Nga Boldnews.al
Kapiteni rus i anijes me flamur liberian, Alexey Smaznov, mbyll përfundimisht hesapet me drejtësinë shqiptare në favor të tij. I arrestuar në mars të vitit 2023, nën dyshimet se kontrabandoi në vendin tonë 24.500 ton naftë ruse, në thyerje të embargos ndërkombëtare, për llogari të një kompanie shqiptare në pronësi të biznesmenit Piro Bare, tashmë drejtuesi i anijes “Grace Felix” mund të udhëtojë i lirë për në vendin e tij.
Në 2 Gusht 2025, Gjykata e Durrësit i hoqi 50-vjeçarit masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe garancinë pasurore prej 6 milionë lekësh (rreth 60 mijë euro), pasi atij i ishin pushuar akuzat më herët.
Policia Shqiptare njoftoi në 1 mars 2023 se kishte arrestuar kapitenin e anijes për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Tregtimi e transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Nga informacionet paraprake, dyshohej se mjeti lundrues “Grace Felix” po sillte një ngarkesë të madhe hidrokarburesh për shoqërinë shqiptare “Av.International Group”, në pronësi të sipërmarrësit Piro Bare.
Prej vitit 2022, Shqipëria u ishte bashkuar shumë vendeve të botës, të cilat vendosën embargon për mallrat ruse, përfshirë edhe naftën, si masë reaguese pas sulmit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.
Anija “Grace Felix” u ndalua të shkarkonte sasinë e naftës, menjëherë sapo hyri në portin e Porto Romanos.
Pas më shumë se dy vitesh hetime, Prokuroria e Durrësit dërgoi për gjykim kapitenin e anijes, Alexet Smaznov, pasi kishte arritur të siguronte provat e mjaftueshme për kontrabandën.
Por, gjatë gjykimit, prokurorja e çështjes, njëkohësisht edhe drejtuesja e caktuar përkohësisht e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli, vendosi të tërhiqej nga akuzat ndaj kapitenit rus. Gjykata, në kushtet e mungesës së një akuze nga prokurorja, vendosi të pushonte gjykimin, me një vendim të marrë në 14 Prill 2025.

Më herët, prokurorja Beluli ka tërhequr akuzat edhe për një çështje tjetër shumë të rëndësishme që është trajtuar nga Prokuroria e Durrësit. Po në Prill 2025, ajo iu drejtua Gjykatës me kërkesën për pushimin e çështjes ndaj pronarëve të shoqërisë “Alba Exotic Fruit”, në ngarkesat me banane të të cilëve u zbuluan të paktën 5 raste trafikimi kokaine nga Ekuadori në Shqipëri.
Arrestimi dhe bllokimi i anijes
Në 21 Shkurt 2023, oficerët e Policisë Gjyqësore të Durrësit referojnë në prokurori një material, lidhur me dyshimet e një rasti kontrabande nafte.
Sipas informacioneve të mbërritura në Prokurori, ka patur të dhëna se anija tregtare “Fidan” (anija mëmë e anijes “Grace Felix”) është furnizuar në portin “Novorossiysk”-Rusi në Detin e Zi. Më pas kjo anije, në detin e lirë “Kalamata”, në Greqi, ka furnizuar me naftë anijen “Grace Felix”. Kjo e fundit ka mbërritur në territorin detar të vendit të Shqipërisë de ka qëndruar në Radën e Portit Detar të Porto Romanos-Durrës.
Nga hetimet e kryera rezulton se, më datë 19 shkurt 2023, është ngritur një grup pune që ka shkuar në vend për të kryer verifikimet përkatëse lidhur me anijen “Grace Felix” e të ngarkesës së saj.
Kapiteni i anijes, Aleksej Smaznov, fillimisht ka refuzuar komunikimin me punonjësit e institucioneve të grupit të punës. Më pas, ai është bindur dhe ka dorëzuar një seri dokumentash, që nga faturat e mallit e deri tek itinerari i lëvizjes.
