Një mafioz grek që drejtonte në Montreal të Kanadasë një organizatë kriminale, u ekzekutua me gjakftohtësi në kafenenë e zonës së Laval, duke tronditur komunitetin vendas.
Viktima është Charalambos Theologos, i njohur nga autoritetet edhe si “Bobby the Greek”, teksa pista kryesore mbetet larja e hesapeve të drogës dhe kontrolli i territorit.
Mediat kanë zbuluar edhe videon e ekzekutimit të 40-vjeçarit grek. Dy burra të armatosur me kapuçë dhe bluza hynë në një kafene Starbucks dhe hapën zjarr ndaj viktimës (sekonda e 30 e videos). Klientët ranë në dysheme për të shpëtuar veten, ndërsa kamerat e sigurisë regjistruan sulmin, me klientët që vraponin të tmerruar drejt daljes.
Theologos u plagos për vdekje dhe humbi jetën në pak sekonda, ndërsa dy persona të tjerë që ishin pranë tij u plagosën rëndë.
Policia e Kebekut po e trajton vrasjen si një larje hesapesh midis fraksioneve rivale të krimit të organizuar, pasi Theologos ishte i njohur për përfshirjen e tij në trafikun e drogës, zhvatjen dhe zjarrvëniet në zonën e Laval.
Sipas CBC, viktima ishte udhëheqësi i një grupi të njohur si “Grekët e Ditës”, i cili ishte i përfshirë në zhvatje dhe aktivitete të paligjshme .
“Objektivi ishte Charalambos Theologos, i njohur si Bobby Greku. Ai u vra së bashku me dy anëtarë të tjerë të bandës”, raportoi rrjeti kanadez.
Raportet tregojnë se ai ishte përleshur kohët e fundit me grupe të tjera kriminale, përfshirë Hells Angels në Ontario, të cilat mund të kenë çuar në vrasjen e tij.
“Ai ishte i përfshirë në zhvatje dhe ndoshta në sulme zjarrvënëse në restorante. Ai po përpiqej të zhvaste para përmes kërcënimeve, gjë që shkaktoi reagime negative në botën e krimit”, tha një ish-shef i policisë së Montrealit.
Videoja nga kamerat e sigurisë është përfshirë tani në dosjen e çështjes dhe konsiderohet si një element kyç në identifikimin e autorëve. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë një makinë të djegur të gjetur në një parking në verilindje të Montrealit disa orë pas vrasjes. Besohet se automjeti ka qenë mjeti i arratisjes së autorëve të krimit dhe janë gjetur gjurmë të lëndëve djegëse që mbështesin skenarin e zjarrvënies së qëllimshme. Deri tani nuk ka asnjë arrestim të kryer nga policia.