Emisioni “Në Shënjestër” trajtoi këtë të martë, rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet në liqenin e Shkopetit.
Nga të dhënat e dosjes hetimore, mësohet se i fundit që e pa gjallë Renisin ishte një i afërm i tij i cili pavarësisht orëve të vona të mbrëmjes, dhe dritave të gjata të makinës që kishte ndaluar në anë të rrugës, arriti të shquajë makinën e Renisit, teksa ishte e ndaluar vetëm pak metra larg banesës së tij nga një tjetër automjet, nga ku në rrugë dalloheshin dy persona të panjohur për ta.
Që në momentin e parë ata i identifikuan si efektivë policie. Por ndërsa u përpoqën të mësonin mbi arsyet e ndalimit të njeriut të tyre, njëri prej tyre në formë urdhërore u kërkoi vizitorëve të padëshirur në këtë skenë, që të largoheshin menjëherë nga aty.
“Më datë 8 Korrik unë bashkë me gruan dhe familjen kemi qenë duke udhëtuar nga Burreli drejt fshatit Zenisht. Me të shkuar te vendi i quajtur Kroi i Sucit, unë pashë makinën e Renisit të ndaluar në anë të rrugës. Ishin ndaluar dhe dy makina të tjera. Ndalova të pyes se çfarë kishte ndodhur. Por njëri nga personat më tha: ‘Vazhdo, vazhdo, largohu shpejt’, – është shprehur kushëriri i viktimës.
Por edhe pse në pamje të parë dukej si një shoqërim i rëndomtë policie, të afërmit e Renis Dobras, dyshuan se diçka nuk shkonte te uniformat dhe mjetet me të cilët të ashtëquajturit efektivë të policisë kishin mbërritur pranë fshatit dhe kishin ndaluar automjetin e njeriut të tyre.
Për këtë arsye ata ngritën alarmin dhe lajmëruan menjëherë babain e 23-vjeçarit, që ndërkohë ishte marrë me makinë dhe ishte larguar gjithmonë në mendimin e parë të atyre që ishin të pranishëm në vendngjarje, në rajonin e policisë.
Prindërit e Renisit të cilët me të mësuar lajmin se i biri mund të ishte ndaluar nga policia, rendën nga fshati Zenisht ku banonin drejt komisariatit të policisë në Burrel, për të mësuar arsyet përse djali i tyre ishte shoqëruar në polici.
Por trokitja në derën e komisariatit, përkoi me një përgjigje aspak të pëlqyeshme për ta. Të cilët mësuan nga posta e policisë në fjalë se nuk kishte pasur asnjë shoqërim qoftë më herët apo në ato orë me gjeneralitetet e të riut, që familjarët pretendonin se ishte ndaluar nga policia.
Sigurisht që ky informacion do të ngrinte menjëherë alarmin si te familjarët por edhe te vetë policia se mund të ishin përballë një ngjarje me një sfond kriminal. Ashtu siç në të vërtetë u mësua në orët në vazhdim.
Ku i pari që rendi në kërkim të fatit të të birit, pa pritur që policia të plotësonte afatin 48 orësh të zhdukjes së një personi, do të ishte Rufati, babai i Renisit i cili po atë natë, pa pritur të agonte mëngjesi, u nis në ndjekje të gjurmëve se ku kishte përfunduar djali i tij.
Gjurmë të cilët e çuan fillimisht në shenjat e një frenimi të fortë në rrugë, që më pas përfundonin në Liqenin e Shkopetit, Aty ku të nesërmen, në një pjesë me bimësi në breg të liqenit, u gjet trupi i pajetë i të riut që ishte zhdukur vetëm një natë më parë, në rrethana të çuditshme, ndërsa automjeti tip ‘Benz’ me të cilin Renisi udhëtonte kishte përfunduar në ujë.
Por që tashmë dyshimet më të forta si nga të afërmit ashtu edhe nga policia, ishin se kishin të bënin me një rrëmbim dhe më pas ekzekutim. Një ngjarje kriminale, e cila me kalimin e orëve, duke u zbardhur dalëngadalë, filloi të bëhej gjithmonë e më shumë makabër.
