Autoritetet greke kanë marrë nën hetim shoferin bullgar të kamionit që u përplas me mjetin ku humbën jetën tre shqiptarët në mënyrë tragjike. Shoferi, 59-vjeçar, ndodhet ende në spital për ndihmë mjekësore dhe i janë komunikuar akuzat: “vrasje nga pakujdesia”, “dëmtim i rrezikshëm nga pakujdesia” dhe “drejtim i rrezikshëm i mjetit”.
Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ai do të paraqitet para gjyqtarit hetues për të dhënë dëshmi mbi rrethanat e aksidentit.
Ngjarja tragjike ndodhi mesditën e së hënës, më 18 gusht, në autostradën Egnatia. Automjeti ku ndodheshin viktimat u përplas dhe më pas u përfshi nga flakët, duke i marrë jetën tre shqiptarëve dhe duke plagosur një të katërt.
Ekspertiza mjeko-ligjore, tregoi se trupat e viktimave, Viktor Bushi, Klarenc Kacaj dhe Marianka Bushi (Aliraj), kishin dëmtime të rënda në kokë, kraharor dhe bark, përfshirë fraktura të shumta në brinjë dhe çarje të organeve të brendshme. Sipas mjekut ligjor, viktimat humbën vetëdijen pas plagëve të marra dhe vdekja e tyre u shkaktua kryesisht nga flakët që përpinë mjetin, jo nga goditjet.
Një tjetër person, Magdalena Kacaj, mbeti e plagosur dhe po merr ndihmë mjekësore në spital.