Nga Boldnews.al
Shumica e gjyqtarëve kushtetues kanë bërë një kompromis “të dhimbshëm” me veten, me qëllim që të vënë në zbatim skenarin e përgatitur më herët nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për “rrëmbimin në tavolinë” të tre mandateve kushtetuese gjatë kohës që ai është edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Ata kanë pranuar të reduktojnë një pjesë të mandatit të tyre, për të justifikuar ndërprerjen e parakohshme brenda vitit 2025 të mandateve të gjyqtareve Sonila Bejtja dhe Elsa Toska (e dorëhequr).
Në thelb, Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten (16 Tetor 2025) se mandati i anëtarëve të saj do të llogaritet se nis saktësisht në ditën që kanë përfunduar detyrën paraardhësit e tyre. Pjesa më e madhe e gjyqtarëve në detyrë janë emëruar për mandat 9-vjeçar shumë kohë, pasi anëtarët që kanë zëvendësuar janë larguar nga detyra.
Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin e saj me aplikimin e skemës së rotacionit 3-vjeçar të gjyqtarëve kushtetues, bazuar në një nen të ligjit organik të institucionit, i cili i kishte humbur efektet që në vitin 2022.
“Boldnews.al” ka bërë një llogaritje se si përkthehet në data të sakta ky vendim.
- Sonila Bejtja, minus tre vjet mandat
Sonila Bejtja, është emëruar anëtarë e Gjykatës së Lartë në dhjetor 2020. Ajo mori mandatin e dorëzuar shumë shpejt nga ish-gjyqtari Besnik Muçi, i cili ishte emëruar për periudhën 9-vjeçare dhe që përfundonte në dhjetor 2028. Gjeneza e këtij mandati është plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimin i detyrës së ish-anëtarit Sokol Berberi. Ky i fundit përfundoi mandatin në Shtator 2016. Me vendimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ia konsideroi gjyqtares Bejtja nisjen e detyrës pikërisht në vitin 2016 dhe, sipas llogarive, përfundon në vitin 2025.
- Elsa Toska, minus 3 vjet mandat
Elsa Toska u emërua gjyqtare kushtetuese nga Parlamenti në nëntor 2019, për një mandat 9-vjeçar, që duhet të përfundonte në fund të vitit 2028. Ajo dha dorëheqjen në shtator 2024 dhe pasardhësi i saj do të duhej të qëndronte në detyrë deri në momentin që mbaronte mandati i rregullt i Toskës, pra në vitin 2028. Gjyqtarja Toska ishte pasuese e mandatit të ish-gjyqtarit Vladimir Kristo, i cili u largua nga detyra në Prill 2016. Pikërisht, në këtë datë, Gjykata Kushtetuese i llogariti nisjen e detyrës Elsa Toskës, duke shpallur se mandati i saj 9-vjeçar përfundon në vitin 2025.
- Ilir Toska, minus 3 vjet mandat
Ilir Toska u emërua nga Gjykata e Lartë në 26 shtator 2022, për një mandat të plotë 9-vjeçar, i cili duhet të përfundonte në shtator 2031. Ai pasoi mandatin e ish-gjyqtarit Gani Dizdari, i shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (Vetingu), në 12 shkurt 2019. Kjo datë shënon edhe fillimin e detyrës së Ilir Toskës, megjithëse ai u emërua rreth 3 vjet më vonë. Me vendimin më të fundit të Kushtetueses, mandati i Ilir Toskës llogaritet të përfundojë në shkurt 2028. Kjo do të thotë që ai do të qëndrojë në detyrë 3 vjet më pak se sa mandate 9-vjeçar.
- Marsida Xhaferllari, minus 1 vit mandat
Marsida Xhaferllari është emëruar gjyqtare kushtetues nga Presidenti i Republikës në 30 nëntor 2019 dhe mandati i saj 9-vjeçar duhet të përfundonte në të njëjtin muaj të vitit 2028. Xhaferllari zëvendësoi në detyrë ish-gjyqtaren Altina Xhoxhaj, e cila përfundoi mandatin në 24 tetor 2018, për shkak të shkarkimit nga Vetingu. Kjo datë e Xhoxhajt llogaritet tashmë si nisje e mandatit të Xhaferllarit, e cila duhet të largohet nga detyra në tetor 2027, plot një vit para afatit 9-vjeçar.
