• Kontakt
Sunday, September 14, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Shkodra, parcelat e gjakut

21:23 : 14/09/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Vrasje për të marrë kontrollin e territorit. Për të mbrojtur dhe zgjeruar zonat e influencës. Për të dobësuar rivalët duke goditur më të fuqishmin. Qoftë nga ana financiare, qoftë ata që i konsiderojnë rrezik potencial për jetën e tyre.

E të gjitha këto kanë prodhuar hakmarrjen, që tashmë nuk di të ndalet.

Kjo situatë kriminale po dominon Shkodrën prej dekadash. Dikur nën kontrollin e personazheve që konsideroheshin “të fortë”, apo edhe “kumbarë” të qytetit, ndërsa vitet e fundit nën terrorin e përplasjes mes dy fiseve. Bajrat e Dobraçit dhe Lictë e Kirasit.

E duket se kjo është përplasja më e ashpër e më e përgjakshme në Shkodër. Një “luftë” që po vret jo vetëm familjarë e njerëz të afërt të dy grupeve, por nuk po kursen as të pafajshmit. Njerëz që nuk kanë lidhje me asnjërën palë, por fatkeqësisht gjenden rastësisht në mes të plumbave.

8 shtator 2025

Lexo edhe:

“Nuk dal nga kulla jeme”/ Mustafa Lici u mor në pyetje në shtëpi, e motra përmes “Whats App-it”

Masakra me dy të vra*ë në Shkodër, Ragip Gila izolohet në burgun 302 në Tiranë

Breshëria e automatikut përgjaku edhe një herë Shkodrën mëngjesin e 8 shtator 2025, në ditën e parë të shkollës. Në një lokal shumë pranë Bashkisë dhe shkollës “Kolë Idromeno”, ishin të ulur në një tavolinë Erogen Vaso, Armando Pali dhe Liridon Kraja. Në orën 08:50, një person me veshje të gjata dhe një xhup, jo e zakonshme për temperaturat e larta, afrohet me motor në hyrjen e përparme të lokalit. Ai zbret dhe le motorin ndezur. Pa hequr nga koka skafandrën, nxjerr dy armë nga çanta e shpinës dhe futet brenda duke qëlluar menjëherë drejt tavolinës ku ishin ulur tre personat. Plumbat goditën të tre ata që ishin në tavolinë, ndonëse objektiv ishte Erogen Vaso, i njohur edhe me mbiemrin Brajoviq. Madje nuk kursyen as kamarieren 25-vjeçare, Meri Kaçeri, që po shërbente në lokal. Armando Pali, ish-anëtar i këshillit bashkiak Shkodër dhe ish- punonjës i IMT-së, mbeti i vdekur në vend. Ndërsa dy miqtë e tij dhe kamerierja u plagosën duke u transportuar me urgjencë në Spitalin e Shkodrës. Liridon Kraja, mik i Erogen Vasos, që njëkohësisht ishte edhe shoqërues i tij, nuk arrin t’i mbijetojë plagëve dhe ndërron jetë në spital.

Bilanci i ngjarjes, dy të vrarë e dy të plagosur.  Autori, Ragip Gila, largohet në këmbe, duke përshkuar mes për mes lokalin dhe del nga dera e pasme e tij.

Pasi ecën disa metra në këmbë, nën kërcënimin e armës dhe pa hequr në asnjë moment skafandrën që kishte në kokë, ai i merr me forcë automjetin “BMW” një qytetari. Vazhdon rrugën për të dalë nga qyteti, në drejtim të lumit Kir, por rrugës humbet kontrollin e makinës, duke u përplasur me mjete të tjera. I bindur se Policia tashmë ishte vënë në ndjekje të tij, 28-vjeçari Gila zbret dhe vazhdon rrugën në këmbë, derisa lokalizohet në vendin e njohur si “Zalli i Kirit”. Gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, ai rrëzohet nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në ato momente, efektivët i kanë bërë thirrje që të hidhte armën dhe të dorëzohej. I rrethuar dhe në pamundësi për të vrapuar, në fund ai bindet dhe vihet në pranga.

Policia e Shkodrës

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër: Arrestuan në flagrancë shtetasin Ragip Gila, 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.  U sekuestruan: 2 armë zjarri, një automatik dhe një pistoletë me fishek në fole, një skafandër, një maskë, një jelek antiplumb dhe një shishe 1.5 litërshe e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit Ragip Gila, i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes; automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.    

Përballë prokurorit, teksa dëshmonte për ngjarjen, autori i dyshuar Ragip Gila ka pranuar gjithçka, duke marrë vetë përgjegjësinë për vrasjen e dy personave e plagosjen e dy të tjerëve. Megjithatë ka deklaruar se objektivi i tij ishte Erogen Vaso, i cili në fakt mbeti i plagosur, duke pretenduar se kishte një çështje personale me të.

Ragip Gila

Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso. Kam pasur një problem personal me të. Erogen Vaso më ka ndjekur me makinën e tij të blinduar e më kërcënuar. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Me të tjerët nuk kisha asgjë, vetëm me Erogenin.

