Partia e kryeministrit të djathtë në Portugali, Luís Montenegro, doli fituese në zgjedhjet u mbajtën këtë të dielën, duke siguruar kryesisht fitoren në dy qytetet kryesore të vendit si Lisbona dhe Porto.
Ndërkohë, e djathta ekstreme shënoi një sukses historik duke fituar për herë të parë tre bashki, sipas rezultateve të publikuara sot.
Qoftë e vetme, qoftë në koalicion, Partia Socialdemokrate (PSD) e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Montenegro, arriti të zgjedhë 136 kryebashkiakë nga gjithsej 308, kundrejt 126 që fitoi Partia Socialiste (PS), e cila kishte dalë fituese në zgjedhjet e mëparshme lokale në vitin 2021.
“PSD bëhet sërish partia më e madhe në nivel lokal”, deklaroi kryeministri Montenegro i kënaqur me rezultatin, i cili mori detyrën në maj si udhëheqës i një qeverie në pakicë.
Në Lisbonë, koalicioni i udhëhequr nga kryebashkiaku në largim Carlos Moedas mori 41,7% të votave, përkundrejt 34% që mori lista e përbashkët e të majtës (me përjashtim të Partisë Komuniste).
Në qytetin e Portos, ish-kryebashkiaku i pavarur, i mbështetur nga e djathta, nuk rikandidoi.
Kandidati i koalicionit qeverisës, Pedro Duarte, fitoi me një diferencë të ngushtë , 37.3% ndaj 35.5% që mori kundërshtari i tij socialist.
Partia e ekstremit të djathtë Chega, e themeluar në vitin 2019, fitoi për herë të pare disa bashki, por rezultati i saj ishte më i ulët se pritshmëritë.
Kjo pasi në zgjedhjet parlamentare të majit kishte kaluar PS-në, duke u bërë forca kryesore e opozitës në parlament me 18%.
Chega mori 11,9% të votave në mbarë vendin, nga vetëm 4,2% që kishte në 2021, por arriti të dalë forcë e parë vetëm në tre bashki: qytetin turistik Albufeira në jug (rajoni i Algarve), qytetin e vogël Entroncamento në qendër (rajoni Santarem), dhe komunitetin rural São Vicente në ishullin Madeira.
Në zgjedhjet parlamentare të majit, partia kishte dalë e para në rreth 60 bashki dhe kishte shprehur shpresën se do të ruante epërsinë në të paktën gjysmën prej tyre.
“Kam thënë gjithmonë se nuk ka parti pushteti pa një bazë të fortë në nivel lokal. Sot bëmë hapin e parë, por jemi ende larg objektivave tona”, pranoi presidenti i Chega, Andrë Ventura.