Nga këqyrja e dokumentacionit të vënë në dispozicion prej kapitenit anijes “Grace Felix” ka dalë se origjina e produktit të naftës ishte vetëm nga një “Letër konfirmimi” i shoqërisë transportuese të naftës, shoqërisë “Grace Felix Shipping Limited” dhe nga shoqëria pronare e produktit “Solid Energy Solution DMCC”, ku bëjnë me dije në formën e një deklarate se origjina e naftës është nga shteti i Azerbajxhanit.

Konkretisht në “Letër Konfirmimet” shënohet se “Anija Grace Felix” ka ngarkuar një ngarkesë ULSD-10 pp nëpërmjet transfertës nga anija “MT Fidan” në anijen “Grace Felix” jashtë limitit të Portit Kalamata-Greqi më datë12.02.2023.
Prokuroria ka administruar pranë Degës së Doganës Durrës “Çertifikata të cilësisë dhe të origjinës për produktin “EN 590.10PM”, të mbërritura më parë në Port, me vend origjine Rusinë. Nga këqyrja e realizuar, ka rezultuar se ngarkesa e anijes “Grace Felix” dhe nafta e mbërritur më herët ngë Rusia, kanë një ngjashmëri shumë të madhe në kriteret cilësore dhe ndryshimet mes tyre janë në vlera shumë të vogla.
Ky detaj teknik ka qenë një element plus në dyshimet e grupit hetimor se nafta e anijes “Grace Felix” vinte nga Rusia, një vend që ishte nën embargo.
Kapiteni i anijes, Alexey Smaznov, i pyetur gjatë fazës hetimore, ka deklaruar se ai është njoftuar nga operatori i anijes “Grace Felix Shipping Limited” për të shkuar në portin e Porto Romanos Durrës, ku duhet të shkarkonte ngarkesën e anijes.
Ai ka thënë se furnizimin me këtë ngarkesë nafte e ka bërë “ship to ship” (nga anija në anije), në ujërat ndërkombëtare, 12 milje larg bregut të Kalamata-s, në Greqi.
Pas marrjes të ngarkesës, anija “Grace Felix” është nisur në drejtim të Portit Detar të Porto Romano Durrës. Kur ka mbërritur, operatori i tij i ka bërë me dije se porosia për ngarkesën që ndodhej në anije ishte refuzuar dhe duhet të largoheshin nga ujërat territoriale të Shqipërisë.
Në hetim është pyetur edhe biznesmeni Piro Bare, administratori i shoqërisë që ka porositur sasinë e lëndës hidrokarbure “Av. International Group”. Ai ka shpjeguar se, pasi është vënë në dijeni se ngarkesa që po vinte për llogari të tij nuk kishte dokumentacionin e rregullt, ai ka urdhëruar që të refuzohej malli dhe anija të kthehej.
Pas këtyre deklarimeve dhe në vijim të dokumentave të mbledhur gjatë fazës hetimore, kapiteni rus Alexey Smaznov u arrestua, nën dyshimet për “kontrabandë”. Çështja ndaj tij shkoi për gjykim në 18 qershor 2024.
Si u “shua” kontrabanda
Gjatë seanca gjyqësore, u pyetën si dëshmitarë disa punonjës të Doganës së Durrësit, të cilët kishin trajtuar rastin e ngarkesës së anijes “Grace Felix”. Ata deklaruan, në thelb, se nuk kishin pasur mundësi të saktësonin origjinën e naftës, pasi dokumentacioni i vendosur në dispozicion nga kapiteni i anijes ishte i pamjaftueshëm.
Ndërkohë, juristi i shoqërisë pritëse “Av. International Group”, R. Spiro, ka konfirmuar thëniet e administratorit Piro Bare, për shkaqet e refuzimit të ngarkesës, pasi ishin vënë në dijeni nga Dogana për mungesën e dokumentacionit.
Prokurorja Beluli paraqiti në seancë gjyqësore edhe disa akte të autoriteteve greke, të siguruara gjatë fazës hetimore.