Ndonëse ka pranuar autorësinë, grupi hetimor e ka marrë me rezerva dëshminë e Ragip Gilës dhe po heton mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë që mund ta kenë porositur për vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso.

Nga ana tjetër, Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në krim. Është ushtruar një kontroll të befasishëm në banesën e motrës së Mustafa Licit në Shkodër. Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri. Dyshimet e para tregojnë se autori i dyshuar i vrasjeve, Ragip Gila, mund të ketë vepruar për llogari të Lulzim Kullës, i cili është dhëndër në familjen Lici. Kulla, prej vitesh ka qenë i njohur, i përfolur dhe dyshuar, si “i forti” i Shkodrës. Më 13 janar të vitit 2018, ai i mbijetoi një atentat me tritol në një zonë të frekuentuar në Shkodër.

Nisur nga të gjitha veprimet me terren, provat e sekuestruara, indiciet, por edhe të dhënat që kanë marrë në rrugë operative, duket se hetimet janë orientuar drejt Kirasit dhe njerëzve të besuar të Ibrahim Licit. Në këtë drejtim, Policia ka shpallur në kërkim një prej njerëzve të tij më të besuar, Barush Bregun, por edhe një 17-vjeçar.

Policia e Shkodrës

Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi Ragip Gila qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.   Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës. Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.  U shpallën në kërkim shtetasit Barush Bregu alias Bajram Bregu, 39 vjeç dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje, e cila jeton jashtë vendit, të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminal, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, një laptop dhe 5 aparate fotografike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.   

Ky personazh, që rezulton të jetë shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës në lidhje me ngjarjen, njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Dikur edhe si i dyshuar për përfshirje në një vrasje të dyfishtë bashkë me të, por që më pas akuzat ndaj tyre ranë. Më 4 maj të vitit 2019, ai u arrestua në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë gjatë një aksioni ku morën pjesë forcat speciale RENEA, FNSH dhe forcat “Shqiponja”. Ai u kap pas një kontrolli që u bë në një banesë që ai kishte marrë me qira në kryeqytet. Barush Bregu ishte shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia, në banesën e tij u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Nga ana tjetër, ai ishte i skeduar edhe si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura më parë në Shkodër, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Në lidhje me masakrën që ndodhi mëngjesin e 8 shtatorit 2025 në Shkodër, është kërkuar nga Prokuroria që të shoqërohet për t’u marrë në pyetje edhe Lulzim Kulla, i cili nuk u gjet në banesë gjatë kontrolleve që Policia ushtroi ditën e ngjarjes. Banesë që ndodhet shumë pranë shtëpisë së autorit të dyshuar të vrasjes, Ragip Gilës.

Mes personave të pyetur për ngjarjen është edhe Mustafa Licit, babai i Ibrahim Licit, lidhur me banesën e motrës së tij ku u gjetën armë, municione dhe dronë. Sipas Policisë, Lici ka deklaruar se motra e ka dhënë me qira banesën pasi jeton jashtë vendit dhe do t’u vërë në dispozicion një kontratë. Ndërsa mohon çdo lidhje me ngjarjen.

Asnjë prej të marrëve në pyetje nuk ka dhënë detaje lidhur me personat që mund të kenë porositur Ragip Gilën për të kryer masakrën me dy të vrarë dhe janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.

Dy të shpallurit në kërkim për arsenalin me armë të gjetur pasa masakrës, 39-vjeçarin Barush Bregu (Bajram Bregu) dhe një 17-vjeçar, që dyshohet se i siguruan armatimin dhe mjete të tjera autorit, sipas verifikimeve në sistemin Tims nuk rezultojnë të kenë dalë jashtë territorit shqiptar. Ndërkohë me urdhër të prokurorit, i është kërkuar Policisë edhe shoqërimi i 5 personave të tjerë për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Vetë objektivi i atentatit, Erogen Vaso Brajoviq, në dëshminë paraprake që ka dhënë për oficerët e Policisë, nga Spitali i Traumës, ka pretenduar se nuk ka njohje dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me autorin e dyshuar, i cili shprehet se kishte një çështje personale me të. Nga ana tjetër 43-vjeçari ka bërë edhe një reagim në rrjetet sociale në lidhje me ngjarjen.

Erogen Vaso (Brajoviq)

Në këto momente të vështira, jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjareve të 2 miqve të mi, që ishim së bashku sot në mëngjes në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti. Dora e pabësisë së një vrasësi i shkëputi sot nga jeta teksa ishim së bashku dhe për mua personalisht është dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet! Kjofshin në paqe me Zotin Armando dhe Geridoni! Gjithashtu i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje. Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër. Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë trashëguar nga babai im gjithashtu ai sipërmarrës deri në fund të jetës, ish-futbollist i Shkodrës dhe kombëtares shqiptare. Unë kam qenë, për shkak edhe të traditës familjare, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë, ish-president i Klubit të Futbollit Tërbuni të Pukës. Familja ime ka pasur një histori persekutimi politik para viteve ‘90, por dhe vite më pas për shkak se ka përfaqësuar komunitetin malazez në Qarkun e Shkodrës. Për interesa të këtij komuniteti dhe Shkodrës kam shërbyer me korrektësi për disa vite, anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit tim, ashtu sikurse kishte shërbyer njëri prej miqve të mi të afërt që humbi jetën sot. Jam informuar në spital që autori është ndaluar dhe shpresoj të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik. Sa për lidhje të tjera që aludohen në media, sqaroj se duhen lënë institucionet e ligjit të trajtojnë këto çështje.

Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, 43 vjeç, që ishte shënjestra e atentatit të 8 shtatorit në Shkodër, për grupin hetimor ka dyshime se është tentuar të eliminohet nga kundërshtarët e grupit Bajri. Ai vetë, ka qenë arrestuar në vitin 2018, gjatë operacionit “Oaz”, që goditi grupin “Bajri”, por ishte i pari që u la i lirë nga Gjykata, e cila që në krye të herës vendosi masë sigurie me afat 30 ditë ndaj tij.

Grupi rival, duket se me eliminimin e tij ka synuar të godasë edhe fuqinë e grupit Bajri, duke qenë se ai është një biznesmen dhe që për kundërshtarët përfaqëson fuqinë financiare të palës tjetër. Por edhe në kushtet kur pjesa më e madhe e njerëzve më të rëndësishëm të Bajrave, sot ndodhet pas hekurave. Megjithatë, Erogen Vaso është edhe vëllai i Denis Brajoviq, i akuzuar nga SPAK si autor i vrasjes së Gjin Boriçit në gusht të vitit 2020, për llogari të Ervis Martinajt dhe si pjesë e grupit Bajri. Denis Brajoviq u ekstradua nga Dubai në korrik të vitit 2015 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Për grupin hetimor, ngjarja e rëndë e 8 shtatorit 2025, ishte një kundërpërgjigje për “Masakrën e Dobraçit”, që ndodhi 30 tetorin e vitit 2024, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe mbetën të vdekur edhe bashkëshortët Bashkim e Flutura Basha që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Ndonëse Erogen Vaso, nuk rezulton të ketë lidhje me atë që ndodhi në Dobraç, goditja e tij nga rivalët konsiderohet si vijim i sagës së përplasjeve që vijon prej vitesh në Shkodër.

Përplasja e përgjakshme

Ky shpërthim në lagjen Partizani në Shkodër, më 13 janar të vitit 2018, ishte pikënisja e një sage kriminale mes dy fiseve, që vijon të shkaktojë viktima edhe sot.

Shënjestra ishte Lulzim Kulla, i konsideruar si një prej të fortëve të Shkodrës, njëkohësisht edhe si lidhje e familjes Lici, pasi është dhëndër i tyre. Ditët që pasuan këtë ngjarje, nisën të shënojnë një bilanc tragjik me vrasje, zhdukje personash e atentate të dështuara.

Familja Lici artikuloi emrat e rivalëve, që sipas tyre ishin nga fisi Bajri. Ndërsa këta të fundit nuk e pranojnë as sot që janë në hasmëri apo konflikt me ta. Madje Safet Bajri, në një dalje televizive u shpreh se nuk ka asnjë konflikt me familjen Lici.

Më 21 shkurt 2025, dy ditë pasi ai u shfaq publikisht, RENEA u rikthye sërish, në banesën e tij, ku kishte qenë edhe para 3 ditësh, për të zbatuar një vendim të Gjykatës së Posaçme, që kishte vendosur masën “arrest në burg” për të.

Pasi ishte kontrolluar tri herë nga forcat speciale, që pas vrasjes së katërfishtë, të njohur si “Masakra e Dobraçit”, ishte shoqëruar e lënë i lirë, më 21 shkurt, Safet Bajri hipi në furgonin e RENEA-s, që e shoqëruan deri në Policinë e Tiranës. Këtë herë nuk bëhej fjalë thjeshtë për një shoqërim rutinë e procedurial. Safet Bajri u arrestua.

E njëjta masë u ekzekutua në burg edhe për Behar Bajrin e Astmer Bilalin, të arrestuar në shtator të vitit 2023 në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ata, në bashkëpunim me Safet Bajrin, akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht të vitit 2018 në lagjen Kiras të Shkodrës, si dhe për grup të strukturuar kriminal. Ndërsa më 24 shkurt, Gjykata e Posaçme u komunikoi të treve të njëjtën masë që kishte dhënë më herët në mungesë.

Për të dytën herë, SPAK konfirmoi zyrtarisht konfliktin mes familjeve Bajri e Lici, duke deklaruar se vrasja e Fatbardh Licit në vitin 2018, ishte kryer nga Behar Bajri, Astmeri Bilali dhe Safet Bajri, si hakmarrje ndaj Ibrahim Licit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Fatbardh Licit ishte kryer pasi Behar Bajri i atribuonte Ibrahim Licit vrasjen e të njohurit të tyre, Boran Bërçanës dhe partneres së tij Silvi Ndoci, ngjarje e ndodhur më 15 korrik të vitit 2018.

