Është zbuluar një banesë në Yzberisht e kthyer në një laborator droge, ku lëndët narkotike përpuheshin dhe përgatiteshin në forma të ndryshme për shitje në zonë.
Pronari i banesës, 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi, u arrestua pasi dyshohet se siguronte sasi të mëdha kanabisi dhe kokainë dhe i shpërndante për shitje.
Sipas informacioneve, Krrashi nuk ka precedentë penalë. Ai furnizohej me kanabis dhe vaj nga Maqedonia e Veriut, ndërsa kokainën e shiste me doza të vogla, ndërsa kanabisin dhe vajin i shiste me shumicë.
Gjatë kontrollit në banesën e kthyer në laborator droge në Yzberisht, policia ka sekuestruar rreth 17 kilogramë kanabis të përgatitur në formë çokollate dhe të ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj kanabisi, që kapnin vlerën rreth 500 mijë euro, si dhe rreth 65 gramë kokainë.
Përveç lëndëve narkotike, në banesë u gjetën dhe dy armë, një pistoletë dhe një armë gjahu, që dyshohet se përdorej për mbrojtjen e laboratorit dhe aktivitetit kriminal.
Njoftimi i policisë
Zbulohet në Yzberisht, një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike Kanabis dhe Kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen.Sekuestrohen nga banesa rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë) dhe 22.5 litra vaj Kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro, një sasi Kokaine, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Arrestohet në flagrancë pronari i banesës.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.
Pamjet
VIDEO/ Laborator droge në Yzberisht, arrestohet pronari, sekuestrohen armë, kanabis dhe kokainë