Në përgjigje të letër-porosisë, nga autoritetet greke është dërguar përgjigja e autoritetit portual Gytheo dhe autoritetit portual Neapolis. Ato kanë evidentuar se transferta e naftës është kryer “ship to ship” (nga anija në anije) nga anija “Fidan” në anijen “Grace Felix”, duke shtuar se nuk kanë patur detyrim që këto subjekte të dorëzojnë dokumentacionin apo të japin të dhëna mbi origjinën e mallit, pasi shkëmbimi është bërë në ujëra ndërkombëtare.
“Mjetet e mësipërme nuk kanë lundruar në portin e Gytheio dhe në portin e Neapolis-Greqi, e për këtë shkak nuk ka dokumente që deklarojnë ngarkesën dhe kryesisht dokumentet e ruajtjes së procedurës për ngarkimin e mallrave nga një mjet në mjetin tjetër lundrues (ship to ship transfer) lloji i ngarkesës së secilit mjet lundrues, raportet e peshës, raportet e shkëmbimit të peshës, para dhe pasngarkimit, çertifikata e rezervuar të zbrazet, raporti i 3 (tre) ngarkesave tëfundit dhe çdo faturë ngarkimi, e çertifikatën e origjinës ose deklaratën eorigjinës dhe nuk është kryer asnjë veprim nga punonjës të Doganës së Gytheioose të Doganës së Neapolisit”, thuhet në përgjigjen e autoriteve greke për Prokurorinë e Durrësit.
Autoritetet greke kanë theksuar se, për shkak të shkëmbimit “ship to ship”, ato nuk zotërojnë dokumenta as për origjinën e naftës dhe as se nga janë nisur dy anijet që kanë transferuar lëndën hidrokarbure nga njëra tek tjetra.
Në vendimin e gjykatës, të siguruar nga “Boldnews.al”, në vijim të këtyre detajeve, thuhet: “Në gjykim, pasi u kryhen veprimet procedurale përkatëse prokurorja e çështjes Suela Belulii kërkoi me shkrim Gjykatës: tërheqjen e akuzave ndaj të pandehuri Alexey Smaznov dhe pushimin e çështjes”, duke parashtruar se “nuk krijohet bindja se origjina e mallit të naftës së ngarkuar në mjetin lundrues anijen “Grace Felix” të jetë si mall me origjinë Ruse”.

Në kërkesën me shkrim për tërheqjen nga akuza, prokurorja Beluli ka cituar nenin 377 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon: “Kur prokurori e tërheq akuzën dhe në gjendjen që janë provat vërtetohet se i pandehuri nuk ka faj ose del që ekziston një nga rastet e pushimit të çështjes, gjykata vendos pafajësinë e të pandehurit ose pushimin e çështjes”.
Nga narrativa e vendimit gjyqësor të datës 14 Prill 2025 nuk kuptohet qartë se për cilat arsye është tërhequr prokurorja nga akuza.
Nga të dhënat që renditen në vendimin e gjykatës, prokurorja është përfaqësuar në gjykim me provat dhe faktet që ka mbledhur gjatë hetimit. Ndaj, të paktën për aq sa është renditur në vendimin gjyqësor, nuk arrihet të shihet pastër se cilat rrethana, shkaqe dhe prova e kanë nxitur prokuroren Suela Beluli të tërhiqet, duke i siguruar “paradhënie” pafajësinë kapitetin rus.
Megjithatë, tërheqja e prokurores nga akuza ka detyruar gjyqtarin Rexhep Bekteshi që të vendosë pushimin e çështjes.
Në vijim, Aleksey Smaznov, i cili gjatë gjykimit po hetohej në masë më të butë sigurie, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe garancisë pasurore”, kërkoi nga gjykata edhe çlirimin prej tyre.

Në fillim të Gushtit 2025, gjykata e Durrësit vendosi pranimin e kërkesës së tij. Çështja ndaj tij ishte pushuar dhe, për këto arsye, nuk kishte më kuptim që të mbaheshin në fuqi masat e sigurimit.
Pas këtij vendimi të gjykatës së Durrësit, kapitenit Smaznov iu rikthyen edhe garancia prej 60 mijë eurosh, e bllokuar në një prej bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.
LEXO EDHE:
Kokainë në banane/ SPAK dhe “Durrësi” shfajësojnë pronarët e “Alba Exotic Fruit”, hiqet sekuestro