Për tre sezone me radhë Piranjat kanë denoncuar një nga aferat më të mëdha që ndodhi gjatë krizës së energjisë elektrike. Bëhet fjalë për dy anijet me Tec të ankoruara në gjirin e Vlorës të cilat u kontraktuan nga Korporata Elektroenergjitke Shqiptare në pranverën e vitit 2022 me synim sigurimin e energjisë elektrike.
Procedura e marrjes së anijeve jo vetëm që ishte emergjente, por u konstatua dhe një listë e gjatë me shkelje. KESH u ngarkua me një vendim nga Këshilli i Ministrave për të marrë asete gjeneruese termike me qëllim prodhimin e energjisë elektrike. Procedura e garës ishte emergjente duke i lënë shumë pak ditë kompanive private për të hartuar dokumentacion e për të paraqitur oferta. Por edhe pse ligji kërkon 10 ditë kohë për të shpallur thirrjen dhe për të pritur shprehjen e interest nga kompani, KESH la vetëm 3 ditë kohë. Nga dy firma që dhanë një ofertë, pranohet ajo e konsorciumit mes Exelerate Energy dhe Renco. Kontrata mes KESH dhe Excelerate Energy u negociua në mars 2022 dhe u firmos një muaj më pas, por pa lanë datë dorëzimi.
Një tender emergjent që i le në dorë kompanive private të sjellin mallin që kërkohet kur duan ato? Kështu ndodhi në fakt, astetet e prodhimit të energjisë elektrike mbërritën pasi çmimet e energjisë u normalizuan dhe u vendosën në punë pasi kriza kishte 1 vit e gjysmë që kishte përfunduar. Kontrata që kompania Excelerate Energy lidhi me KESH në prill të vitit 2022 shërbeu si kolateral për të marrë kredi bankare e për të blerë më pas anijet me Tec në Bangaladesh. Dy tecet kushtuan 15 milion dollarë, tre herë me lirë kosto që do të paguajë KESH për qiranë dy vjeçare. Për qiranë do të jepen 46 milion dollarë, ndërsa për operimin e tyre do të paguhen 22.5 milion dollarë. Një absurditet logjik që do të ishte çmenduri jo vetëm për ekonomistët, por dhe për ata që dinë aritmetikën e thjeshtë.
Jo vetëm kaq, por ndotja mjedisore që i shkaktohet zonës së mbrojtur në gjirin e Vlorës është kolosale pasi tecet kur punojnë me kapacitet të plotë djegin 500 ton mazut në ditë.
Ndërsa ajo që e vulos këtë histori si abuzim është një auditim që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit për performancën e kësaj kontrate, ku rezulton se kosto për energjinë e prodhuar nga anijet me Tec është më e lartë, nëse ajo do të blihej në treg të lire. Çmimi mesatar i energjisë elektrike në bursën hungareze Hupex për vitin 2025 është 118 euro për megavat orë, ndërsa sipas llogarive që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit, nëse e njëjta sasi do të prodhohej nga termcentralet lundruese, kosto e prodhimit të energjisë do të dilte 268 euro për megavat orë. Por duke qënë se anijet janë marrë në dorëzim nga KESH dhe që prej datës 13 shtator 2024 janë vënë në operim, le të shohim se sa rezulton kosto e prodhimit të energjisë elektrike.
Sipas një përgjigje të mbërritur nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare pas kërkesës tonë për informacion, anijet termike janë vënë në punë për rreth 1 vit, që nga 13 shtatori i vitit të shkuar dhe kanë prodhuar 71,684 megavat orë energji elektrike. Për të marrë këtë sasi prodhimi energjie, KESH ka paguar 28.66 milion dollarë për kompaninë Excelerate-Renco FPB si qira për asetet gjeneruese dhe 11.4 milion dollarë për kompaninë Renco për shërbimin e operimit dhe mirëmbajtjes së Teceve. Pra në total 40 milion dollarë ose 34 milion euro!
Por këto nuk janë pagesat e vetme. KESH ka lidhur dy kontrata për furnizimin me lëndë djegëse, njërën me vlerë 3 milion euro me firmën Europetrol Durrës dhe tjetrën me Emad Energy me vlerë 12.1 milion euro. Në total shpenzimet e KESh për të prodhuar 71,684 megavat orë energji elektrike kapin vlerën 49.1 milion euro. Këtu pa llogaritur kosto të tjera që janë paguar për vënien në punë të tyre: 1.7 milion euro për sigurimin e tyre, 460 mijë euro për zhdoganimin, 1.7 milion euro për vajin lubrifikues dhe 7.2 milion euro për qiranë e depozitimit të lëndës djegëse. Por sikur të mos i llogaritim fare shpenzimet dytësore, na rezulton se KESH ka paguar 685 euro për të prodhuar 1 megavat orë energji elektrike, kur çmimi mesatar i energjisë elektrike në bursa nga shtatori 2024 deri në fund të qershorit ka qënë 118 euro për megavat orë.
Pra, kosto e kësaj energjie na ka kushtuar 5.8 herë më shumë duke shkaktuar një dëm ekonomik të drejtpërdrejtë në buxhetin e KESH! Kjo kosto është 2.5 herë më e lartë dhe se çmimi që llogariti KLSH në raportin e auditimit të kësaj kontrate. Por le të vazhdojmë!
Në kontratën që KESH ka lidhur me kompanitë Excelerate Global Operations dheRenco S.P.A përcaktohet se përgjatë 24 muajve Korporata Elektroenergjitike do të paguajë në total 45 milion dollarë për kompaninë Excelerate dhe 22.5 milion dollarë për Renco. Kjo i korrespodon një shume prej 63 mijë dollarë në ditë për dy vjet për Excelerate dhe 31,5 mijë dollarë në ditë për Renco. Por nga informacioni që vetë KESH na vënë dispozcion, rezulton se pa u mbushur ende viti I parë, kompanisë amerikane Excelerate i është derdhur gjysma e shumës. Nga data 17 gusht 2024 që asetet gjeneruese termike janë marrë në dorëzim dhe deri më 4 shtator është mbushur 1 vit ose 382 ditë. Nëse pjestojmë 28.66 milion dollarë që ka derdhur KESH për kompaninë Excelerate – Renco me ditët e marrjes në dorëzim, na rezulton se qiraja ditore e paguar është 75 mijë dollarë, pra 12 mijë dollar më shumë në ditë.
Shkelje pas shkelje të cilat vetëm thellohen. Por mbase drejtësia është në kohën e duhur për të shpëtuar gjysmat e parave që kanë mbetur pa iu derdhur kësaj kompanie offshore, që u pasurua në krizë, kur ne shqiptarët u varfëruam./Piranjat