Pas 23 ditësh grevë urie, shqiptari Pano Ruci ndalon protestën, pranohet kërkesa për ekzaminimin e trupit të djalit të tij të ndjerë
Pano Ruci, babai shqiptar që humbi djalin në tragjedinë hekurudhore të Tempes në Greqi, ka vendosur të ndalë grevën e urisë pas 23 ditësh, pasi kërkesat e tij janë pranuar nga autoritetet.
Ruci kishte kërkuar që të kryhej zhvarrosja dhe ekzaminimi i trupit të djalit të tij, Denis Ruci, për të hetuar rrethanat e vdekjes. Ai kërkonte transparencë të plotë në procesin e analizave toksikologjike dhe hetimeve të tjera të specializuara.
“E kam përjetuar këtë periudhë me shumë dhimbje dhe lodhje, por mbështetja e njerëzve më ka dhënë forcë. Do të vazhdoj të kërkoj të vërtetën për djalin tim,” deklaroi Ruci më herët gjatë ditës.
Nga ana e saj, avokatja Zoi Konstantopulu u shpreh se “drita mposhti errësirën”, duke e cilësuar vendimin për të rihapur dosjen e hetimit si një fitore të së vërtetës ndaj fshehjes dhe neglizhencës institucionale.
Pas një beteje të gjatë dhe 23 ditësh grevë urie në Sheshin Sintagma të Athinës, Pano Ruci i dha fund protestës së tij, duke arritur që kërkesa për ekzaminimin e trupit të të birit të miratohet zyrtarisht.