• Kontakt
Tuesday, August 19, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi RAJONI

Dëbimi i serbëve nga banesat në veri: Cila është e vërteta?

20:35 : 19/08/2025
në RAJONI

Një banesë, dy pronarë, para dhe pas luftës në Kosovë. Raste të tilla ka me dhjetëra në Mitrovicë të Veriut – pjesa veriore e Kosovës dhe gati në të gjitha njëri prej pronarëve është shqiptar dhe tjetri serb.

Ato janë kryesisht banesa që ndërmarrja shoqërore Trepça ua ka ndarë punëtorëve të saj nga radhët e komunitetit shqiptar, në vitet ‘80 dhe ‘90.

Por, pas përfundimit të luftës më 1999, një numër i madh i familjeve shqiptare që kanë jetuar në veri të Kosovës, ku serbët kanë qenë shumicë, i kanë lënë shtëpitë e tyre për arsye të sigurisë.

Kështu, disa persona thuhet se kanë humbur të drejtën e banimit në pronat e ndërmarrjeve shoqërore dhe, për të njëjtat prona, institucionet e kontrolluara nga Serbia u kanë dhënë vendime për përdorim qytetarëve të komunitetit serb.

Pronarët e rinj nga komuniteti serb pretendojnë se, ndërkohë, i kanë blerë ato, por ish-pronarët shqiptarë tani i kërkojnë të njëjtat.

Lexo edhe:

Ndezi zjarr në tokën e tij dhe rrezikoi banesat e fshatit, arrestohet 65-vjeçari në Berat

Aleanca e Profesionistëve të Lirë: Të hiqet tatimi me 15% për shitjen e banesës kryesore

Disa janë të zemëruar sepse, siç thonë, i kanë humbur shtëpitë, ndërsa të tjerë janë të lumtur që kanë arritur t’i rikthejnë pas 26 vjetësh.

Të dyja palët pretendojnë se kanë vendime pronësie.

Megjithatë, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës – e cila merret me pronat e uzurpuara pas luftës në Kosovë – nuk i njeh vendimet që posedojnë pronarët nga komuniteti serb.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, i cili pas luftës ka krijuar një administratë të përkohshme, ka miratuar një rregullore, sipas së cilës çdo person që ka humbur të drejtën mbi pronën në periudhën nga 23 marsi 1989 deri më 24 mars 1999, për shkak të diskriminimit, ka të drejtë të kërkojë kompensim.

“Kompensimi mund të bëhet në formën e rikthimit të së drejtës pronësore ose si kompensim financiar”, thuhet në atë rregullore.

Sipas ligjeve në Serbi, e drejta e banimit në pronat e ndërmarrjeve shoqërore humbet, nëse përdoruesi nuk banon në banesë për më shumë se gjashtë muaj pa një arsye të justifikuar.

Zoran Janaçkoviq ka jetuar në banesën e tij në Mitrovicë të Veriut – të cilën prindërit e tij e kanë fituar në vitin 1999 dhe më pas e kanë blerë nga Trepça – deri më 6 gusht të këtij viti.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, në fund të viteve ‘80, Trepça ka bërë shkëmbime banesash me një kompani tjetër dhe se banesa në Mitrovicë të Veriut atëkohë i është dhënë një shqiptari, i cili ka banuar aty deri në fund të viteve ‘90.

Ai shton se pronari i banesës ka vdekur ndërkohë dhe se, sipas ligjit të asaj kohe, Trepça e ka rikthyer pronën nën zotërimin e vet dhe më pas ia ka ndarë babait të tij.

Megjithatë, familja Janaçkoviq nuk ka mundur të zhvendoset në atë banesë që nga viti 2007, sepse, sipas Zoranit, ajo është uzurpuar nga një serb.

Në të njëjtën kohë, procedura për lirimin e saj ka ndërmarrë edhe familja e një shqiptari që ka jetuar aty deri në fund të viteve ‘90.

“Atëherë, Habitat-i [program i Kombeve të Bashkuara] ka vendosur që kjo banesë është e tyre, pa e ditur që edhe ne ekzistojmë dhe kemi vendimin tonë. Ndërkohë, ne kemi dashur që ta largonim ligjërisht këtë serb që ka uzurpuar banesën, ndaj kemi shkuar tek administrata e UNMIK-ut për të legalizuar në sistemin e Kosovës vendimin dhe kontratën e blerjes që kemi pasur me Trepçën”, rrëfen Janaçkoviq, duke shtuar se me konfirmimet e marra nga sistemi i Kosovës, kanë arritur ta nxjerrin jashtë personin që ka uzurpuar banesën e tyre.

Zoran Janaçkoviq thotë se deri vitin e kaluar, askush nuk e ka informuar se dikush po e kërkonte banesën e tij.

Kur familja e tij ka paraqitur dokumentet që tregonin se banesa i takonte asaj, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës i ka thënë se ato dokumente nuk njihen, sepse janë lëshuar nga “institucionet paralele” serbe.

Kosova i konsideron të gjitha institucionet që funksionojnë brenda sistemit serb në Kosovë si paralele dhe ilegale.

