Zjarret prej disa javësh vazhdojnë të djegin me qindra hektarë me pyje, kullota, vreshtari, parqe kombëtare e në disa raste edhe shtëpi nga jugu e deri në veri të Shqipërisë.
Zjarret që kanë përfshirë zonat rurale të Gramshit kanë marrë përmasa të mëdha ditën e sotme, duke shkaktuar pasoja tragjike në njerëz dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë djegur nga flakët dhe ndodhen në gjendje të rëndë. Raportohet se ata kanë pësuar djegie gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesat dhe bagëtitë.
Policia bën të ditur se, rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.
“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit.”– njofton policia.
Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencës e kanë të pamundur të ndërhyjnë në të gjitha vatrat për shkak të tymit të dendur dhe flakëve të fuqishme që përparojnë me shpejtësi.
Evakuimet vijojnë në fshatra si Skënderbegas, Kullollas, Bletëz, Mukaj, Kukur dhe Sojnik, ndërkohë që shumë banorë, të kapluar nga paniku dhe dëshpërimi, refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre, edhe pse ndodhen në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
- Shqipëria digjet, qeveria pushon
Siç tashmë prej vitesh e dimë, në Shqipëri zjarret nuk janë fatkeqësi natyrore, por krizë e përsëritur.
Kryetarët e njësive administrative dhe autoritetet vendore po bëjnë thirrje për ndihmë të menjëhershme dhe mobilizim të burimeve shtesë nga qeveria dhe strukturat qendrore për të shmangur thellimin e tragjedisë në Gramsh, por askush nuk po i dëgjon.
Shërbimet zjarrfikëse po përballen me pajisje dhe një flotë automjetesh tejet të vjetruara, duke nxjerrë në pah një problem të gjerë të mungesës së investimeve në infrastrukturën e emergjencave civile. Ashtu si çdo vit, sërish po trokasim tek shtetet fqinje që të na ndihmojnë me avionë për të bërë të mundur shuarjen e zjarreve, të cilët dalin jashtë kontrollit.
Kryeminsitri Edi Rama, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Belinda Balluku e Infrastrukturës duket se nuk e prishin aspak terezinë e tyre përsa kohë vetë nuk rrezikojnë të digjen, ndërsa shqiptarët… le ti marrë djalli.
Ndërkohë raportohet se në vendngjarje kanë shkuar ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, por si duket po presin ndihmë nga shtetet fqinje, pasi vetë nuk kanë asgjë në dorë duke qenë se qeveria jonë preferon të mos investojë. Siç duket, Pirro Vengu ka shkuar sa për prezencë!
- Vatrat aktive në të gjithë vendin:
Qarku Vlorë
– Në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë aktive dhe problematike, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 ndër të cilat janë të FA dhe rreth 90 forca operacionale, mbçshterur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga 1 helikopter Black hawk i Forcës Ajrore.
– Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
Qarku Dibër
– Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.
– Në fshatin Xibër, bashkia Klos vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.
Qarku Berat
– Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit, duke iu afruar qytetit pranë Azilit të të Moshuarve.
– Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore.
– Në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.
Qarku Tiranë
– Vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
– Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
– Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
– Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.
– Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhawk të Emirateve të Bshkuara Arabe.
– Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.
Qarku Durrës
– Në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.
Qarku Gjirokastër
– Në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna, të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.
Qarku Elbasan
– Në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan të MZSH Gramsh të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.
Qarku Shkodër
– Është aktivizuar vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë, vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.
Qarku Kukës
– Është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.
Në bashkinë Kukës, një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri vazhdon të jetë në monitorim.
Qarku Korçë
– Në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.
Sa u përket zjarreve në pyje, pritet nivel rrezik I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).