Në Shqipëri, pas mbylljes së përkohshme të TikTok-ut në mars 2025, për një periudhë 12-mujore, për shkak të shqetësimeve për ndikimin e tij tek të rinjtë, ngjarje të dhunshme mes adoleshentëve vazhdojnë të ndodhin. Një rast i fundit është vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij Enedio Guri në fshatin Pirg të Maliqit, më 14 gusht 2025. Ky incident ka nxitur shqetësime të mëdha për rritjen e dhunës mes të rinjve dhe pasigurinë që ndjejnë ata.
Rritja e dhunës mes adoleshentëve: Një fenomen shqetësues
Vrasja e Erald Xhejos është vetëm një nga shumë raste të dhunës mes adoleshentëve që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit. Në vitin 2024, një tjetër ngjarje tronditëse ishte vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Ky rast ka nxitur qeverinë shqiptare të marrë masa drastike, duke vendosur mbylljen e TikTok-ut për një vit, në përpjekje për të reduktuar ndikimin e mundshëm të platformës tek të rinjtë.
Në vitin 2024, katër të rinj u përfshinë në një ngjarje tragjike në Shkozë, ku pas një sherri mes dy grupeve, 18-vjeçari Aurelio Dervishi u godit me thikë sapo doli nga makina dhe ndërroi jetë rrugës për në spital. Hetimet zbuluan se konflikti kishte nisur për shkak të një vajze të mitur, ndërsa katër autorët vepruan në bashkëpunim, duke përdorur sende të forta dhe armë të mprehta për të sulmuar viktimën.
Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 16 maj 2024 në Gramsh, ku katër të mitur u përballën me drejtësinë për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici, i cili u godit me thikë pranë një shkolle gjatë një përplasjeje mes dy grupeve të rinjsh. Përveç vrasjes, ata akuzohen edhe për tentativë vrasjeje ndaj dy të miturve të tjerë dhe për mbajtje pa leje të armëve të ftohta, duke rrezikuar deri në 15 vite burg.
Si ndodhi vrasja e Erald Xhejos
Ditën e ngjarjes viktima Erald Xhejo, së bashku me një shok kanë shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur në një berberhane e ndodhur në afërsi të lokalit ku ndodhi vrasja. Ata kanë parë autorin duke kaluar me makinë dhe i kanë fishkëllyer me qëllim për t’u sqaruar.
14-vjeçari ka ndaluar mjetin, ka dalë nga makina dhe dy të miturit kanë nisur të debatojnë, ndërkohë që Enedio Guri ka nxjerrë thikën. Viktima Erald Xhejo, në këto kushte, ka marrë një karrige nga oborri i lokalit për tu vetëmbrojtur duke e vendosur përpara trupit, por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori në atë moment e ka goditur me thikë.
Burime bëjnë me dije se 14-vjeçari Enedio Guri e ka goditur vetëm një herë të vetme me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, por kaq ka mjaftuar që të rezultojë fatale për të. I mituri u dërgua me urgjencë në spitalin e Korçës, por nuk arriti dot të mbijetonte.
Po të njëjta burime konfirmojnë se e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, duke çuar edhe në zbardhjen e dinamikës së krimit.
Arrestimet
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Policia e Korçës arrestoi autorin e dyshuar Enedio Guri, 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Sipas autoriteteve, pas kryerjes së krimit, ai tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet.
Në pranga u vu edhe 34-vjeçari Flori Çela nga fshati Leminot, i cili ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes me të njëjtin automjet me 14-vjeçarin. Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Policia e Korçës arrestoi edhe babain dhe xhaxhain e autorit 14-vjeçar, shtetasit Edison Guri, 44 vjeç dhe Roland Guri, 44 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Dyshohet se xhaxhai Roland Guri, pas krimiit të nipit të tij, mori thikën, e lau për t’i fshirë gjurmët e gjakut dhe e fsheu, ndërsa babai tentoi të fshinte të miturin.
Po ashtu, autoritetet policore në Korçë arrestuan edhe 4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, të cilët akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Sipas Policisë, 4 të miturit, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas fotove të publikuara nga mediat, shihet se autori i dyshuar i vrasjes së 14 vjeçarit pozon me një armë gjahu çifte dhe sipër fotos vendos një mbishkrim duke u shprehur se “Mos më kërko, unë nuk vij.” “Por shfaqem ty s’ta pret mendja”. Në krah ai mban dhe tatuazh një kallashnikov.
Dëshmia e Eneido Gurit
Gjykata ka vendosur të lërë në burg autorin e mitur të vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo, së bashku me babain dhe xhaxhain e tij.
Enedio Guri, gjatë seancës deklaroi pendesën e tij: “Nuk kam dashur të bëj vrasje. Ishte grindje e çastit. Jam shumë i penduar dhe shpreh ngushëllime për familjen e Eraldit”, tha ai para togave të zeza./Boldnews.al