Në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” ka mbërritur një ankesë nga disa nxënës të gjimnazit “Rifat Manjani” në Durrës, të cilët akuzojnë mësuesin e tyre të anglishtes se paraqitej i dehur në orët e mësimit.
Sipas nxënësve, profesori mbante erë alkooli, i bullizonte dhe u bënte presion, duke i kërcënuar se do t’i linte në lëndë. Ata pohuan gjithashtu se orët e tij zhvilloheshin në mënyrë jo serioze dhe shoqëroheshin me sjellje të papërshtatshme.
Në redaksi është dërguar edhe një video e xhiruar nga vetë nxënësit, ku profesori shihet duke konsumuar raki dhe birrë para fillimit të procesit mësimor. Për të verifikuar denoncimin, ekipi i “Fiks Fare” u vendos në lokalin pranë shkollës, ku sipas nxënësve, ai ndalet çdo mëngjes.
Në mëngjes rreth orës 08:20, kamerat e emisionit e regjistruan profesorin teksa mbërriti në lokal së bashku me bashkëshorten dhe vajzën. Kamarieri i serviri një gotë raki, por profesori e refuzoi sapo vuri re praninë e stafit të “Fiks Fare”.
Kur u pyet nga gazetarët pse e refuzoi pijen, ai u përgjigj me arrogancë: “Nuk do t’ju marr juve leje për asgjë.” Pasi gazetarët i treguan videon e xhiruar ku ai shihej që para fillimit të mësimit konsumonte alkool, mësuesi u justifikua “Jam njeri dhe ndonjëherë mund të konsumoj ndonjë gotë, por jo gjatë orarit të mësimit. Ajo video është filmuar një të diel.”
Por gjatë xhirimeve gazetarët e Fiksit kapin edhe shkelje të tjera të profesorit. Ai në ambientet e shkollës pi duhan , plus që dhe me nxënësit komunikon me duhan në dorë. Veprim ky që bie ndesh me rregulloren e institucioneve arsimore. Edhe për këtë gjë kur u pyet nga gazetarët profesori Shkëlzen Suma tha se nuk ka thyer asnjë rregull dhe duhani mund të pihet në ambientet e jashtme të shkollës.
Edhe pse nxënësit nuk pranuan të flasin publikisht për shkak të frikës nga ndëshkimet, një prej tyre, deklaroi në një lidhje telefonike se profesori i shantazhon dhe i tall, duke shtuar se performanca e tij në mësim është shumë e dobët.
Fiks Fare iu drejtua në lidhje me profesorin edhe drejtorit të gjimnazit “ Rifat Manjani” z. Arjan Kaja. Drejtori u shpreh se nuk ka çi duhet se çfarë bën. I pyetur nëse e konsideron problematike konsumimin e alkoolit të profesorit Suma para mësimit drejtori e dënoi si veprim, por që nuk ishte në dijeni të një fakti të tillë.
Fiks Fare u interesua pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës, e cila reagoi menjëherë duke ngritur një grup pune për të verifikuar ankesat e nxënësve dhe prindërve. Pas këtij hetimi administrativ u konstatuan shkelje të rënda të etikës në punë nga ana e mësuesit Suma. Në bazë të ligjit për Arsimin Parauniversitar si dhe kodit të etikës ndaj mësuesit Shkëlzen Suma u morë masa disiplinore “ Largim nga Puna” .