Një vatër zjarri ka përfshirë sërish këtë të diel fushën e mbetjeve në lagjen “24 Maji” në qytetin e Vlorës.
Mësohet se flakët po përhapen me shpejtësi, pasi po favorizohen edhe nga era, ndërsa tymi i dendur dhe toksik ka pushtuar një pjesë të madhe të qytetit.
Ndërkohë banorët e zonës shprehen të shqetësuar për ndotjen dhe rrezikun ndaj shëndetit, pasi era shpërndan re të mëdha tymi në drejtim të zonave të banuara. Gjithashtu ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren, për të vendosur situaten në kontroll.
Kjo nuk është hera e parë që fusha e mbetjeve në Vlorë përfshihet nga flakët, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e mbetjeve dhe masat parandaluese në këtë zonë problematike.
Historia e zjarreve në këtë zonë nuk është e re, fusha e mbetjeve është përfshirë nga flakët në muajt mars, qershor, korrik dhe gusht të këtij viti, po ashtu edhe vitet e kaluara. Kjo e bën ngjarjen aktuale të theksojë problematikën e vazhdueshme të menaxhimit të mbetjeve dhe riskun e përsëritur për qytetarët.
.
Duket se pavarësisht ndryshimit të kryebashkiakëve, Vlorës sërish i mbeten të njëjtat problematika që nuk u jepen zgjidhje.
Dyshohet se djegia e shpeshtë e mbetjeve në fushë të hapur është e qëllimshme dhe synon të eleminojë malin me mbetje, për shkak se planet për vënien në punë të landfillit të ri në Sherishtë dështojnë vit pas viti.
Projekti iu besua kompanisë “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos dhe ka ngecur në vendnumëro që prej sekuestrimit të kompanisë me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe arratisjes nga drejtësia të pronarit të saj, i dënuar dy herë nga gjykata për korrupsion dhe pastrim parash me koncesionet e incineratorëve në Elbasan dhe Fier. Punimet në landfillin e Sherishtës duhej të kishin përfunduar që në vitin 2021.
Qyteti i Vlorës nuk është i vetmi në një situatë të emergjencës mjedisore, edhe pasi qeveria shqiptare shpenzoi miliona euro për koncesionet e ndërtimit të incineratorëve apo landfilleve si ai i Sherishtës, të cilët mbetën gjithashtu të papërfunduar.
Këto projekte ranë në duart e Klodian Zotos dhe partnerit të tij në biznes, Mirel Mërtiri dhe rrethit të tyre të ngushtë, tashmë të dënuar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
LEXO EDHE:
Zjarri në landfill i prish Ramës “dekorin” e show-t elektoral në Vlorë
Vlora e “mbytur” me plehra, korrupsioni me kontratat e mbetjeve po saboton turizmin