Pas një fushate premtimesh për legalizime, certifikata pronësie, falje gjobash dhe zhvillim turistik, qeveria kthehet në Theth me fadromat e IKMT-së. Banorët ngrenë akuza për mashtrim dhe korrupsion.
Nga Lindita Çela
“Mirë se ke ardhë! E mirë se të ka pru Zoti! Bukë e kripë e zemën!”. Kështu u prit një vit më parë kryeministri Edi Rama në Theth, nga vajza e zonës veshur me kostumin tradicional, që i zgjati një copë bukë të gatuar nga duart e grave vendase. Kryeministri e theu copën, e ngjyhu në kripë, dhe e shijoi mes ovacioneve folklorike e valltarëve me çifteli, në një skenë që i ngjante më shumë një feste kombëtare sesa një takimi pune.
I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ministrja e Turizmit, kryeministri Rama u rikthye në Theth për ti thënë vendasve se ai ishte një burrë i besës, jo vetëm që do të shpërndante tapitë por dhe të falte gjobat e shumta të ndërtimeve pa leje.
Një muaj më parë, kur kishte vizituar Thethin për t’u folur për “Paketën e Maleve”, Rama kishte premtuar certifikata pronësie për shumë familje, që shteti nuk ua njihte pronën, problem që kishte paralizuar investimet dhe që frenonte turizmin.
200 certifikata pronësie për familjet e zonës ishin bërë gati nga administrata lokale, ndërsa një syresh Rama ua dha me dorën e vet tapinë thethjanëve, në qershor 2024.
“Me 30 qershor ne premtuam do të riktheheshim dhe ja ku jemi sot, në fund të muajit për të shpërndarë titujt e pronësisë… një punë e nisur prej kohësh, që tani është në hapat e fundit. Këtë që po bëjmë këtu, do ta bëjmë edhe në zonat e tjera, si në veri ashtu edhe në jug”, – u tha ai banorëve duke u shpjeguar edhe ngërçet ligjore që pengonin hipotekimin e ndërtimeve të tyre.
“Sot janë 200 tituj pronësie. Ndërkohë që janë dhe 90 të tjerë që do të shpërndahen”, tha ai, ndërsa la të kuptohej se kishte një grup tjetër prej 50 dosjesh që ende nuk mund të legalizoheshin për shkak të ndërtimit jashtë afateve ligjore.
Por edhe për këtë, Rama kishte një premtim.
“Do të gjejmë një zgjidhje të dedikuar për të gjithë ata që janë në kushtet tuaja, ku pamundësia për të marrë një leje ndërtimi ka qenë objektive. Ndërtimet bërë për shkak të nevojës tuaj për të ndërtuar ekonomi përmes turizmit, jo se ju nuk keni dashur të ndërtoni sipas ligjit por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë, ligjërisht zonë e mbrojtur, e ka bërë të pa mundur, dhe qeveria do ti fali të gjitha ato gjobat, sepse nuk janë ndërtime të bëra abuzitivisht për t’i shmangur ligjit.” – vijoi premtimet e tij kryeministri, duke shtuar se edhe gjobat e vendosura nga autoritet për ndërtime pa leje, do të faleshin nga administrata e tij.
Në vend që të fliste për zbatim ligji, Rama zgjodhi të justifikojë ndërtimet e bëra nga vendasit.
“Janë gjoba të vendosura për ndërtime që nuk janë bërë për të shmangur ligjin, por për shkak të nevojës. Këto nuk janë abuzime, por ndërtime të kryera në pamundësi të zbatimit të legjislacionit. Do të falen të gjitha gjobat”, – tha ai ndërsa preku ndjeshmërinë e të gjithë banorëve që kishin sakrifikuar për të investuar në tokën e të parëve.
E gjithë fjala e kryeministrit në atë takim ishte një garanci publike: që përpjekja e banorëve për të kthyer jetën në Theth do të përkrahej, jo ndëshkohej. Premtoi kthimin e të rinjve nga emigracioni, shpëtimin e pronës, një turizëm të lulëzuar dhe një klimë lehtësuese për investimet.
“Do të jetë një destinacion i klasit më të lartë. Këtu do të paguhet shumë për të fjetur një natë”, – u shpreh Rama.
Por në mes korrikut të 2025-ës, në vend të këngës, në Theth dëgjohet zhurma e fadromave. Në vend të çiftelive, britmat e protestuesve. Në vend të përqafimeve, përplasje me policinë.
Në vend të certifikatave të pronësisë, buldozerë
Një vit pas premtimeve të bujshme dhe festës me valle në sheshin e Thethit, banorët janë përballur jo me mbështetje, por me ndërhyrje të dhunshme shtetërore.
Në vend të fletëve të legalizimit, në rrugën që të çon drejt maleve, janë parë makinat e IKMT-së, të shoqëruara nga policia. Aty ku një vit më parë flitej për “falje gjobash”, sot janë lëshuar urdhra prishjesh.
