Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Kalabri, Itali, ku helmimi nga konsumimi i brokolit të konservuar në vaj ka shkaktuar një viktimë dhe nëntë të shtruar në spital, duke ngritur alarmin në gjithë zinxhirin agro-ushqimor kombëtar.
Viktima është Luigi Di Sarno, 52 vjeç, turist nga Cercola në Napoli, i cili po kalonte pushimet në Kalabri. Ai u paraqit fillimisht në një klinikë private me simptoma të helmimit, por gjatë kthimit me makinë gjendja u përkeqësua dhe vdiq pranë Lagonegro, dyshohet nga toksina e botulizmit.
Prokuroria e Paolës ka nisur hetime për “vrasje si pasojë e një krimi tjetër” dhe “tregtim i ushqimeve të dëmshme”. Po ashtu po verifikohet edhe përgjegjësia mjekësore për trajtimin në klinikën ku u paraqit viktima.
Në përgjigje të ngjarjes, autoritetet kanë urdhëruar sekuestrimin dhe tërheqjen nga tregu në të gjithë Italinë të të gjitha kavanozëve me brokoli në vaj, për të parandaluar helmime të tjera të mundshme.
Departamenti i Shëndetësisë i Kalabrisë ka aktivizuar protokollin emergjent në bashkëpunim me Qendrën Anthelmimit të Pavias, autoriteti kryesor në Itali për trajtimin e botulizmit. Spitali “Annunziata” në Cosenza ka në dispozicion rezervat e antidotit për rastet emergjente.
Ngjarja vjen pas një tjetër helmimi serioz me botulizëm në Sardenjë, ku tetë persona u shtruan në spital pas konsumimit të sallatës guacamole gjatë eventit “Fiesta Latina”.
Në të dyja rastet hetimet fokusohen në praninë e bakterit Clostridium botulinum, i cili prodhon toksinën vdekjeprurëse. Autoritetet janë në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të helmimit.