Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi dje, 17 tetor, se shpreson që Ukraina të mos ketë nevojë për raketat me rreze të gjatë Tomahawk, që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshironte të merrte nga Shtëpia e Bardhë.
“Do të doja më shumë që lufta të përfundonte”, tha Trump.
Ky ishte takimi i tretë mes Trump dhe Zelensky-t brenda 9 muajsh, ku të dy udhëheqësit zhvilluan një drekë pune në një tryezë drejtkëndore në Dhomën e Kabinetit, në vend të Zyrës Ovale, ku muajt e fundit kishin pasur mosmarrëveshje, por edhe përpjekje për t’u pajtuar.
Zelensky e përgëzoi Trump për armëpushimin në Lindjen e Mesme dhe sugjeroi që raketat Tomahawk mund të përdoren si mjet presioni për të detyruar Vladimir Putinin të ulej në tryezën e negociatave, duke treguar edhe objektivat e mundshme ruse në një hartë.
“Armëpushimi në çdo luftë është shumë i vështirë, Putin nuk e dëshiron, ndaj duhet të ushtrojmë presion mbi të”, tha Zelensky.
Ai propozoi edhe një shkëmbim mes raketave amerikane dhe dronëve ukrainas. Trump u shpreh i interesuar për dronët, por i rezervuar për të dërguar raketat, duke argumentuar se “na duhen ne në Amerikë” dhe “se janë armë të rrezikshme që mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës”.
Pas takimit, dhe pas informimit të udhëheqësve të BE-së dhe NATO-s, Zelensky dha detaje për gazetarët. Fillimisht, ai shmangu deklaratat për raketat, duke thënë se ra dakord me Trump të mos flasin për to “sepse SHBA-të nuk duan përshkallëzim të situatës”. Por shpejt ndryshoi mendje, duke thënë “folëm për Tomahawk”.
Trump nga ana tjetër shkroi në TruthSocial se takimi me Zelensky ishte “shumë interesant dhe i ngrohtë”.
“I thashë, ashtu siç kam sugjeruar fuqishëm te presidenti Putin, që është koha të ndalen vrasjet dhe të arrihet një marrëveshje! Duhet të ndalen aty ku janë, le të këndojnë të dyja palët fitore dhe historia të vendosë!”, shkroi Kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Zelensky deklaroi se pajtohet me Trump.
Presidenti amerikan nuk përjashtoi mundësinë që Putin po zgjat luftën për të fituar kohë, por tha se ia vlen të pritet.
“Po, më të mirët kanë provuar të më mashtrojnë gjithë jetën dhe unë ia dola mbanë. Pak kohë nuk është problem”, tha ai me ironi.
Trump u paraqit si një “president ndërmjetës”.
Pyetjes se kush po e bën punën më mirë mes Putinit dhe Zelenskyt, ai iu përgjigj kështu:
Të dy po bëjnë punë të mirë, por ka shumë urrejtje.
Megjithatë, ai shprehu optimizëm që na kujton samitin e Alaskës:
Mendoj se kemi mundësinë të përfundojmë luftën shpejt, nëse tregohet fleksibilitet.
Po ashtu, uli pak besim që kishte shprehur muajin e kaluar për mundësinë që Ukraina të rimarrë territoret e humbura:
Në luftë nuk i dihet kurrë!
Qëndrimi i dy udhëheqësve mbi atë që presin nga Putin mbetet i ndryshëm.
“Mendoj se gjërat po shkojnë mirë, filloi në Alaskë me diskutimin e disa udhëzimeve”, tha Trump.
“Nuk mendojmë se Putin është gati, por shpresojmë që me ndihmën e tij (dhe të Trump) mund të përfundojë lufta”, ia preu Zelensky.
Kremlini po përpiqet të afrohet me Trump edhe me propozime ekonomike, ndërsa Zelensky pranoi se nuk është i lumtur me idenë e një tuneli mes Alaskës dhe Rusisë, siç sugjeron Moska.
Pyetja tani është nëse samiti i Budapestit do të jetë ndryshe nga ai i Alaskës.
Sipas Financial Times, Trump e kishte menduar atëherë se ekzistonte mundësia reale për një marrëveshje, por pas ceremonisë, Putin refuzoi armëpushimin në këmbim të heqjes së sanksioneve, duke thënë se lufta do të përfundojë vetëm kur Ukraina të dorëzohet dhe t’i japë Donbassin.
Putini i dha gjithashtu një leksion historik Trump-it, duke përmendur figura mesjetare si Rurik i Novgorovit apo Bohdan Khmelnytsky, gjë që pothuajse e bëri presidentin amerikan të braktiste takimin.
Aktualisht nuk ka indikacione se Putin ka ndryshuar qëndrimin e tij.
Zelensky në mbyllje tha:
Besoj tek SHBA-të dhe se Trump dëshiron ta përfundojë këtë punë!