Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, ka shfaqur interesin për të blerë një apartament në kompleksin luksoz “Met Building”, që po ndërtohet në qëndër të Tiranës, prapa ish-hotel Dajtit.
Godina është investim i shoqërisë tregtare “Met Invest”, që zotërohet nga familja Malo. Në këtë objek që shihni në foto, Ajola Xoxa është paraqitur së bashku me biznesmenin Alban Peza, për të blerë një apartament që metri katror kushton deri në 5 mijë euro.
Pasi ka para aparatementin me pamje nga kisha Katolike dhe lumi i Lanës, si dhe disa planimetri të tjera apartamentesh, Ajola Xoxa, mësohet të mos ketë vendosur për blerjen e apartamentit, pasi siç mësohet asaj nuk i ka pëlqyer ndriçimi natyral i shtëpisë.
Këto detaje zbulohet nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, i cili ka mësuar se në 12 Maj 2025, në SPAK është paraqitur njëri nga pronarët e kompanisë “Met Invest”, Hauard Malo duke dhënë shpjegime për vizitën e papritur që i ka bërë në kantier gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, Ajol Xoxa.
Hauard Malo, është administrator i shoqërisë “Met Invest”, shoqëria është në pronësi të familjes së tij, konkretisht nëna Miranda zotëron 20%, vetë Hauard Malo 20%, motra Migena 20%, motra tjetër Perla 20% dhe vëllai i madh Klajdi 20%.
Shoqëria është themeluar rreth 6 vite më parë, me qëllim zhvillimin e investimeve në fushën e ndërtimit. Në lidhje me aktivitetin ndërtimor të shoqërisë, ai deklaroi se kanë ndërtuar një godinë banimi 4-katëshe pranë liqenit të thatë, konkretisht te rrethrrotullimi.
Objekti ka filluar të ndërtohet në vitin 2021, është me ngjyrë të bardhë dhe aktualisht po i dorëzohet banorëve. Gjithashtu, kompania ka ndërtuar një tjetër objekt mbrapa Bankës së Shqipërisë, përkatësisht pranë ish-Hotel Dajtit.
Ky objekt është drejt përfundimit. Në këtë rast, sipas deklaruesit, shoqëria ka qenë pronare e tokës, e blerë më herët nga babai i tij te subjekti “Princi Leka”, ndërkohë që në ndërtim kanë marrë pjesë si investitorë.
Objekti është ndërtuar nga kompania “Albanian Investment Construction” (AIC), me përfaqësues shtetasin Alban Peza. Në lidhje me lejen e ndërtimit për objektin pranë Hotel Dajtit, Malo deklaroi se ajo është miratuar nga Bashkia në vitin 2018 ose 2019.
Projekti arkitektonik është përgatitur dhe aplikuar nga studioja “Atelier 4”, përfaqësuar nga Alban Efthimi. Në këtë projekt ka qenë i përfshirë edhe një person me emrin Andi, i cili është marrë me detaje të mëtejshme. “Atelier 4” është angazhuar nëpërmjet ndërmjetësimit të “AIC” të Alban Pezës.
Lidhur me marrëdhëniet me studion arkitekturore, Malo, deklaroi se “Atelier 4” është paguar përmes sistemit bankar, por nuk mban mend shumën e saktë të pagesës.
Ai shtoi se në objektin në fjalë nuk ka pasur zyrë shitjeje dhe kontaktet me klientët janë bërë përmes kompanisë ndërtuese “AIC” ose arkitektëve të përfshirë.
I pyetur për çmimet e shitjes në objektin pranë Hotel “Dajtit”, Malo sqaroi se në fillim çmimi për metër katror ishte 2,500 euro, ndërsa aktualisht ka arritur deri në 5,000 euro për apartamente dhe zyra.
Dyqanet në katin përdhe kushtojnë më shumë, konkretisht 10.000 deri në 12.000 euro/m², por deri më sot nuk është shitur asnjë prej tyre.
Në lidhje me Ajola Xoxa, Hauard Malo deklaroi se nuk e njeh personalisht dhe nuk është takuar ndonjëherë me të.
Gjatë marjes në pyetje ai u shpreh se ajo ka qenë në objektin e ndërtuar pranë Hotel Dajtit, rreth tre vite më parë, me kërkesë të ndërtuesit Alban Peza, për të parë një ambient që kishte interes për ta blerë.
Ambienti i vizituar nga Ajola ndodhej në katin e pestë dhe kishte pamje nga Kisha dhe lumi Lana.
Në dijeninë e Malos, ambienti nuk u ble, pasi nuk i pëlqeu ndriçimi. Po ashtu, sipas bisedave të tij me Alban Pezën, Ajola nuk ishte e kënaqur me fasadën e godinës. Ambienti në fjalë ndodhet aktualisht në emër të kompanisë “Met Invest”.
I pyetur se kush e ka shoqëruar Ajola Xoxën gjatë vizitës, Malo tha se mendon që ka qenë vetë Alban Peza, pasi ai vetë nuk ka qenë i pranishëm. Ai shtoi se është vetë Albani që i ka treguar për vizitën dhe interesimin e saj.
Lidhur me informacionin që i është dërguar Ajola Xoxës, Malo sqaroi se janë dërguar rreth 3-4 planimetri, më shumë për të ilustruar format e ambienteve të disponueshme.
Këto materiale janë dërguar përmes Alban Pezës. Edhe çmimi për ambientin është komunikuar Ajolës përmes Alban Pezës. Malo deklaroi se i kishte komunikuar Albanit se ambienti ishte bllokuar, por më pas ai i ka kthyer përgjigje se Ajola nuk ishte më e interesuar.
Në lidhje me marrëdhënien financiare me shtetasin Alban Peza, Hauard Malo deklaroi se pagesat ndaj tij janë realizuar sipas faturave tatimore të lëshuara.
Ai shtoi se aktualisht i kanë një borxh në vlerë të vogël, por theksoi se puna e Alban Pezës nuk është shpërblyer asnjëherë me sipërfaqe ndërtimi, por vetëm me lekë./Ora News