Partia Demokratike deklaroi ditën e sotme se Prokuroria e Tiranës ka kryer disa ditë më parë një kontroll të gjerë në ambientet e kompanisë ‘CFO Pharma’ të Nadir Çaushollit, duke sekuestruar inventarët dhe dokumentacionin e rimbursimeve, në kuadër të hetimeve mbi abuzimet në sistemin e rimbursimeve të barnave.
Genta Vangjeli, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, risjell në vëmendje se, më 29 prill 2025, për Nadir Çaushollin ekziston një vendim i formës së prerë për veprën penale “manipulim i tregut”, pas shkeljeve ku medikamentet shiteshin deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre real, duke dëmtuar qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
PD thekson se historia e përfshirjes së Çaushollit në skema të paligjshme daton që nga viti 2016, kur Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, për çka ai u arrestua. Megjithatë, pas vitit 2017, bizneset e tij vijuan të lulëzojnë, përfshirë linjën e autobusëve të ‘Unazës’ dhe pesë biznese të tjera, disa prej të cilave me persona publikë si bashkëpronarë.
Edhe pas përjashtimit për 6 muaj nga tenderat publikë nga Agjencia e Prokurimit Publik në korrik 2024, Çausholli hapi një biznes të ri në turizëm. Kështu, u regjistrua kompania ‘ROCK OF KAVAJA’ sh.p.k., e cila vetëm dy muaj më pas mori lejen për ndërtimin e një hoteli 10–11 katësh me 3 kate nëntokë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, me kapital të deklaruar prej 2.2 milionë eurosh. Nadir Çausholli zotëron 60% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket ortakut Elvis Doçi, për të cilin paga e kuotave ishte vetëm 600 euro.
Mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë duke sekuestruar pasuritë dhe bizneset e Nadir Çaushollit, apo këto do të mbeten vetëm masa ‘në letra’.
Sipas PD, për aq kohë sa Edi Rama është në krye të qeverisë, duket se për njerëzit e lidhur me pushtetin, aktivitetet e tyre nuk ndalen pavarësisht skandaleve dhe dënimeve.
DOKUMENTAT:
Deklarata e plotë e Vangjelit:
Në vijim të hetimeve mbi abuzimet në sistemin e rimbursimeve të barnave, Prokuroria e Tiranës ka ushtruar disa ditë më parë një kontroll të gjerë në ambientet e kompanisë ‘CFO Pharma’, duke sekuestruar inventarët dhe dokumentacionin e rimbursimeve.
Kujtojmë se më 29 prill 2025, për Nadir Çaushollin ekziston një vendim gjykate i formës së prerë për veprën penale ‘manipulim i tregut’.
Sipas raportimeve, ai ka shitur medikamente deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre real, duke dëmtuar rëndë qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Historia e përfshirjes së tij në skema të paligjshme nuk është e re.
Që në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh ndaj shtetit nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, për çka Çausholli u arrestua.
Megjithatë, pas vitit 2017, bizneset e Çaushollit vijuan të lulëzojnë. Përveç linjës së autobusëve të ‘Unazës’ në Tiranë, ai hapi edhe pesë biznese të tjera, në disa prej të cilave rezulton bashkëpronar me persona publikë.
Pasi përfitoi miliona euro nga tenderat publikë, dhe ndonëse Agjencia e Prokurimit Publik (APP) në korrik 2024 e përjashtoi kompaninë CFO Pharma nga pjesëmarrja në tendera për 6 muaj, Çausholli vendosi ta ‘festojë’ këtë masë duke hapur një biznes të ri në fushën e turizmit.
Dhe nuk i doli keq….
Kështu, në korrik 2024, u regjistrua kompania ‘ROCK OF KAVAJA’ sh.p.k., e cila vetëm dy muaj më pas mori nga vetë Edi Rama lejen për ndërtimin e një hoteli 10–11 katësh me 3 kate nëntokë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, me kapital të deklaruar prej 2.2 milionë eurosh.
Nadir Çausholli zotëron 60% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket ortakut të tij Elvis Doçi (Visi i Pojës).
Për blerjen e këtyre kuotave Çausholli i pagoi ortakut vetëm 600 euro.
Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë realisht duke sekuestruar pasuritë dhe bizneset e Nadir Çaushollit, apo këto do të mbeten vetëm masa ‘në letra’.
Për aq kohë sa Edi Rama vijon të jetë në krye të qeverisë, duket se për njerëzit e lidhur me pushtetin, ‘show must go on’, pavarësisht skandaleve, dënimeve apo abuzimeve me paratë e qytetarëve.
LEXO EDHE:
Skandali i rimbursimit të ilaçeve/ Prokuroria zbarkon tek CFO Pharma, zbardhet skema e mashtrimit
“Manipuloi tregun”/ Gjykata e Apelit shpëton nga burgu Nadir Çaushollin e “CFO Pharma”