Është shtyrë seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda (GJKKO), lidhur me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj lir Metës.
Gjyqtari Erjon Bani, në kërkesë të avokatit të Metës, shpalli moskompetencë, duke bërë me dije se çështja duhet të gjykohet nga gjyqtari që ka vendosur masën e sigurisë dhe ka ndjekur hetimet paraprake.
Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe bashkë me deputeten Monika Kryemadhi dyshohen për bashkëpunim me funksionarë të tjerë shtetërorë në disa vepra penale, që sipas Prokurorisë kanë nisur para 15 vitesh. Ata dyshohen se kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe përfshirje në veprimtari lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shitblerje banesash, në këmbim të përfitimit të konsiderueshëm financiar. Paratë e fituara janë përpjekur të fshehen duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Monika Kryemadhi po hetohet për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Më 23 tetor, Gjykata vendosi që ndaj saj të vazhdojë masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për të njëjtat akuza. E njëjta masë u vendos edhe për të hetuarën Ema Çoku, e akuzuar për pastrim parash.
Ndërkaq, për Piro Xhixhon, i dyshuar për korrupsion pasiv, masa e sigurisë u ndryshua nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Të tre të hetuarit qëndrojnë nën masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur” dhe duhet të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.