Ku pavarësisht se në fillim u tha se kishin të bënin me një rrëmbim të organizuar nga njerëz të veshur me rroba policie, detajet e mëtejshme treguan se pasi ishte rrëmbyer, Renis Dobra ishte torturuar dhe më tej mbytur, për t’u hedhur më pas me automjetin e tij në Liqenin e Shkopetit.
Ndoshta me mendimin e autorëve se duke e hedhur në liqen, ngjarja mund të ishte shënuar si një aksident rrugor dhe kësisoj dekompozimi i trupit mund të fshihte edhe gjurmët e torturave në trupin e tij. Gjë që duket se është llogaritur gabim nga ata.
Megjithëse autorët u përpoqën të mos linin gjurmë në rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Renisit, kushëriri i tij që po udhëtonte nga Burreli drejt Zenishtit ka parë nga afër skenën e ndalimit të Dobrës. Por kushëriri i viktimës Renis Dobra, tha se ai nuk mundi të shquajë në atë errësirë targat e automjetit të ndaluar në rrugë. Po kështu as portretet e personave që e urdhëruan të largohej nga aty.
“Unë nuk arrita të dalloja dot as targën dhe as fytyrat e personave, sepse kishin ndezur dritat e gjata. Pasi telefonova dhe mora dajën te shtëpia e tij, shkuam te policia që të interesoheshim.”
Sipas dëshmisë së dhënë nga babai i Renis Dobrës atë mbrëmje ai e priste të birin në familje. Pasi kishin një darkë familjare dhe po sipas tij rreth orës 21:30, i biri i kishte dërguar një mesazh që po vinte në familje.
Edhe pse është e paqartë se nga po vinte Renisi ndërkohë, apo cili ishte drejtimi që kishte marrë. Ajo që mesa kuptohet tashmë është se autorët kishin informacion të saktë, për faktin që Renis Dobra, atë mbrëmje, po kthehej në familjen e tij në fshatin Zenisht të Burrelit.
Për këtë arsye njëra nga makinat e ka pritur në rrugën Burrel-Tiranë. Dhe pasi e kanë hipur në automjetin e tyre, me siguri në pjesën e pasme të sediljes, automjetin e Renisit mendohet ta ketë udhëhequr një nga personat e pranishëm, pjesë e togës kriminale,
Kjo deri në një pjesë të segmentit, ku më pas trupin e Renisit e kanë marrë dhe e kanë futur në automjetin e tij, të cilin më pas e kanë hedhur në Liqenin e Shkopetit, aty ku edhe u gjet, disa orë më pas.
Në dyshimet e forta se fillimisht ishte qëlluar me plumb, por më pas në mendimin se ishte mbytur nga ushtrimi i një force njerëzore, kjo për shkak të shenjave të gjetura në trupin e tij dhe sidomos në zonën e qafës.
“Vendi ku mendohet se është rrëmbyer 23 vjeçari Renis Dobra, ndodhet vetëm 5 minuta larg banesës së viktimës. Dyshimet e para janë se autorët e kanë mbytur të riun me litar dhe më pas e kanë futur në makinën e tij tip Benz dhe më tej e kanë hedhur në liqenin e Shkopetit.
Por gjatë rrokullisjes së automjetit, trupi i pajetë i Renis Dobrës ka dalë nga makina, ku ka pësuar dëmtime të tjera në kokë dhe në trup”,thuhet në dosjen hetimore.
Vdekja e Renis Dobrës ka ardhur si pasojë e shtrëngimit me anë të një laku, apo ndryshe strangulimi. Ky është përfundimi që kanë nxjerrë ekspertët e mjekësisë ligjore në aktekspertizën e tyre paraprake ku e përcaktojnë vdekjen si rezultat i asfiksisë mekanike.
Që do të thotë se vdekja e Renis Dobrës ka ardhur si pasojë e shtrëngimit me anë të një laku, apo ndryshe strangulimi.