“Unë u kam thënë se si mund të mos vlejnë institucionet e UNMIK-ut, pasi ato, atëkohë, kanë qenë të vetmet të vlefshme si për ju, ashtu edhe për ne. Ata më kanë thënë: ‘Jo, ne nuk njohim asgjë para 2008-ës’ – kohë kur e kanë shpallur pavarësinë e tyre. Ata konsiderojnë se banesa tani është në pronësi të shqiptarit dhe se ai ka më shumë të drejta se unë, edhe pse unë kam vendim si në sistemin serb, ashtu edhe në atë të Kosovës”, thotë Janaçkoviq.

Janaçkoviq tregon se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – i ka gjetur familjes së tij strehim të përkohshëm, por shton se nuk do të heqë dorë nga banesa që është dashur ta lirojë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të kontaktojë me personin që ka kërkuar dhe konfirmuar pronësinë mbi banesën ku ka banuar familja Janaçkoviq.

Megjithatë, REL-i ka biseduar me familjen Shipoli, e cila pas 26 vjetësh ka arritur ta rikthejë banesën e saj në Mitrovicën e Veriut, në të cilën ka jetuar një tjetër familje serbe – Janiqijeviq.

Edhe në këtë rast, dy veta pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të banesës.

Familja Janiqijeviq është dëbuar prej saj me ndihmën e policisë, më 23 korrik.

“Ne e kemi blerë banesën dhe kemi banuar aty. Pronari i ardhshëm nuk ka jetuar në banesë, ua ka dhënë me qira personave të tjerë dhe e ka humbur të drejtën e banimit. Tani, papritmas, ne po dalim nga banesa dhe ai po kthehet aty”, ka thënë Millojka Janiqijeviq për mediat lokale në gjuhën serbe, gjatë zhvendosjes.

Pronari shqiptar i banesës, Ferki Shipoli, thotë se banesa i është zënë prej vitesh.

Ai thotë se babai i tij e ka fituar atë nga ushtria jugosllave në vitet ‘70, ku ka punuar si bojaxhi.

“Është një ndjesi e mirë kur kthehesh në shtëpinë tënde pas 26 vjetësh. Por, për t’u kthyer, nevojitet një investim i madh, sepse gjithçka është e dëmtuar – që nga dritaret dhe dyert, për të mos përmendur banjën. Në atë banesë nuk ka asgjë nga ajo që ka qenë aty para luftës. Të gjithë fqinjët e tjerë kanë investuar në banesa, përveç kësaj familjeje që nuk ka investuar. Ajo e ka ditur që banesa nuk është e saj”, thotë Shipoli.

Ai, gjithashtu, pretendon se çdo dokumentacion mbi pronësinë e familjes Janiqijeviq, është i falsifikuar.

“Faturat e ujit dhe energjisë elektrike janë në emër të babait tim, Isa Shipoli”, thotë ai.

Përpara se familja Janiqijeviq të largohej nga banesa, ai thotë se ajo i ka kërkuar t’ia jepte me qira, por se ai nuk ka qenë i interesuar.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës thotë se është e detyruar t’i zbatojë vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, dhe se këto vendime nuk i nënshtrohen asnjë rishikimi, në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23.

Ajo thotë se është e detyruar t’ua kthejë pronën paraqitësve të suksesshëm, duke e liruar atë nga shfrytëzuesit e paligjshëm.

Deri më tash, thuhet në përgjigje, “janë liruar 65 prona në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilat, më pas, u janë kthyer pronarëve të ligjshëm”.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës së sigurisë në rajonin e veriut të Mitrovicës, për një kohë të gjatë Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka qenë e kufizuar në zbatimin e vendimeve sipas mandatit të saj në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Megjithatë, ju informojmë se, për të garantuar respektimin e të drejtave pronësore dhe përmbushjen e mandatit të saj ligjor, që nga viti i kaluar Agjencia ka shqyrtuar kërkesat për kthim në posedim për 67 prona në pjesën veriore të Mitrovicës”, thuhet në përgjigje.

Aty, po ashtu, theksohet se janë bërë tentime për të shmangur “masat e detyrueshme ligjore për lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm” dhe se janë bërë përpjekje për lirimin vullnetar.

“Për më tepër, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka zhvilluar takime me kryetarët e komunave përkatëse për të shqyrtuar mundësinë e gjetjes së akomodimit për qytetarët e prekur nga zbatimi i vendimeve të Agjencisë, të cilët potencialisht përbëjnë raste humanitare”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Problemi rreth dëbimit të familjeve serbe që kanë marrë banesa nga Trepça në vitet 1990, është aktualizuar në qershor të vitit të kaluar, kur Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka filluar t’i informojë ata se të njëjtat banesa po kërkohen nga pronarët e mëparshëm nga radhët e komunitetit shqiptar.

Atëkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës po përpiqet të dëbojë rreth njëqind familje serbe nga banesat e tyre dhe se këto janë banesa që janë blerë rreth 20-30 vjet më parë nga Trepça dhe ndërmarrje të tjera shoqërore.