Pra për herët të dytë, pas operacionit “Metamorfoza” në vitin 2023, SPAK zyrtarizon hasmërinë mes fiseve Bajri e Lici në Shkodër. Përplasja më e madhe mes tyre ndodhi përgjatë vitit 2018. Por kulmoi pasditen e 30 tetorit të vitit 2024, kur u vranë 4 persona, dy prej të cilëve kalimtarë të rastit dhe që SPAK po e heton si vijim të sagës së hakmarrjeve mes dy grupimeve, pa çka se ende nuk ka prova konkrete.

Por si nisi konflikti i përgjakshëm mes dy familjeve që të paktën deri në vitin 2017 kishin qenë në paqe me njëra – tjetrën. Madje në disa raste, Ibrahim Lici ishte parë në shoqërinë e Astmer Bilalit, që është njeriu më i afërt i Bajrave.

Në arkivat e Policisë së Shkodrës, janë të regjistruara dy ngjarje, ku kanë humbur jetën dy pjesëtarë të fisit Bajri. Konkretisht babë e bir. Xhaxhai i Safet Bajrit dhe kushëriri i tij.

I pari është ekzekutuar Indrit Bajri, më 21 tetor të vitit 2001. Drejtësia akuzoi si autorë të kësaj ngjarje, Ilmir Hajdarin, Xhabir Shegën dhe Kujtim Barbullishin. Policia deklaronte në atë kohë, se njëri nga të dyshuarit, konkretisht Ilmir Hajdari, kishte debatuar me Indrit Bajrin dhe gjatë këtij konflikti ata kishin shkëmbyer edhe kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa ditën e ngjarjes, Hajdari, i cili ndodhej në të njëjtën makinë me Shegën e Barbullushin, kanë shkuar të armatosur drejt lagjes “Partizani”. Sapo kanë parë Indrit Bajrin pranë Shkollës së Muzikës kanë qëlluar drejt tij, duke e lënë të vrarë. Në lidhje me këtë ngjarje Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ai u arrestua në vitin 2009, por në sallën e gjyqit mohoi autorësinë dhe pas afro 5 vitesh u la i lirë.

Pas 14 vitesh, ekzekutohet me snajper nga Kalaja e Rozafës, njëri nga të dyshuarit e kësaj ngjarje, Xhabir Shega. Ai u qëllua për vdekje me dy plumba në gjoks, më 11 qershor të vitit 2015 në oborrin e banesës së tij, në lagjen Ajasem, poshtë Kalasë. Policia tha se autori, mund të kishte qenë një qitës profesionist dhe ka qëlluar nga një distancë e konsiderueshme.  Shega ishte tentuar të vritej edhe më herët, pak kohë pasi kishte përfunduar dënimin prej 12 vitesh burg për vrasjen e Indrit Bajrit. Me të njëjtën metodë, po me snajper ai ishte qëlluar edhe në vitin 2014, kur mbeti i plagosur. Policia tha se motivi i ngjarjes ishte hakmarrja, por pa përcaktuar se nga kush ishte porositur kjo vrasje, pasi ishte në hasmëri me 3 fise të ndryshme në Shkodër.

Ndërsa më 3 qershor të vitit 2022 u ekzekutua 68-vjeçari Naim Bajri, xhaxhai i Safet Bajrit dhe babai i Indrit Bajrit që ishte vrarë në vitin 2001. Ai u qëllua për vdekje teksa po pinte kafe nga një mjet në lëvizje, në lagjen Partizani, pranë markatës së peshkut. Në momentin që u qëllua, Bajri ishte në shoqërinë e punonjësit të tij, Astrit Zeneli, 58 vjeç, i cili mbeti i plagosur. Naim Bajri, pavarësisht emrit të familjes, kishte qëndruar larg problemeve që ata kishin, duke zgjedhur të tregtonte prodhime deti dhe të bënte një jetë modeste.  68-vjeçari punonte pranë “Merkatës së Rusit” ku tregtonte prodhime deti. Ngjarja vijon te jetë pa autor, ndërsa e vetmja provë e këtij krimi ishte makina e përdorur nga atentatorët, që u gjet e djegur në Bypassin e Shkodrës.

Ndërkohë përplasja më e ashpër mes dy grupimeve të Shkodrës, ndodhi gjatë 7 viteve të fundit, duke shkaktuar 14 të vrarë, 2 të zhdukur e dhjetëra të plagosur.  Si pikënisje pati atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, më 13 janar të vitit 2018. Rreth 500 gramë C4 ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar afër fuoristradës së Kullës. Shpërthimi i eksplozivit, që u komandua në distancë, ndodhi në momentin që Lulzim Kulla po dilte nga godina në pronësi të tij, për të hipur në automjetin e blinduar që ishte parkuar pak metra larg motorit. Ai pësoi djegie në 25% të trupit. Nga shpërthimi i fortë mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, kalimtarë të rastit. Në atë kohë, Kulla deklaroi se nuk i njihte autorët dhe nuk kishte dyshime se kush mund ta kishte vendosur tritolin.

Lulzim Kulla konsiderohej në atë kohë nga Policia e Shkodrës si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët e qytetit duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare.

