Shefi i regjimit të brendshëm në Lushnje, është arrestuar mbrëmjen e sotme pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” ku u zbulua se merrte para në këmbim të lejes së përkohëshme për të burgosurit.
Në emision punonjësi i Burgut të Lushnjes u filmua duke marrë 700 euro në këmbim të lejes 5 ditore për një të burgosur.
Ndërkohë ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke deklaruar se ai është arrestuar.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:
Në lidhje me pamjet e transmetuara në emisionin investigativ “Stop”, ku shfaqet një punonjës i Policisë së Burgjeve duke marrë vlera monetare në këmbim të një leje shpërblyese, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka ndërmarrë menjëherë veprimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i identifikuar është komisar H. L, me detyrë shef i regjimit të brendshëm në IEVP Lushnjë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me forcë çdo akt të paligjshëm dhe korruptiv që bie ndesh me etikën dhe misionin e sistemit penitenciar.
Distancohemi qartësisht nga veprime të tilla individuale, që nuk përfaqësojnë strukturën dhe angazhimin tonë për një administratë të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme.
Skandali/ Shefi i regjimit në Lushnje merr 700 euro për të nxjerrë të burgosurin disa ditë nga qelia