Nga Ilir Kalemaj
Këto ditë zhegu veror nuk kanë qenë aspak të thata në lajme ku burim i pashterrshëm ngelet si zakonisht politika. Janë disa drejtëza paralele të cilat nuk pikëtakohen ndonëse bashkëjetojnë në qiellin e vështirë të publikes dhe lipset të vihen në kandarin e rëndesës përkatëse. Duket sikur llogoret e politikës kanë agjenda dhe synime krejtësisht të kundërta në mos ashiqare të kithta me njëra tjetrën. Nga njëra anë, është mazhoranca ku vështirë të dallosh vija ndarëse mes qeverisë dhe partisë, ndërsa parlamenti sa vjen dhe shndërrohet në dekor shpesh të panevojshëm për shkak se kartonët do përdoren thjesht për ratifikim të projektligjeve të çuara nga Ramë-qeveria. Por duket se ky mbipushtet nuk mjafton dhe për arsye të paqarta, Ramaforma ka prekur dhe pushtetin lokal, duke fshirë me një të rënë të lapsit kontribuesit lokalë dhe duke shpallur vende vakante si kryebashkiak i vendit. Kjo bash pas përfundimit të zgjedhjeve ku paradoksalisht deklamohet fitore e thellë dhe njëherazi goditen patronazhistët lokalë.
Kjo mund të ketë disa arsye të përfolura gjithë këto kohë, më tepër komplimentare sesa përjashtuese. Nga arsyet në dukje banale të mosfirmosjes të një parku fotovoltaik për klientë qeveritar nga ana e kryebashkiakut të Vlorës që pastaj për të mbuluar me gjethe fiku mori efektet e zjarrit në shkurre përgjatë gjithë territorit të vendit duke kulminuar me shembjet e Thethit, deri te diversioni politik për shkak të barrës së madhe të votës së përftuar në mënyrë të padrejtë. Nuk ngelet pas as argumenti i pasjes të sa më tepër pushtet për të shpërblyer oligarkitë financiare, kriminale dhe mediatike me investime, tendera dhe koncesione, punësime etj. Por prapë ngelet një pikëpyetje që një hall edhe më i madh mund ta ketë detyruar kryetimonierin të konsumojë edhe më shumë pushtet se ç’prodhon. A ka apo jo një sfond ndërkombëtar, a lidhet me një valë të re arrestimesh zyrtarësh të lartë të korruptuar apo ku tjetër i vlon miza nën kësulë, ndoshta duhet të presim vjeshtën për të kuptuar më shumë.
Si intermexo mes mazhorancës dhe opozitës është telenovela verore e partive të reja, ku spikat ajo e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet e cila dukshëm po konsumon më tepër llafe se ç’mundi të prodhojë ide përgjatë fushatës zgjedhore. Betejat publike me hidh dhe prit që kanë për synim përfundimtar një mandat, lënë një shije zhgënjimi te dhjetra mijëra votues të këtij koalicioni por dhe besimtarë të forcave të reja politike. Sado që këto të fundit kanë pasur një fat jo fort të mbarë në qiellin e ngarkuar të politikës shqiptare ndër vite. Akoma më të hidhëta sulmet nga forcat po të reja politike ndaj këtij koalicioni në sprovë të vështirë ekzistenciale tashmë që shpatat janë nxjerrë nga milli dhe dyluftimi po bëhet n’shesh të mejdanit.
Nga ana tjetër kemi opozitën e drejtuar nga partia demokratike e cila është duke ndjekur një strategji paselektorale e cila është bazuar deri tani në dokumentimin e krimit zgjedhor por dhe shkeljes me të dyja këmbët të kodit zgjedhor dhe përdorimit të hapur të administratës publike në favor të partisë-shtet. Së dyti dhe paralelisht denoncimin mediatik për së brendshmi dhe përmes kanaleve diplomatikë në arenën ndërkombëtare për të përftuar ndëgjergjësim dhe mbështetje në rifillimin e një konflikti të gjatë me një supermazhorancë arrogante dhe të papërgjegjshme. Së treti, në ndjekjen e të gjitha etapave të verifikimit të votave për partitë dhe kandidatët në rrugë institucionale ndonëse kjo e fundit jo me sukses për shkaqe të ndryshme.