Pak kohë pas ngjarjes, Policia dhe Prokuroria deklaruan se zbardhën ngjarjen dhe arrestuan 3 personat që kishin vendosur eksplozivin. Të arrestuarit ishin Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta, nga Elbasani, të cilët vazhdimisht mohuan akuzat. Derisa në nëntor të vitit 2020 Gjykata e Shkodrës i liroi për shkak se kishin mbaruar afatet e mbajtjes në paraburgim. Ndonëse më herët ishin zbutur masat e sigurimit për ta në “arrest shtëpie” e “detyrim paraqitje”. Megjithatë, porositësit e këtij atentati nuk u identifikuan asnjëherë.

Pas atentatit ndaj Lulzim Kullës, për dy vite me radhë në Shkodër pasuan një sërë ngjarjesh kriminale që dyshohet se ishin të lidhura me njëra-tjetrën.

Në 18 qershor 2018 vritet në servisin e tij, teksa po riparonte brava makinash, 60-vjeçari Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.

Në 15 korrik të po atij viti, poshtë banesës që kishin me qira, ekzekutohet çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija i tyre 3-vjeçar që i shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin “Bajri”. Për shumë kohë kjo ngjarje mbeti pa autor, edhe pse pati shumë shoqërime, por asnjë provë konkrete.

Ndërsa më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, xhaxhai i Ibrahim Licit. Është pikërisht kjo ngjarje që pas më shumë se 6 vitesh, çoi në pranga Safet Bajrin. Në atë kohë pati dhjetëra shoqërime, nisur edhe nga fakti se makina e atentatorëve u gjet e djegur pranë lagjes Dobraç. Përgjimet e autorizuara në atë kohë nga Gjykata e Shkodrës, nuk prodhuan asgjë, edhe pse të dyshuarit ishin pikërisht ata, anëtarët e familjes Bajri. Megjithatë, duket se ato përgjime, të krahasuara edhe me biseda të zhvilluara në platformën SKY, kanë sjellë një hetim më të plotë të ngjarjes, që kësaj here ishte marrë në dorë nga Prokuroria e Posaçme. SPAK ka dyshime të arsyeshme, se vrasja e Fatbardh Licit është kryer në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, nga 3 të dyshuar: Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Bajri. Ndërsa si motiv ka hakmarrjen, pasi fisi Bajri, dyshonte se njeriu i tyre, Boran Bërçana ishte vrarë nga Ibrahim Lici.

Një tjetër ngjarje, që konsiderohet si vazhdim i përplasjes mes dy fiseve, konsiderohet edhe ajo e datës 23 gusht 2018, kur zhdukën nip e dajë, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa. As sot, pas më shumë se 6 vitesh nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Ndërsa familjarët prej kohësh i kërkojnë Policisë që të paktën të gjejë trupat, pasi janë të bindur se janë vrarë. Të dy këta persona kishin lidhje me fisin Lici.

Pa kaluar shumë nga kjo ngjarje, ndodh vrasja e radhës. Ekzekutohet Arjan Ferracakut, teksa po kalëronte në zonën e Livadheve. Ai u vra më 1 shtator të vitit 2018, teksa ishte në shoqërinë e disa miqve, mes të cilëve edhe Astmer Bilali. Dyshohet se kanë qenë 3 persona të armatosur, të cilët ishin pozicionuar pas shkurreve dhe kanë nisur të qëllojnë me breshëri në drejtim të Ferracakut. Pasi goditet nga disa plumba, ai rrëzohet nga kali, ndërsa miqtë e tij largohen me vrap. Ndërsa autorët, për t’u siguruar për vrasjen, afrohen dhe e qëllojnë sërish. Ngjarja fillimisht u dyshua se kishte pasur objektiv Astmer Bilalin, por fakti që viktima ishte qëlluar edhe nga afër, i bëri hetuesit të besojnë se në fakt nuk bëhej fjalë për ngatërrese nga ana e autorëve.

Dy muaj pas tij, konkretisht më 14 nëntor, vritet edhe kushëriri i tij, Fatos Ferracaku, i cili u qëllua teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.

Më 30 mars të vitit 2019 një vrasje e dyfishtë në lagjen “Guerrile” trondit sërish Shkodrën. Ekzekutohen dy vëllezër, Astrit dhe Brahim Bilali, 59 e 61 vjeç. Ngjarja u konsiderua si vazhdim i sagës së përgjakshme mes dy fiseve Bajri e Lici. Kjo për faktin se ata ishin babai e xhaxhai i Astmer Bilalit, që në atë kohë ndodhej prej 8 muajsh në qeli, i akuzuar si pjesë e grupit Bajri.

Astrit Bilali, babai i Astmerit, ka qenë në një lokal të lagjes, nga ku është ngritur për të takuar te dera e shtëpisë së tij të vëllain, Brahimin. Dyshohet se në kohën që Brahim Bilali po priste vëllain e tij te dera e shtëpisë, një mjet tip “Mercedes benz” është ndalur aty në afërsi, duke pritur që dy vëllezërit të bëhen bashkë. Në kohën kur vëllezërit Bilali janë takuar me njëri-tjetrin, kanë vërshuar plumbat e automatikut, ndërsa dyshohet se është qëlluar edhe nga një armë tjetër. Policia dyshon se janë dy autorë që kanë qëlluar në drejtim të vëllezërve Bilali, të cilët kanë qenë të maskuar në mënyrë që askush të mos i identifikojë.

