Gjykata e Posaçme ka dhënë ditën e sotme vendimin për masat e sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK, ku u godit një organizatë kriminale e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, teksa paratë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i investonte në prona dhe biznese në Shqipëri.
GJKKO ka liruar nga burgu një prej 8 të arrestuarve, duke i caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Bëhet fjalë për shtetasin Riza Çela.
Ndërkohë, 7 të arrestuarit e tjerë, Ervis Çela, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela, iu është lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg”.
Po ashtu janë lënë në fuqi edhe masat e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj dy të akuzuarve të tjerë, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.
Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale te “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Kujtojmë se SPAK lëshoi urdhër-arrest të dytë në kuadër të këtij operacioni edhe ndaj Franc Gergely alias Franc Çopja, kreu i një bande nga Elbasani, i cili ndodhet i arrestuar në Belgjikë.
Ndërkohë, 6 të tjerë vijojnë të jenë ende në kërkim, mes të cilëve edhe biznesmeni Fadil alias Julian Balla, pronar i kompanisë “AMR”, të cilit iu sekuestrua edhe resorti “AJMAN PARK”, i vendosur në Xhafzotaj të Durrësit.
Gjatë hetimeve ndërkombëtare, janë identifikuar dhe goditur dy ngarkesa të mëdha kokaine, të transportuara nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Më konkretisht bëhet fjalë për një ngarkesë prej 11.6 ton dhe një ngarkes prej 16.4 ton gjatë viteve 2020 dhe 2021.
- Shtator 2020 – Paraguaj → Belgjikë (Anvers)
Grupi i drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Gergely (Çopja), në bashkëpunim me një shtetas brazilian, organizoi trafikimin e 11.6 ton kokainë, fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”. Ngarkesa u nis nga porti i Villeta (Paraguaj) dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020.
Në vijim, gjatë operacioneve të policisë në Roterdam, u sekuestruan 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro, si dhe u arrestuan shtetasit shqiptarë M.D. dhe N.B. - Dhjetor 2020 – Shkurt 2021 – Paraguaj → Gjermani (Hamburg)
Ervis Çela dhe Franc Gergely (Çopja) organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo (“sy me rrufe të kuqe”, “Puma”, “shenja infinit”), me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane. (Cocaine ‘worth billions’ seized in record Germany and Belgium haul).”
Hetimet janë bazuar në komunikimet në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, ku ka rezultuar se në krye të organizatë kriminale qëndronin Ervis Çela dhe Franc Gergely (Çopja).
Sipas organit të akuzës, Ervis Çela së bashku me vëllain e tij Ardian ishin vendosur në Paraguai, ku merreshin me magazinimin dhe më pas dërgimin drejt vendeve të BE-së të lëndës narkotike. Droga fshihej në kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi.
“Hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese partnere dhe analiza e komunikimeve të përgjuara në aplikacionin SkyECC kanë zbuluar një strukturë kriminale të përmasave ndërkombëtare, e udhëhequr nga shtetasit Ervis Çela dhe Franc Gergely (Çopja), e cila kontrollonte në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi, magazinimi dhe përpunimi në laboratorët e Paraguait, transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet europiane, deri te pastrimi dhe qarkullimi i të ardhurave të fituara.
Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit nga drejtuesi i organizatës Ervis Çela (i cili së bashku me vëllanë e tij Ardian Çela ishin vendosur në Paraguai), magazinoheshin dhe bëheshin gati për transport në Paraguai. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers (Belgjikë) dhe Hamburgu (Gjermani), ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Pronat e tjera të sekuestruara
Vila dhe apartamente:
-
- Vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut, bashkia Himarë (sipërfaqe totale rreth 378.2 m²), me vlerë tregu prej afërsisht 1.000.000 Euro.
- Vilë e porositur datë 06.11.2024, në Tiranë.
Truall, toka dhe ndërtesa:
-
- Pasuri truall dhe ndërtesa në Tiranë, Sharrë.
- Pasuri (me status regjistrim të përkohshëm).
- Pasuri nr. 349/45 në bashkëpronësi.
- Tokë arë me sipërfaqe 5900 m², Sharrë, Tiranë.
Kuota dhe aksione në shoqëri tregtare:
-
- Kuotat/aksionet në shoqëri tregtare, Kavajë.
- Shoqëri tregtare, Durrës.
- Shoqëri tregtare, Rrogozhinë.
- Shoqëri tregtare, Durrës.
Automjete:
-
- Tre automjete.
Sekuestrime gjatë ekzekutimit të vendimeve të kontrollit:
- Mbi 111 800 Euro Cash;
- 4000 USD
- 880.000 Lekë