Tre vëllezër nga Tropoja dhe një tjetër rezultojnë të përfshirë në vrasjen e 22-vjeçarit Renis Dobra më 8 Korrik në Mat. Në pranga ka rënë njëri nga vëllezërit Fatjon Bushgjoka dhe Petrit Çakrri, të cilët u ndaluan në Tropojë dhe Tiranë.
Në kërkim janë dy vëllezërit e tjerë, Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Tre vëllezërit dyshohen si organizatorë të rrëmbimit dhe vrasjes së të riut, ndërsa Çakrri si person që i ka ndihmuar.
Së fundmi “News24” ka publikuar momentet e fundit të Renis Dobrës, pak para se autorët e dyshuar të rrëmbejnë 22-vjeçarin fatkeq, të cilin më pas e dhunuan dhe e hodhën në liqen, ngjarje kjo e ndodhur më 8 korrik.
Siç duket edhe nga pamjet njëra nga makinat e autorëve tip ‘Hyundai’ ndjek nga pas makinën e 22-vjeçarit, në një vendndodhje shumë pranë banesës së viktimës në fshatin Zenisht, për ta rrëmbyer me pas dhe për ta vrarë.
Natën e 8 korrikut, teksa Renis Dobra po i afrohej shtëpisë së tij në fshatin Zenisht të Matit, kur ai u ndalua nga një automjet ku ndodheshin dy persona.
Makina tip “Range Rover” i zi raportohet se ka shërbyer për të vëzhguar rrugën. Ndërsa mjeti tjetër tip “Hyundai” është përdorur për të ndjekur dhe më pas rrëmbyen 22-vjeçarin, trupi i pajetë i të cilit u hodh së bashku me makinën ku udhëtonte i riu në humnerë dhe u gjet pranë liqenit të Shkopetit.
- Kush janë autorët e dyshuar të krimit
Autorë të dyshuar të krimit janë arrestuar Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, ndërsa janë shpallur në kërkim Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Dyshohet se persona që kanë njohur zonën i kanë shoqëruar për 3 ditë autorët në qytetin e Burrelit, të cilët kanë mbajtur nën vëzhgim viktimën.
Sipas informacioneve, shkak të jenë bërë problemet me drogën. Dy nga autorët janë marrë me drogë së bashku me 22-vjeçarin në Gjermani, dhe dyshohet se ky i fundit i ka mashtruar. Nuk përjashtohet edhe mundësia që vrasjen ta kenë kryer për llogari të personave të tjerë po për drogën në Gjermani.

Autorët kishin marrë automjete me qira në Rinas dhe Yzberisht disa ditë para kryerjes se krimit. Ata i kanë ndërruar makinat disa herë për të humbur gjurmët pasi fillimisht, për tre ditë me radhë, kanë vëzhguar lëvizjet e 22-vjeçarit në Burrel deri në mbrëmjen e 8 korrikut, kur e morën peng dhe pasi e kanë mbytur me litar e kanë hedhur bashkë me automjetin në Liqenin e Shkopetit. Trupi i pajetë i të riut u gjet në një zonë me shkurre, rreth 10 metra nga bregu i liqenit, ndërsa automjeti më vonë nga policia në ujë.
Pas ngjarjes, njëri nga vëllezërit rezulton se ka dërguar drejt Kosovës dy vëllezërit e tjerë. Rezulton gjithashtu se autorët kanë tentuar që të heqin disa herë GPS-së së makinave me qira, por nuk ia kanë arritur.

Fatjon Bushgjokaj rezulton më i njohur për policinë, pasi është proceduar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Shqipëri, shpërndarje droge, vjedhje dhe tregti droge në Itali, mbajtje pa leje të armëve e municioneve, kundërshtim të forcave të rendit. Në tetor të vitit 2019, ai u arratis nga burgu i Rrogozhinës, ku po vuante një dënim me 6 vite burg për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim.
Personi tjetër i përfshirë, Petrit Çakrri rezulton të jetë edhe një prej dëshmitarëve okularë i vrasjes së ish deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.


- Policia jep detaje: Shkak dyshohet konflikti me autorët për drogë në Gjermani
Policia ka zbardhur vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili dyshohet se është mbytur me litar pas prishjes së pazareve të drogës me katër autorët e dyshuar të krimit, Petrit Çakrri, dhe 3 vëllezërit, Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj.
Drejtori i Policisë së Dibrës, Artion Duka tha se “23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, dhe dyshohet se me 4 të sipërpëmendurit ka pasur mosmarrëveshje në fushën e narkotikëve”.
Policia konfirmoi se të arrestuarit janë Fatjon Bushgjokaj 34 vjeç banues në Kamzë, i cili u prangos në zonën e Astirit në Tiranë, si dhe Petrit Çakrri 55 vjeç banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj të Kukësit. Të dy akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi. Në kërkim janë shpallur vëllezërit e Fatjon Bushgjokaj; Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Drejtori i Policisë së Dibrës ka treguar edhe dinamikën e krimit të rëndë: “Më 8 Korrik 2025, në orën 22:10, në fshatin Zenisht, Burrel, është marrë peng dhe më pas vrarë me mbytje me litar. Autorët e hodhën automjetin bashkë me trupin me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Por trupi mbeti pa rënë në liqen, duke bërë që të gjendej.”
Policia sqaroi se nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë, ndryshe nga çfarë u raportua në media pak ditë më parë.
Policia theksoi gjithashtu se në Komisariatin Nr.6 në kryeqytet janë shoqëruar 4 persona për t’u sqaruar përfshirja e tyre e mundshme ose jo në këtë ngjarje të rëndë.
Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.
Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Dibrës:
“Jam këtu, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë, z. Abaz Muçaj dhe me prokuroren e çështjes zj. Alisa Spahja, për t’ju bërë prezente rezultatet e hetimit intensiv dhe kompleks, i cili u finalizua me zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin e 23-vjeçarit, nga banesa.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të asistuara nga ekspertë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Dibrës, për këtë rast.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D..
Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit:
-P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”;
-F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B..
Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar).
Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit “C”, pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.
Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.
23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.
Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale.
Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale”
Lexo edhe:
FOTO/ Në kërkim për vrasjen e Renis Dobrës, vëllezërit Bushgjoka me precedentë të mëparshëm penal
EMRAT/ Arrestohet 2 autorët e dyshuar të vrasjes së Renis Dobrës! Shpallen në kërkim 2 të tjerë