Për t’u dhënë lamtumirën e fundit, Astmer Bilali përfitoi një leje nga burgu dhe nën masa të rrepta sigurie shkoi në ceremoninë e varrimit.

Një muaj pas ngjarjes u arrestuan 2 persona të dyshuar si autorë, Arsen Stojku dhe Mislim Rama, ndërsa u shpall në kërkim Ibrahim Lici dhe Denis Brahimin. Por akuzat nisën të zbuten rrugës dhe në përfundim u dënua vetëm 2 persona. Arsen Stojku, me 6 vite burg. Sipas Gjykatës, provohej se Stojku, kishte marrë me qira një automjet, të cilin e ka përdorur më pas në largimin e dy autorëve. Por nuk provohej që kishte marrë pjesë në vrasje. Për të njëjtën vepër penale që u dënua Stojku, gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën, ndërsa shpalli të pafajshëm mikun e tij, Denis Brahimi. Ndërkohë Ibrahim Lici, personi të cilin Policia e Shkodrës e shpalli në kërkim, u përjashtua nga kjo ngjarje dhe nuk pati më asnjë akuzë për krimin.

Mbrëmjen e 15 majit të vitit 2021, Endri Mustafa u largua nga shtëpia dhe u gjet i vrarë dy ditë më pas në zonën e Livadheve në Shkodër. Zhdukja e tij u denoncua pas 24 orësh nga e shoqja, Ingrid Mustafa. Në vijim ka filluar kontrolli i zonës tek “Livadhet” në lagjen “Guerrile”, pranë bregut të liqenit të Shkodrës, në kanalet që lidhin këtë liqen me tokat pranë tij. Rreth orës 10:00 të datës 17 maj 2021 është gjetur trupi i pajetë i Endri Mustafa, i vrarë me armë zjarri. Ai është konstatuar i shtrirë në tokë, me dëmtime në kokë e trup. Personi i fundit që kishte takuar Mustafa para se të zhdukej, ishte 15-vjeçari Ergys Malja. Ai është shoqëruar i pari në praninë e prindërve për t’u marrë në pyetje. Ndërsa më pas është arrestruar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Endri Mustafa.

I mituri ka pretenduar në dëshminë e tij, dhënë për Policinë, se personi që e ka vrarë Endri Mustafën është Ibrahim Lici. Policia zhvilloi kontrolle për të shoqëruar Licin, por ai nuk u gjet asnjëherë. Për ngjarjen pati edhe një tjetër të arrestuar, Edison Arrazi, por më pas akuzat ndaj tij ranë dhe u mbajt pak kohë në qeli vetëm për hashash. Edhe pse familja e viktimës e akuzonte vazhdimisht për ngjarjen. Megjithatë Prokuroria e Shkodrës mbylli hetimet në mars të vitit 2023 dhe Ibrahim Lici u akuzua zyrtarisht për vrasje. Për këtë ngjarje ai vijon të jetë person në kërkim.

30 tetor 2024

Pasditen e 30 tetorit 2024, Shkodra u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, që shkaktoi 4 viktima. Një makinë tip “Benz” me xhama të zinj, e drejtuar nga Hamza Lici, me pasagjer Arlind Bushatin, që udhëtonte drejt rrugës nacionale Shkodër-Koplik, në lagjen Dobraç, u sharrua nga plumbat. Nga pas, i ndiqte një fuoristradë “Land Rover”, ku mendohet se ndodheshin 3 persona. Sapo u ndodhën paralelisht, nga fuoristrada drejt makinës që drejtohej nga 23-vjecari Lici nisi një breshëri kallashnikovi.

Të shtënat vijuan pa u ndalur përgjatë 300 metrave në ecje e sipër derisa shoferi humbi vetëdijen dhe makina u përplas në gjendje të lirë te muri rrethues i një objekti. Hamza Lici, djali i vogël i familjes Lici ndërroi jetë në vend. Pak orë më vonë, humbi jetën në spital edhe miku i tij, 32-vjeçari Arlind Bushati.

Atentati ishte i pamëshirshëm, me objektiv të qartë, eliminimin fizik të personave që ishin në makinën “Benz”. Drejtuesi i “Land Rover”-it dhe dy qitësit nuk morën parasysh as qytetarët e rastësishëm në vendngjarje. Të gjendur në vendin dhe kohën e gabuar, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, që po udhëtonin në atë moment me motor, humbën jetën në atë ngjarje. Automjeti që drejtonte Hamza Lici, humbi kontrollin pas breshërisë së plumbave dhe përplasi motorin e çiftit Basha. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa Bashkimi u plagos rëndë në kokë, duke ndërruar jetë më vonë në spitalin e Shkodrës. Ata ishin viktima të pafajshme që nuk kishin asnjë lodhje me atentatorët dhe objektivin e tyre.

Dosja e ngjarjes që mori emrin Masakra e Dobraçit, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por më 11 shtator, organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe çështja tashmë është në duart e SPAK, pasi ka dyshime se vrasja e 4-fishtë është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.

Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Burimet konfirmuan se ky person ishte pikërisht Ibrahim Lici, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer ilegalisht në Shqipëri. Ai supozohej të ishte në Turqi, nën masën e “arrestit të shtëpisë”, ku ishte në pritje të ekstradimit, duke qenë person i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, as efektivët e Shqiponjave që ndodheshin shumë pranë tij në vendngjarje, nuk arritën të vepronin. Veprim që në fakt u kushtoi prangat 4 efektivëve, të cilët më vonë u liruan nga Gjykata.

Disa javë pas atentatit, kur dosja ishte në duart e SPAK, prokurorët e Posaçëm, i kërkuan Gjykatës leje për të ushtruar kontroll në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri, të njohur për hasmërinë me familjen Lici. Një operacion i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 dhjetor 2024, solli rrethimin e Shkodrës nga forcat speciale RENEA, që kryen veprime në zbatim të urdhrit të SPAK. Kontrolle u kryen edhe në Kiras, ku jeton familja Lici, por edhe në disa zona përreth. Megjithatë operacioni u mbyll me sekuestrimin e 5 automjeteve, një e blinduar me targa ruse, si dhe një shumë parash e disa telefona. Safet Bajri u shoqërua dhe u la i lirë pak më vonë e po ashtu edhe disa persona të tjerë. Ndërsa askush nuk ra në gjurmët e Ibrahim Licit. Megjithëse burimet thonë se shumë shpejt do të ketë emra konkret personash të akuzuar për “Masakrën e Dobraçit”, viti 2024 u mbyll pa ndonjë të arrestuar.

Kjo ngjarje po hetohet bashkë me dy procedime të tjera që duket se SPAK do i bashkojë në një të vetëm. Fillimisht, në Policinë e Shkodrës, më 22 janar 2025 u vetëdorëzuan dy persona. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët njihen në Shkodër si persona pranë fisit Bajri. Të shoqëruar nga avokati Sokol Tahiri, ata u paraqitën në Drejtorinë e Policisë, pasi ndaj tyre kishte një masë sigurie “arrest me burg” nga Prokuroria e Shkodrës, për plagosjen e Vladimir Bruçit. Më 3 qershor të vitit 2024, pesë persona dhunuan me sende të forta Vladimir Bruçin, për një vend parkim, në mes të ditës në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, më 4 qershor 2024, policia arrestoi edhe Edmond Sakicën, ndërsa në kërkim rezultojnë ende Samet Halluni, Arlind Kajoshi dhe Alban Bruçi.

Favoret e drejtësisë

Ngjarja e rëndë që ndodhi në Shkodër më 8 shtator 2025, u realizua nga Ragip Gila, i cili paraditen e 11 shtatorit u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Shkodrës, që vendosi ta lërë në burg. Fakti që Gila, ndonëse kishte si objektiv Erogen Vason, ekzekutoi 2 persona të tjerë, tregon se në fakt ai nuk ishte një vrasës profesionist. Megjithatë rezulton një person me të shkuara kriminale, që duhej të ishte pas hekurave, nëse drejtësia nuk do i kishte krijuar lehtësirat që e liruan nga burgu. Në fakt ky nuk është rasti i parë që gjykatat me vendimet e tyre i hapin rrugë personave që janë në shërbim të grupeve kriminale, duke u bërë shkak për krime të rënda që ndodhin më pas.

Në bisedat e përftuara  nga aplikacionet “EncroChat” dhe “SKY”, ish-prokurori i Shkodrës dhe Kukësit, Xhevahit Lita, pjesë e dosjes “Metamorfoza”, së bashku me 2 oficerë Policie rezultojnë se favorizojnë Eljon Haton, Shkëlzen Xhenjen dhe Arsad Bashlin për të mos u marrë të pandehur për ngjarjen e vitit 2021. Madje, prokurori dhe 2 punonjësit e policisë do shpërbleheshin për “punën” e bërë me 55 mijë euro, 50 mijë euro për Litën dhe 5 mijë euro për efektivët. Në dosje del në dritë fakti se 2 oficerët kanë hequr nga fashikulli i çështjes hetimore të atentatit ndaj Taulant Pepës dhe Kolec Markut një përgjim të Pepës, që përmend Bardhyl Mavrajn, i cili është vëllai i Safet Bajrit.

Pra, duket ashtu si grupi “Bajri” edhe rivalët e tyre “Lictë”, kanë lidhjet e tyre në struktura të caktuara, qoftë edhe në ato të drejtësisë, që herë pas here krijojnë lehtësira, duke u vënë në një farë formë në shërbim të tyre.

Autori i vrasjes së dyfishtë në Shkodër dhe plagosjes së dy të tjerëve, Ragip Gila kishte vetëm 6 muaj që kishte lenë qelinë. Sipas vendimit të marrë më 4 mars 2025 nga gjyqtari Albert Keraj, Gila është dënuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, me 5 vite burgim pasi në banesën e tij gjatë një kontrolli të policisë u gjet një sasi prej 1.3 kilogramë kanabis.

