Emisioni Vetting
Dosja tregon se vetëm në Divjakë janë identifikuar mbi 580 persona të regjistruar në XUEX, përfshirë edhe punonjës të Bashkisë. Shumat varionin nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë për individ, me raste të rralla si ai me 10 mijë dollarë. Komunikimi me të gjithë bëhej përmes Telegram-it, ku profile si “Smith” dhe “Joana” shpërndanin udhëzime, sinjale tregtare dhe materiale motivuese.
Në të vërtetë, gjithçka ishte një skemë klasike zhvatjeje e mbështetur mbi teknologjinë, por e veshur me premtimin e fitimeve të shpejta sikur transaksionet zhvilloheshin në Binance. Binance është një nga platformat zyrtare më të mëdha në botë për tregtimin e kriptomonedhave. Problemi në këtë rast është se klientët nuk vendosen realisht në tregun zyrtar të kriptomonedhave, por ju ofrohet një platformë mashtrimi, ku kryhen operacione të simuluara nga drejtuesit e kësaj skeme mashtrimi ponzi.
Skema Ponzi është një mashtrim financiar ku paratë e investitorëve të rinj përdoren për të paguar fitimet e atyre që kanë hyrë më herët. Në fillim gjithçka duket sikur funksionon, sepse ata që futen të parët marrin një përqindje të lartë dhe besojnë se po fitojnë nga një investim real.
Në fakt, asnjë nga këto bizneset nuk prodhon të ardhura, sistemi mbahet gjallë derisa vazhdojnë të hyjnë njerëz të rinj me paratë e tyre. Kur fluksi i investitorëve të rinj ndalet, zinxhiri këputet dhe skema shembet, duke lënë shumicën pa kursimet e tyre.
Të njëjtën gjë u ka ofruar dhe Leo Smithi shqiptarëve të mashtruar.
Në krye të piramidës është organizatori ose Leo Smith, i cili tërheq persona të investojnë duke i rekrutuar. Fillimisht këta agjentë investojnë dhe kanë bonuse për cdo person që sjellin, duke fituar ata vetë, por fitimin kryesor e ka maja e piramidës duke u financuar nga baza poshtë. Kjo gjë vazhdon derisa personat kërkojnë të tërheqin paratë, duke zbuluar dhe mashtrimin.
Sipas ekspertit të kriptomonedhave Fatjon Kadillari, këto janë platforma imitimi në mënyrë që njerëzit të manipulohen dhe të mendojnë dhe të përceptojnë sikur kanë të bëjnë me kriptomonedhat.
“Në realitet investimet e njerëzve që regjistrohen në këto platforma nuk i hedhin në kriptomonedha, por i hedhin në aplikacione të cilat janë imituese”, tha për “Vetting” Fatjon Kadillari.
Platformat përdorin reklama joshëse dhe të rreme në rrjetet sociale duke bërë krijimin e grupeve të simuluara komunikimi. Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri. Mbledhjen e dokumentave personale duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave persoanle.
Përdoruesit regjistroheshin lehtësisht emër, email, numër telefoni një fjalëkalim dhe kod referimi. Më pas mund të bënin depozita me kartë krediti, kripotomonedha, transferta digjitale. Shuma fillestare ishte zakonisht e vogël dh pasi bëhej depozitimi në aplikacion shfaqej një bilancë në rritje të përditshme.
Fitimi ishte fiks, përdoruesit mund të shikonin grafiqe që “simulonin” tregëtimin e kriptomonedhave.
Gjithçka dukej profesionale, por ishte thjesht një animacion i papërcaktuar. Shifra false që nuk kishin lidhje me ndonjë aktivitet real tregtie. Përdoruesit nxiteshin të investonin më shumë për të kaluar në nivele më të larta, pa e ditur se ishin thjesht numra në ekran. Përdoruesit merrnin bonuse për çdo person që ftonin në platformë, ky sistem ishte në fakt një skema ponzi ku përdoruesit e rinj mbulonin fitimet e të vjetërve derisa skema shembej.
Sipas viktimës, në qoftë se ai do të shtonte 5 anëtarë që investonin me kodin e tij, rrjedhimisht do të kishte përfitime.
“Unë rritesha në detyrë dhe kisha grupin tim. Mund të bëja diçka unë, supozoj një darkë me miqtë, darka kushtonte 800 paund edhe ato para ai mi dërgonte. Foto Leo Smithit, edhe ai ma dërgonte mua shifrën e lekëve”, u shpreh për “Vetting” i riu nga Lushnja.