Emisioni “Në Shënjestër” transmetoi pamje ku vërehen lëvizjet që bënë makinat e autorëve para se të mbërrinin pranë Kroit të Suçit, aty ku ndaluan automjetin e Renis Dobrës.
Sipas hetimeve të deritanishme, itinerari i automjeteve të autorëve fillimisht pikaset në Unazën e qytetit të Burrelit, nga ku më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër që lidh këtë qytet me Milotin, apo rrugën e Kombit.
“Bazuar në kqyrjen e kamerave të sigurisë rezulton se autorët e dyshuar të rrëmbimit të 23-vjeçarit, Renis Dobra, kanë lëvizur në Unazën e qytetit të Burrelit dhe më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër drejt Shkopetit”,thuhet në dosjen hetimore.
Por ky mund të ketë qenë itinerari i kthimit të autorëve, pasi kanë rrëmbyer Renis Dobrën, duke pasur parasysh se Kroi i Suçit, ndodhet në dalje të qytetit të Burrelit, në aksin që lidh qytetin me atë të Klosit.
Çka të lë të mendosh se ndërkohë rrëmbimi kishte ndodhur dhe makinat tashmë po i drejtoheshin rrugës së vjetër, një pjesë e cila kalon anë liqenit të Shkopetit.
Ashtu sikurse policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga fshati Zenisht deri në hyrje të Burrelit. Aty ku nga pamjet filmike dallohet se në rrugën e vjetër Burrel-Tiranë kanë qarkulluar me shpejtësi njëri pas tjetrit dy automjete.
Automjeti i parë që dyshohet se drejtohej nga viktima. Ndërsa autorët e vrasjes e kanë ndjekur nga pas dhe i kanë zënë pritë, duke e ndaluar në rrugë, ku dyshohet se autorët kanë hapur me forcë automjetin e të riut dhe e kanë dhunuar brenda tij.
Ndërkohë fakti që makina e autorëve nuk u ka pa në kthim në këtë aks të lë të dyshosh se itinerari i tyre mund të ketë vazhduar në rrugën e Kombit, ku edhe kanë humbur gjurmët.
Por ajo që kanë vënë re hetuesit, është se autorët kanë qenë të kujdesur për të ruajtur çdo detaj që mund t’i identifikonte në sytë e policisë.
Siç është edhe fakti që ata kanë mundur të fshehin targat e tyre. Çka tregon se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar dhe aspak e rastësishme.
Dhe se rrëmbimi i Renis Dobrës ka qenë i menduar në çdo detaj dhe jo një punë apo plan i cili mund t’u ketë dalë duarsh. Siç edhe ndodhi në vazhdim ku ata e hodhën trupin në Liqenin e Shkopetit.
“Hetuesit kanë dyshimet e tyre se autorët u kanë hedhur targave të automjeteve një solucion, kjo me qëllim për të mos i bërë të dallueshëm numrat. Ashtu siç në të vërtetë ka ndodhur, pasi numrat nuk dallohen, por duken në ngjyrë gri”, thuhet në dosjen hetimore.
Në lidhje me automjetet e përdorura, ekspertët thonë se ato kanë qenë dy të tilla. Përkatësisht një automjet ‘Honda’ ngjyrë i bardhë dhe një tjetër ‘Range Rover’, ngjyrë e e zezë.
Pas dëshmisë së dhënë nga familjarët e 23-vjeçarit dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit kombëtar Burrel-Tiranë, grupi hetimor bëri të mundur edhe identifikimin e autorëve të dyshuar për krimin makabër.
Njëri prej tyre është Petrit Çakrri, një prej dëshmitarëve okularë i vrasjes së ish deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Hetimet kanë zbuluar se Çakrri ka marrë me qira në Rinas, dy automjete, një Range Rover të zi dhe një Honday të bardhë.
Petrit Çakrri, i cili pasi dha dëshminë për atë që njihet si procesi i Shekullit, rezulton të ketë patur procedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me policinë.