Ai ka vlerësuar se bëhet fjalë për një “vendim politik”, duke e cilësuar atë si “vazhdim të politikës së dëbimit të popullit serb nga Kosova”.

Më 23 korrik të këtij viti, kur familja Janiqijeviq është dëbuar, Petkoviq ka reaguar sërish, duke thënë se shqiptari “ia ka marrë padrejtësisht banesën”.

Ai ka thënë se ky është “terrori” që po ushtron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ata gabojnë nëse mendojnë se serbët do të mbeten pa kulm mbi kokë”, shkroi Petkoviq në rrjetin social X.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës tha se deklaratat e Petkoviqit janë të pavërteta dhe të papranueshme, sepse nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën.

Agjencia theksoi se banesa ku ka qëndruar familja Janiqijeviq është, në fakt, në pronësi të familjes së Ferki Shipolit.

Sipas saj, ky rast është zhvilluar në vitin 2005, “kur është vërtetuar se pala është pronare ligjore e pronës”.

Agjencia sqaroi se zbaton vendimet e institucioneve ligjore dhe shtoi se kthimi i pronave kryhet përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet për çdo uzurpim të paligjshëm, pavarësisht nga etnia apo statusi i palës.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka mandat në të gjithë territorin e Kosovës.

Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo tha se, aktualisht, ka nën administrim 11.224 prona të paluajtshme në të gjithë Kosovën, për të cilat, kur të paraqiten kërkesat, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’ua kthyer pronarëve të ligjshëm.

Në fillim të janarit të vitit 2022, Marija Novakoviq ka rikthyer banesën e saj në Prishtinë me ndihmën e kësaj agjencie dhe të Habitat-it.

Për këtë kthim, ajo ka pritur mbi 20 vjet.

Më herët, në vitin 2021, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka liruar edhe banesën e Dragica Gashiqit në Gjakovë – gjë që ka nxitur kundërshtime të ashpra nga komuniteti lokal shqiptar në atë qytet.

Gashiq, përndryshe, është gruaja e parë serbe që është kthyer në Gjakovë pas luftës në vitin 1999.

Megjithatë, ka edhe raste kur pronarët e kanë provuar pronësinë e tyre në gjykata, por nuk kanë mundur të rikthejnë pronën e tyre.

Në prill të vitit 2024, Radio Evropa e Lirë ka shkruar për Lubisha Ceroviqin nga fshati Bellopojë i Pejës, të cilit i është shitur në mënyrë të paligjshme toka pas luftës, ndërsa ai dhe familja e tij kanë qenë refugjatë në Serbi.

Ai nuk ka arritur ta kthejë këtë tokë as pas vendimeve gjyqësore në favor të tij.

 

Problemi i pronave të uzurpuara përmendet edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2023.

Në këtë raport theksohet, mes tjerash, se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë pohuar se institucionet qeveritare “nuk i kanë zbatuar vendimet e gjykatave në favor të serbëve të Kosovës, sidomos kur bëhej fjalë për mosmarrëveshje pronësore”./REL

Etiketa: banesaserbetshtepiveri

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Ndezi zjarr në tokën e tij dhe rrezikoi banesat e fshatit, arrestohet 65-vjeçari në Berat

10:59 : 16/08/2025
AKTUALITET

Aleanca e Profesionistëve të Lirë: Të hiqet tatimi me 15% për shitjen e banesës kryesore

15:39 : 15/08/2025
AKTUALITET

Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet, juristët: Duhet të përfshihen edhe zjarret e përmbytjet

13:24 : 14/08/2025
AKTUALITET

Zjarri përfshin njësinë administrative të Plashnikut në Poliçan, banorët refuzojnë evakuuimin

18:29 : 13/08/2025
AKTUALITET

Gramsh/ Banorja përplaset me policinë: Erdhët pasi u përvëluam, punova gjithë jetën për atë shtëpi

18:50 : 12/08/2025
AKTUALITET

“Shtëpi e bagëti, mbaruan”/ Gramsh, banorja: Ikën të gjithë, vetëm një të moshuar s’e kemi parë

18:29 : 12/08/2025
Para

SHBA po shqyrton mundësinë e një takimi mes Trump, Putin dhe Zelensky në Budapest

TË GJITHA

Horoskopi, 20 Gusht 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

22:58 : 19/08/2025

Trump: Nëse e ndal luftën Rusi-Ukrainë, do të shkoj në parajsë

22:53 : 19/08/2025

U arrestua pasi u përfshi në një konflikt të dhunshëm, lirohet Meriton Mjekqi

22:49 : 19/08/2025

Skandal në AKU/ Denoncimi: Ish-prokurori Alket Mersini, goditi punonjësen shtazënë

22:37 : 19/08/2025

OSBE i bën thirrje Serbisë të mos përdorë forcë të tepruar policore në protesta

22:06 : 19/08/2025

Moti i keq shkakton probleme në jugun e Italisë, përmbytje në disa zona

21:54 : 19/08/2025

Zjarret/ Eksperti i sigurisë: Dëmet kapin vlerën e 325 milionë eurove! Institucionet s’morën masa

21:33 : 19/08/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com