- Fiona Papajorgji, minus 1 vit mandat
Fiona Papajorgji u emërua gjyqtare kushtetuese nga Parlamenti në 11 nëntor 2019, për një mandat 9-vjeçar, që duhet të përfundonte në nëntor 2028. Ajo pasoi në detyrë ish-gjyqtarin (dhe ish-kryetarin) e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ky i fundit u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (Vetingu) në 17 dhjetor 2028. Vendimi i fundit i Kushtetueses do të thotë se data e shkarkimit të Dedjas konsiderohet edhe si momenti i fillimit të detyrës së gjyqtares Papajorgji. Pra, sipas llogarive, ajo largohet nga detyra një vit para mandatit të plotë 9-vjeçar, në dhjetor 2017.
- Marjana Semini, minus 11 muaj
Marjana Semini u emërua në Kushtetuese nga Parlamenti në 22 dhjetor 2022, për një mandat 9-vjeçar, i cili duhet të përfundonte në dhjetor 2031. Semimi pasoi në detyrë ish-gjyqtarin Altin Binaj, i cili përfundoi mandatin në 10 janar 2022. Vendimi më i fundit i Kushtetueses “përkthet” se janari 2022 është data e nisjes së detyrës së Marjana Seminit, megjithëse ajo u emërua shumë muaj më vonë. Sipas llogarive, Marjana Semini përfundon detyrës në janar 2031, që do të thotë 11 muaj para kohëzgjatjes normale të mandatit të saj.
- Gent Ibrahimi, minus 11 muaj
Gent Ibrahimi u emërua në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti 7 dhjetor 2022, për një mandat 9-vjeçar, i cili duhet të mbaronte në dhjetor 2031. Ai pasoi në detyrë ish-gjyqtarin Përparim Kalo, që përfundoi mandatin në 10 janar 2022.
- Holta Zaçaj, mandat 3-vjeçar
Holta Zaçaj u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë në janar 2023, për një mandat të përkohshëm (3-vjeçar), sipas parashikimeve të nenit 179/3 të Kushtetutës. Mandati i saj mbaroi në mars 2025, por Zaçaj, e cila është njëkohësisht mban edhe detyrën e kryetares, vijon të jetë ende në funksion, deri në emërimin e paraardhësit të saj.
- Sandër Beci, mandat 6-vjeçar
Sandër Beci u emërua gjyqtar në Kushtetuese nga Gjykata e Lartë në 15 mars 2022, për një mandat të përkohshëm (6-vjeçar), sipas parashikimeve të nenit 179/3 të Kushtetutës. Mandati i tij përfundon në vitin 2028.
Vendimi i marrë në 16 Tetor 2025 nga Gjykata Kushtetuese, i përkthyer në afate konkrete, tregon se gjatë këtij viti përfundojnë mandatin 3 anëtarë; Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Elsa Toska (e dorëhequr).
Këtu kthehemi në pikën e parë të “skenarit” të Sadushit. Plani i tij parashikonte që, gjatë kohës që ai drejton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (viti 2025), ai të kishte mundësinë që të kontrollonte 3 mandave të Gjykatës Kushtetuese.
Deri më tani, Sadushi mori në kontroll procesin e verifikimit të kandidaturave për zëvendësimin e Holta Zaçaj. Me vendimin më të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Sadushi, nëpërmjet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka në dorë kontrollin e procedurave për plotësimin e vakancave të krijuara nga përfundimi i parakohshëm i mandateve të Sonila Bejtja dhe Elsa Toska.
Në fund, mbetet një pyetje shumë thelbësore: përse duhej që gjyqtarët kushtetues t’i “përuleshin” vullnetit të një njeriu të vetëm-Sokol Sadushit?
Duhet mbajtur në konsideratë se Sadushi nuk është kryetari i radhës në Gjykatën Kushtetuese. Ai është një nga “baballarët e Reformës në Drejtësi”, me aksese shumë të rëndësishme në kupolën e qeverisë shqiptare. Ai ka në dorë që, secilit prej anëtarëve të Kushtetueses, t’u gjejë një pozicion të mirë pune në sistemin e drejtësisë, pasi ata të përfundojnë mandatet e tyre. Ata, mesa duket, shpresojnë që “bindjen” e treguar ndaj Sadushit sot, ai t’ua shpërblejë më vonë.
LEXO EDHE:
“Harakiri” i Kushtetueses/ I “nënshtrohet” skenarit Begaj-Sadushi, shkurton mandatet e 5 gjyqtarëve