Gjatë kontrollit u gjetën edhe municione si dhe disa jelekë antiplumb, maska silikoni, etj, por në fund Gila u shpall fajtor vetëm për trafikim të lëndëve narkotike, por për shkak se 29-vjeçarit iu pranua gjykimi i shkurtuar ai u dënua me 3 vite e 4 muaj heqje lirie dhe këtë dënim Gjykata ia pezulloi për ta vendosur në 5 vite shërbim prove me kushtin që gjatë kësaj periudhe të mos shoqërohet me persona me precedentë penale dhe te mos kryejë asnjë vepre penale.

Sipas vendimit të Gjykatës autori ka pranuar fajësinë dhe ka shfaqur pendesë përballë trupit gjykues dhe në të njëjtën kohë rezulton person pa precedent të mëparshëm penal. Po kështu përmes avokatit të tij mbrojtës ai ka dorëzuar një raport mjekoligjor ku i duhej të kujdesej për babanë e tij që vuan nga diabeti dhe qëndron në regjim shtrati. Për këtë gjykata urdhëroi pezullimin e dënimit me burg dhe lirimin nga qelia të Gilës.

Favoret ndaj eksponentëve të ndryshëm të krimit ndodh që sjellin krime të rënda. Ashtu siç ishte “masakra e Dobraçit”, e ndodhur më 30 tetor 2024 e që duket se u pasua me një tjetër masakër, si ajo e 8 shtatorit 2025.

Pas arrestimit të Safet Bajrit më 21 shkurt 2025, për të cilin tashmë ka një akuzë zyrtare për vrasjen e Fatbardh Licit, rivaliteti mes dy familjeve duket se është vulosur një herë e mirë. Sfida e drejtësisë tashmë është arrestimi i Ibrahim Licit, që të paktën pas “masakrës së Dobraçit” u konfirmua prezenca e tij, në Shkodër, edhe pse askush nuk e tha zyrtarisht. Madje duket se i gjithë organizimi i 30 tetorit 2024, ishte për të realizuar vrasjen e tij. E për aq kohë sa një krim nuk ndëshkohet, krimet e tjera që e pasojën duket se janë të pritshme. Shkodra ka qenë e gjunjëzuar para këtyre personazheve që për vite me radhë kanë sfiduar institucionet e drejtësisë e Policisë, herë me para, herë me presione e herë me lidhjet që ata kishin. Qytetarët mund të marrin frymë lirisht vetëm atëherë kur “lufta” mes dy fiseve që kanë dominuar Shkodrën të marrë fund një herë e mirë. E kjo është vetëm në dorën e drejtësisë. Pasi vetë ata, duket se asnjëherë nuk e kanë menduar paqen. E kjo u dëshmua edhe një herë tjetër më 8 shtator 2025 në zemër të qytetit.

/Emisioni “Gjërat Tona”

Etiketa: BajratBajriDenis BrajovicErogen BrajoviçErogen VasoIbrahim LicilicetLiciRagip Gila

Lajme të lidhura

AKTUALITET

“Nuk dal nga kulla jeme”/ Mustafa Lici u mor në pyetje në shtëpi, e motra përmes “Whats App-it”

19:10 : 14/09/2025
AKTUALITET

Masakra me dy të vra*ë në Shkodër, Ragip Gila izolohet në burgun 302 në Tiranë

20:26 : 13/09/2025
AKTUALITET

Masakra e Shkodrës u urdhërua nga një grup kriminal? Merret në pyetje Mustafa Lici, ja dëshmia e tij

13:24 : 12/09/2025
AKTUALITET

Vrau 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë, lihet në burg Ragip Gila

10:56 : 11/09/2025
Në foto: Ragip Gila, autori i dyshuar i vrasjes së dy personave dhe plagosjes së dy të tjerëve në Shkodër
AKTUALITET

V*au 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë në Shkodër, mbërrin në Gjykatë Ragip Gila

09:07 : 11/09/2025
AKTUALITET

I shpëtoi atentatit, por iu vranë dy miqtë, shënjestra e masakrës: Ika me vrap, më ndoqi me a*më…

13:12 : 10/09/2025
Para

Ndalohet në plazhe, bare e restorante/ Spanja kufizon duhanin në hapësirat publike

TË GJITHA

Horoskopi, e hënë, 15 Shtator 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

23:00 : 14/09/2025

Myftiu i Shkodrës: Të futet edukata fetare si lëndë në shkolla, të mësojmë për Zotin

22:52 : 14/09/2025

Presidenti i Brazilit i përgjigjet Trumpit: Dënimi i Bolsonaros nuk është gjueti shtrigash

22:39 : 14/09/2025

Përfshihet nga zjarri një makinë në Ksamil (VIDEO)

22:24 : 14/09/2025

Polonia miraton dislokimin e forcave të NATO-s në territorin e saj

22:10 : 14/09/2025

“Ndodhi në oborrin e pallatit tim”/ Aktorja Rita Gjeka flet për atentatin në Shkodër: Jam dridhur 2 ditë

21:56 : 14/09/2025

Protesta masive në Ankara kundër gjyqit ndaj opozitës

21:45 : 14/09/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com