Teksa në vitin 2017 u arrestua nën dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda. Ku në aktakuzë thuhej se ai kishte mashtruar një biznesmen nga Vora, të cilit i kishte marrë një shumë prej 4.4 mln lekësh të reja duke iu prezantuar si tregtar. Të cilit i kishte premtuar se do t’i siguronte mallra me çmime më të lira sesa tregu.
Çakrri, që u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim. Nga ku hetuesit përmes pamjeve filmike kanë mundur të zbulojnë pikën e dhënies së automjeteve me qira ku del se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira.
Por, zbulimi i GPS së makinës, i ka mundësuar grupit të hetimit, se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.
Pas krimit, Petrit Çakrri është larguar nga Shqipëria dhe besohet të ketë dalë jashtë vendit nga pika e kalimit kufitar të Morinës.
Ndërsa nipi i tij u ndalua nga policia dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e Renis Dobrës.
Të shumta janë hipotezat rreth asaj që mund të ketë ndodhur me të riun, apo arsyen që çuan autorët drejt një makabriteti të tillë. Hipoteza që lidhen edhe me vetë aktivitetin e 23 vjeçarit i cili thuhet se gjatë qëndrimit 1 vjeçar në Gjermani kishte vuajtur një dënim 6 mujor, për trafikim të lëndëve narkotike.
Ndërkohë që disa muaj në parë ishte parë të konfliktohej në Tiranë, me disa persona.
Por ndërsa u ripyet në lidhje me dijeninë që kishte mbi aktivitetin e të birit, babai i tij Rufati tregoi për grupin e hetues se Renisi kishte pasur një konflikt të ashpër me disa persona, lidhur mbi shitjen e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë.
Ngjarje e cila kishte ndodhur kohë më parë në Gjermani. Aty ku siç thamë kishte vuajtur edhe një dënim 6 mujor për trafik të lëndëve narkotike. Qëndrim në Gjermani, nga ku kishte afro një vit që ishte kthyer.
Babai i tij që tregoi se i biri i ishte rrëfyer se disa persona e kishin akuzuar se drogën e kishte shitur për llogarinë e tij, pa dijeninë e tyre.
Ndërkohë që po Renisi i kishte treguar babait të tij, se kjo gjë nuk kishte ndodhur kështu, Dhe se për shkak të frikës nga policia, drogën e kishte hedhur.
“Atë ditë djali im Renisi doli nga banesa në orën 14.10. Së fundmi ai lëvizte me një automjet tip ‘Benz’ ngjyrë ulli. Rreth orës 21.00, Renisi më telefonoi dhe më pyeti të shkonte te halla, apo të kthehej në shtëpi. Unë i thashë djalit të kthehej në shtëpi. Ky ka qenë kontakti im i fundit me të”, ka dëshmuar babai i Renis Dobrës në polici.
Grupi hetues beson se ky konflikt mund të ketë qenë edhe një nga arsyet përse Renis Dobra u rrëmbye dhe u torturua në atë formë.
Ndoshta si një mënyrë për ta bërë të flasë se ku përfundoi sasia e drogës e humbur prej tij në Gjermani ku poseduesit e kësaj sasie droge duke mos i besuar kanë kërkuar te ai informacionin se ku përfundoi kjo drogë.
Duke ditur golat që trafikantët e kokainës, u bëjnë njëri-tjetrin dhe paratë që humben në të tilla raste, që nuk janë të pakta.
E shkuara në Gjermani dhe fakti që ka pasur probleme me ligjin është një nga pistat ku grupi hetues është ndalur në rrëmbimin e vrasjen e 23 vjeçarit Renis Dobra. E shkuar, e cila po shihet si një element kyç që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit të krimit.
Ku pista kryesore e hetimit lidhet me dyshimet për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale, konkretisht në trafikun e lëndëve narkotike.
Ndërkohë që grupi hetimor po punon për të verifikuar nëse viktima ka pasur konflikte të hapura me persona të lidhur me këtë aktivitet, qoftë në Shqipëri apo jashtë saj.
/Emisioni “Në Shënjestër”