandatit të një antari të saj, duket qartë se kemi njëanshmëri politike dhe presion të panevojshëm mbi gjyqësorin që duhej të siguronte balancën dhe kontrollin reciprok të ekzekutivit dhe legjislativit që nga ana e tyre janë shndërruar në një trup të vetëm politik.
Nga ana tjetër, veprimet arbitrare që i presin drurët shkurt, rrezikojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Nga mbyllja e tik tok-ut që më shumë se shqetësim për sigurinë publike ishte censurim i zërave opozitarë në prag fushate te urdhri i beftë për ndalimin dhe sekuestron e monopatinave, janë forma autoritariste që mund të përkeqësohen ndjeshëm me kodin e ri penal të propozuar. Ky i fundit me rreth 950 nene është një gargantuan i pasens dhe i palogjikshëm që është kundërshtuar thuajse njëzëri jo vetëm nga komuniteti i avokatëve dhe ekspertëve por edhe vetë institucionet e ndjekjes penale si prokuroria e përgjithshme apo shoqatat e gjyqtarëve.
Krahas rrudhjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve, problem ngelet fakti që qeveria i pret drurët shkurt dhe në vend të adresojë shkaqet e problemeve, në mënyrë populiste dhe për efekte mediatike adreson thjesht dukjen. Kjo nga matja e ndotjes që del ndër më të lartat në Evropë, sidomos në Tiranë dhe prej vitesh nuk e masin më hiç, te gjasme lufta kundër korrupsionit me një Diellë antikushtetuese sa për fasadë, nga shkrirja e inspektoriateve në një mamuth-inspektoriat të vetëm në vend të reformimit të tyre adekuat te marrja e atributeve të pushtetit lokal nga qeveria qendrore nga menaxhimi i ujit te menaxhimi i mbetjeve, nga lejet e ndërtimit te thuajse çdo gjë që prek autonominë lokale.
Madje duke zëvendësuar dhe stafet e bashkive me një të rënë të lapsit ose duke hedhur ide në qarkullim për reduktim akoma më të madh të numrit të bashkive për t’i hequr përfundimisht opozitës mundësinë edhe teorike për të fituar në bashki të ndryshme në një vend që ka harruar të bëjë zgjedhje të lira. Sepse është thënë dhe stërthënë që reforma territorial-administrative që u bë njëanshëm në 2014-ën jo vetëm nuk shëroi asnjë nga plagët e identifikuara por prodhoi në fakt një salamandër elektorale që favorizon partinë në pushtet.
Flitet shpesh për barazi mundësish apo shansesh të barabarta, kur në fakt është prodhuar një pabarazi në rritje, polaritet socio-ekonomik në ekspansion, buxhete familjare të përkeqësuara, ferma të rrënuara, shpresa të vrara që kërkojnë rrugëzgjidhjen jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndërsa ka rënë disi numri i azilantëve të pashpresë shqiptarë në dyert e Evropës, është dyfishuar numri i atyre që ikin me kontrata të rregullta pune, duke sjellë largimin dramatik të trurit, të menaxherëve dhe profesionistëve për të cilët aq shumë nevojë ka vendi.
Ndërsa ekonomitë në zhvillim sot në botë përdorin çdolloj forme për të rikthyer trurin, rritur investimet e huaja cilësore në formën e brand-eve ndërkombëtare që sjellin inovacion, teknologji dhe know how, në Shqipëri fokusi është si të sjellim punëtorë të pakualifikuar për të punuar në sektorë me vlerë të vogël të shtuar si bujqësia e mekanizuar apo turizmi ende primitiv. Format dhe mënyrat për të nxitur formimin e familjeve të reja, për të shtuar numrin e lindshmërisë që është në pikiatë, për të incentivizuar të rinjtë sipërmarrës janë thuajse inekzistente dhe vetëm në formë propagande. Sepse pushteti e di fort mirë që nuk mund të jesh i lirë të bësh zgjedhjet e tua përfshirë ato politike, pa liri ekonomike.
Premtimet politike shpesh duhen marrë si metafora apo sic ndodh rëndom në Shqipëri: si batuta me të cilat mund të gajasesh. Një qeveri e mirë është ajo që mendon pak për vete dhe shumë për shoqërinë. Një qeverisje e mirë është ajo që lë sa më pak vend për përvetësim fondesh publike dhe lë sa më shumë të holla në xhepat e qytetarëve. Ne fakt ne kemi të anasjelltën kur njerëzve po u del gjithnjë e më pak llogaria në fund muaji, ku pensionistët mezi mbijetojnë (kryesisht falë ndihmës nga fëmijët emigrantë), ku ka pak mbështetje për gruan shqiptare që duhet të luftojë në kushte të pabarabarta, ku të rinjtë konsiderohen si kontigjent emigracioni.
Kryeministri dikur thoshte që është sistemi që deformon individin, tani ka kohë që ka hedhur për konsum publik tezën që kemi disa mollë të kalbura të cilët nxijnë imazhin e socialistëve në pushtet ndaj duhet një proces rinovimi i vazhdueshëm, çka u duk qartë dhe në listën e deputetëve të PS-së apo atë të ministrave. Por në fakt individi sado impakt të ketë nuk mund të korruptojë dot sistemin. Por është sistemi ai që korrupton individin. Natyrisht vetë sistemi është shumatore individësh por edhe rregullash dhe ligjësish. Dhe në një vend kur rregullat janë anapolla, ligjet ndërrojnë më shpesh se moti tropikal, ku vullneti i njëshit është ligjësi, kur media në një pjesë të madhe është e kapur dhe e kontrolluar, ku nuk ka shoqëri civile të mirëfilltë, natyrisht demokracia do vijojë të qëndrojë në pelena.