Personi që shihni në foton e mësipërme është 30-vjeçari Elvis Shkambi nga Shkodra, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit.
Ai qëlloi me 3 plumba drejt gjyqtarit, dy prej tyre në gjoks dhe një një bark, ndërsa magjistrati ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës, ku dhe u konstatua vdekja e tij.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare në gjyq me Shkambin. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Elvis Shkambi kreu krimin, pasi xhaxhai i tij Gjon Shkambi humbi gjyqin për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku janë të strehuar 31 familje.
Familja Shkambi pretendon pronësinë mbi atë godinë, teksa gjyqi i sotëm kishte të bënte me një seancë për masat administrative të vendosura nga përmbaruesi, ku 31 familjet duhet të paguanin nga 500 mijë lekë të vjetra për shkak se nuk kishin liruar godinën, por kanë arritur ta fitojnë gjyqin edhe në shkallën e dytë të gjyqësorit.
Pas krimit, autori i dorëzoi armën oficerit të sigurisë në Gjykatën e Apelit dhe më pas doli nga Gjykata dhe iu dorëzua edhe vetë Policisë, pa bërë asnjë rezistencë, duke u shprehur “unë jam autori”. Në dëshminë paraprake të dhënë për grupin hetimor, Elvis Shkambi ka deklaruar se nuk kishte zgjidhje tjeterë, pasi e humbi gjyqin.
Nuk dihet se si 30-vjeçari ka arritur të futë armën e zjarrit pistoletë brenda sallës së gjyqit, teksa Policia ka ndaluar oficerin e sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili konsiderohet si përgjegjës për skanerin e sigurisë në hyrjen e institucionit të drejtësisë.
Prej disa vitesh, institucionet e drejtësisë nuk ruhen më nga Policia e Shtetit, por nga polici private, teksa kjo ngjarje ngre alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë.
Konflikti për çështjen e pronësisë
Konflikti për pronën zvarritet gjyqeve prej disa vitesh, teksa Gjon Shkambi e kishte denoncuar historinë edhe nëpër media. Sipas pretendimit të Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit Elvis Shkambi, ai kishte fituar në Shkallën e Parë, ndërsa Apeli ia ka kthyer për rigjykim, pasi në dosje i mungonin dy proces-verbale dhe akti i ekspertimit.
Ai pretendon se pala tjetër me dokumente të falsifikuara vazhdon të qëndrojë në ndërtesën e Gjonit.
Prona për të cilën bëhet fjalë është Shkolla e Rezervave në Shkodër, pronësinë e të cilës e pretendon familja Shkambi. Në atë godinë banojnë edhe 31 familje të tjera, të cilat Gjon Shkambi kërkonte të nxirreshin jashtë, sepse sipas tij, qëndronin aty pa të drejtë, e kishin zaptuar dhe shfrytëzonin pronën e tij.
Në vitin 1992, 31 familjet familje me vendim të Bashkisë së Shkodrës u vendosën në godinën e ish-Shkollës së Rezervave të ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkambit janë të falsifikuara
Në vitin 2020, 31 familje në lagjen Skënderbeg në Shkodër u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit. Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Në atë kohë doli një pronar. Gjon Shkambi pretendoi të ishte pronar i godinës dhe tentoi të futej në godinë. Banorët e akuzuan në atë kohë se ka dokumente false.
Gjyqi për pronën mendohet të ketë qenë edhe shkak i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir,të cilët ishin pala tjetër në këtë proces gjyqësor për pronën.

Kush është gjyqtari Astrit Kalaja?
Me një karrierë 32 vjeçare në sistemin e drejtësisë në vend, Astrit Kalaja është emëruar për herë të parë magjistrat në Shkodër, më 24 nëntor 1993. Aty, ai shërbeu për shumë vite, derisa u emërua në Gjykatën e Apelit, Tiranë.
Ai iu nënshtrua procesit të vettingut dhe kaloi në të dyja shkallët si i pastër në të treja shtyllat e rivlerësimit. Në vitin 2019, Kalaja u konfirmua nga KPK, ndërsa edhe pasi komisioneri publik kërkoi shkarkimin e tij nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke, në vitin 2022, gjyqtari u cilësua i pastër edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelit. Po kështu, Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.
Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Nga ky vit, deri më 2004, ai punoi si gjyqtar I Gjykatës së Rrethit, Shkodër. Në qershor të vitit 2004, deri në janar 2023, Kalaja ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit, qarku Shkodër, ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv. Kryetarit atje. Më pas është transferuar në Apelin e Përgjithshëm në Tiranë.
Ai ka pasur disa dosje të bujshme në Apel, ndërsa në vitet 2005-2006 dhe 2007-2009 ka pasur vlerësimin “Shumë Mirë” për etikën dhe veprimtarinë profesionale, ndërsa gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka pasur asnjë masë, disiplinore.
LEXO EDHE:
Vritet brenda Gjykatës së Apelit gjyqtari Astrit Kalaja, autori në proces per pronat