Së fundmi, priten dy procese të rëndësishme të deklamuara dhe që pritet të jetëzohen në vijëmësi. Një prej të cilave është analiza paszgjedhore e çfarë nuk funksionoi te elementë të caktuar si komunikimi politik, drejtimi i qarqeve, apo listat e kandidatëve për të maksimizuar rezultatin përtej problematikës së evidentuar më sipër. E fundit në radhë por jo më pak e rëndësishmja është ndezja e motorëve për zgjedhjet e pritshme lokale në Berat, Mat, Tepelenë, Tropojë, potencialisht në Rrogozhinë dhe Tiranë. Kur kjo e fundit është qershia mbi tortë dhe duhet përqëndrimi i burimeve kryesore logjistike dhe njerëzore për të arritur një rezultat pozitiv, natyrisht nëse ka vullnet politik nga Rama për t’a çuar në zgjedhje të parakohshme, sikundër e lyp logjika dhe arsyeja e shëndoshë.
Deri tani mund të themi që opozita ka vepruar taktikisht mirë në refuzimin e deritanishëm të vitrinë-demokracisë dhe denoncimin e fasadës së një regjimi monokratik dhe kleptokratik, organizimin e protestave masive të njëpasnjëshme dhe denoncimin e fortë të krimit dhe të korrupsionit duke premtuar dhe rikthimin e ligjshmërisë. Njëherazi ajo është vazhdimisht e kërcënuar nga përpjekja e mazhorancës për t’i përçarë, apo tentativës për të blerë nga radhët e saj individë të caktuar, të joshur nga premtimet e vendeve të punës apo përfitimeve të tjera. Gjithashtu, opozita ka dhe vështirësi të kuptueshme financiare, infrastrukturore dhe logjistike për të mbajtur gjallë ritmin e protestave dhe mbi të gjitha nga mungesa e koherencës së një strategjie të mirëfilltë e cila do shihte qartësisht dritën në fund të tunelit dhe do të dinte të motivonte aradhën e mbështetësve në aksionin opozitar. Madje dhe të shtonte radhët me qytetarët e paangazhuar, të krijonte një aleancë funksionale me pjesën e shëndoshë të shoqërisë civile, të përfshinte intelektualët kryesorë të vendit, të fitonte ato zëra kritikë ndaj qeverisë që janë gjithsesi skeptikë të opozitës dhe të gjeneronte një frymë pa të cilën është praktikisht e pamundur të triumfohet mbi një pushtet sa banal, aq edhe të kapur nga oligarkia kriminale.
Si përfundim mund të thuhet që vetëm gjenerimi i shpresës se gjërat duhet dhe mund të ndryshojnë, se e ardhmja nën opozitën do të jetë e ndryshme dhe dukshëm më e mirë, se PD dhe opozita do të dijnë të korigjojnë shumë nga gabimet e së kaluarës dhe të mbështeten fort te meritokracia duke ndërtuar një sistem karriere bazuar te vlerat, mund të zgjojë shpresat për një përmbysje regjimi pa pritur rrjedhën e katër viteve të tjerë. Për këtë natyrisht duhet ndërtimi i një filozofie të besueshme qeverisëse, i një besëlidhje të re me qytetarët e lirë të këtij vendi duke ju premtuar atyre siguri dhe mirëqënie në vendin e tyre, pasi në të kundërt vështirë se vetëm taktikisht opozita do të arrijë të thyejë një mazhorancë arrogante në numra, cinike në veprim dhe hileqare në taktikë.