Një nga scoop-et që u shpërnda me shpejtësinë e dritës, pasi SPAK mori urdhër të godasë çiftin Erion Veliaj,- Ajola Xoxa ishte edhe ai se hetuesit që kontrolluan në zyrën e saj, kishin gjetur në kasafortë, rreth 115 mijë euro të pa deklaruara, në prerje të mëdha. Jemi ende në fillim të dhjetorit 2024, kryebashkiaku gjendej akoma në zyrë, pompohej rregullisht në ekrane dhe SPAK nuk kishte raportuar ende shifrën marramendëse se Ajola Xoxa kishte shpenzuar për fustane, të brendshme dhe bizhu më shumë se 800 mijë euro.
Pikërisht për këtë arsye lajmi se oicerët e policisë gjyqësore ia behën në zyrën e saj dhe zbuluan të fshehura në një kasafortë dollarë dhe euro të mbajtura cash, pati efektin e një bombe.

Nga grupi i ngushtë i njerëzve që gjendeshin në ato mjedise doli thashethemi se znj. Xoxa dukej e hutuar, e shushatur, gati si e bërë dhe jepte versione krejt pa lidhje ndaj pyetjeve të policëve gjyqësorë. Fillimisht, atë ditë të 6 dhjetorit, ajo i pati thënë atyre se këto para ishin nga trrashëgimie e babait të saj të ndjerë. Por pak ditë më pas, ajo do detyrohej të ndryshonte katërcipërisht qëndrim. Me ndihmën e avokatëve të saj ajo paraqiti pranë gjykatës së posatshme një kontratë për shitje apartamenti në bllok, duke u justifikuar se këto para vinin si pasojë e kaparit që kishte marrë për këtë kontratë.
Kjo manovër i vuri në dyshim hetuesit që ndiqnin çështjen. Pika e parë qe se data e kontratës ishte një ditë para se të ushtrohej kontrolli në zyrat e Xoxës. Pika e dytë që kërciste, kishte të bënte me ndryshimin e versionit nga para trashigimie, në kapar. Dhe pika e tretë lidhej me biznesmenin kontrovers që kishte marrë mbi shpinë të bënte alibinë e Ajolës. Ai qe Gentian Sula, një nga aksionerët e Intersig Vienna Asurance, i cili me sa duket ende nën trysninë e pamatë që kishte çifti Veliaj, të cilin se imagjinonte kurrë se e kishin paketuar për ta linçuar, vendosi ti ndihmonte në këtë ditë të vështirë.
Edhe Ajola Xoxa edhe Gentian Sula, që kishte lidhje të hershme me të pasi i kishte lënë falas në bllok një vilë për aktivitete arrtistike (ish selinë e Vodafone), kur u pyetën para prokurorëve i dolën për zot kontratës për blerje apartamenti me shumën 220 mijë euro, për të cilat biznesmeni i kishte dhënë gruas së kryebashkiakut, paraprakisht në dorë shumën që u gjet në kasafortën e saj. Dhe këtu historia e parave të pa deklaruara dukej e mbyllur dhe Ajola mund të flinte e qetë.
Por ngjarjet rrogën shpejt. Pak javë më pas Erion Veliajt do ti viheshin prangat ndërsa hetuesit do të vijonin me kërkimin e çmontimit të alibive të tij. Dhe hallka më e dobët do të kërkohej tek profili dallkauk i biznesmenit, që i bëhet mashë një pushtetari sa është majë dhe i ngul thikën i pari sa e sheh që i rrëshkiti këmba. Ajola Xoxa për sa kohë e shiste burrin si pasardhës të Edi Ramës dhe me pushtetin e pamatë të shpërndarjes së lejeve të ndërtimit në Tiranë, mund të prodhonte sa të donte alibi. E goditur dhe e braktisur nga të vetët, me bashkëshortin gjysëm të çekuilibruar në qeli, nuk mund të përfitone më nga miqësia dhe besnikëria e askujt.
Kështu ndodhi edhe me Gentian Sulën, i cili kur i rithirr në SPAK në maj të 2025, pasi dyshja Veliaj-Xoxa e kishte marrë poropotinë, e ndryshoi krejtësisht versionin e tij. Ai pranoi se kishte firmosur një kontratë fiktive, se nuk kishte dhënë asnjë para për kapar dhe se yshtjen për këtë krim e kishte marrë nga lutjet e Ajola Xoxës. Madje ai u ka thënë prokurorëve se gjithçka ia ka kërkuar Ajola si favor, se ai i pati mashtruar herën e parë për ti bërë nder asaj, se kishte qenë i tronditur dhe i paqartë për rrethanat.
Madje me zellin e një shërbëtori që pasi ta ngul thikën ta lëviz thellë nëpër plagë, ai ka deponuar në prokurori se pasi u ndërgjegjësua se ckishte bere, i kërkoi llogari Ajola Xoxës se përse e pati futur në një telash të tillë dhe se ai venbdosi të tregojë të vërtetën edhe pasi kjo e fundit i kërkoi me përgjërim ti qëndronte versionit të parë, të fallcifikuar.
Pra, historia është e qartë: 115 mijë eurot e fshehura në kasafortë, që u gjetën në zyrat e Ajolës në dhjetor të vitit të shkuar janë para të zeza, pa burim, që nuk vijnë as nga trashëgimia e babait, e as nga kontrata për shitjen e një apartamenti.
Por kjo histori, sa komike po aq edhe tragjike, tregon shumë më tepër sesa hetimi metikuloz i SPAK për të zbuluar origjinën e parave të pa deklaruara që u gjetën në kasafortë.
Ajo së pari dëshmon për mendjelehtësinë me të cilën manipulojnë provat ata që janë në pushtet, pa menduar kurrë se nuk janë të përjetshëm dhe se një ditë, pasi i rrëshket këmba gjithçka mund tu kthehet ne te kundërt. Së dyti ajo rrëfen shumë për cilësinë e njerezve që zgjedhin si partnerë, për të ndërtuar bizneset dhe alibitë e tyre, te cilet jane të gatshëm tu bëhen urë, por që i fusin shkelmin sapo i rishohin si gjallesa të pavlera./ Lapsi.al
Lexo edhe:
Gentian Sula i NOA-s ‘pret në besë’ Ajola Xoxën: Kontrata për 220 mijë euro ishte fiktive