Shtëpi, bujtina dhe struktura turistike që banorët kishin ndërtuar me kredi, me ndihma nga emigrantët, apo me djersë shumëvjeçare, janë shpallur sot “të paligjshme”.
Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci ndërtimet janë në zonë të mbrojtur, pa leje, dhe pas afateve ligjore.
“Qendra e Thethit po rikthehet si zemra e vërtetë e Alpeve Shqiptare! 4 grupe pune, 20 punonjës, 60 rrugë me kamionë dhe 7 fadroma të Bashkisë Shkodër kanë larguar rreth 500 m³ beton nga qendra historike e Thethit. Një ndërhyrje e madhe për të sistemuar, pastruar dhe rikthyer këtë perlë në shkëlqimin e saj të dikurshëm” – shkruan kryebashkiaku.
Por në dhjetëra kronika televizive banorët thonë se ndërtuan mbi tokën e tyre, të trashëguar brez pas brezi. Se e gjithë zona nuk ka pasur asnjëherë plan të miratuar zhvillimi, e për këtë nuk ka qenë e mundur të merren leje.
“Na premtoi se do ta zgjidhte. Sot, për zgjidhje na solli fadromat”, – thotë një banor që po përpiqet të shpëtojë muret e bujtinës që kishte rindërtuar me ndihmën e të birit nga Anglia.
Sipas informacioneve nga terreni, të paktën 150 objekte janë në listën e verifikimit të IKMT, ndërsa disa janë urdhëruar për prishje.
Nga simboli i zhvillimit, në “kriminel pa leje”

Një video nga qendra e Thethit pranë Kullës së Ngujimit që tregonte disa shtëpiza të ngritura mbi beton paralajmëroi nisjen e një aksioni për shembjen e objekteve pa leje në fshat.
Atyre që një vit më parë. Kryeministri u tha të ndërtonin, sot i quan “kriminelë që kanë hedhur betonin e dynjasë”.
“Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel, që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë” – shkruante Rama që nisi edhe një debat me prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, e cila nuk kishte pranuar të niste procedim penal për këto ndërtime.
Ai kritikoi publikisht Prokurorinë e Shkodrës për mosndjekjen e rasteve dhe mbrojti aksionin e IKMT si detyrim ligjor. “Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit… po bëhet një batërdi,” u shpreh Rama.
Fill pas këtij rasti, nisi aksioni masiv i IKMT. Në kulmin e sezonit veror, fadromat, të shoqëruara nga forcat e policisë mësynë në fshat për të shembur rreth 80 apo 90 investime turistike të ndërtuara pa leje.
Forcat e FNSH-së u afruan në fshat për të vëzhguar nga larg, në pritje të një urdhri ndërsa banorët bllokuan urën lidhëze në hyrje të fshatit për t’i penguar fadromat, duke u përplasur me policinë.
Drejtuesi i aksionit të IKMT, një prej funksionarëve më të vjetër aty, Fatmir Meta u tha gazetarëve se urdhri është për prishjen e 70 apo 80 objekteve pa leje.
“Absolutisht, objektet pa leje. Do prishen objekte pa leje, rreth 70 ose 80 objekte pa leje. Ne nuk e interpretojmë ligjin, ne e zbatojmë ligjin. E kemi bërë njoftimin paraprak me ditë të tëra, na është premtuar që do t’i çmontojnë. Është e treta ditë që vijmë te zotëria dhe urdhëro. Janë ndërtime të reja. Nuk jam i qartë për ndërtimet kur janë ngritur. Po bëhet një batërdi, një vend një mrekulli duke ndërtuar kioska në vend ta mbrojmë këtë zonë, këtë mrekulli të zotit, në vend ta mbrojmë, të ndërtojmë me kritere dhe vetë banorët duhet të jenë për ta mbrojtur jo për ta bastarduar” deklaroi Meta.
Por banorët e shohin ndryshe situatën.
Protesta e banorëve

Së pari, ata nuk e kuptojnë se përse shteti po i kërkon të shembin investimet e tyre në kulmin e sezonit, kur disa turistë janë detyruar të anulojnë pushimet, ndërsa të tjerë vëzhgojnë të habitur që dhjetëra policë rrethojnë bujtinat e Thethit si të ishin skena krimi.
“Ne donim të bëjmë një thirrje për një zgjidhje të përbashkët. Por në jo në mes të sezonit të bëni një masakër” u tha një prej protestuesve policëve që kërkonin të hynin në fshat.
Ndërkohë në protestën e filmuar nga dhjetëra kamera, një protestues thotë se është në të drejtën e tij të mbrojnë pronën.
“Ky ka drejtë se i jep urdhër ai tjetri, por edhe ne kemi të drejtë të mbrojmë pasurinë tonë! Se pasha zotin kam kja mbramë kur kam pa atë shembjen e bujtinave aty!”.
“Hapni rrugën thotë që të më shembin shtëpinë, u shpreh një tjetër, – Po ku të rri unë kur të na shembni shtëpinë? Unë në rrugë do rri, në shi. Edhe tani në shi jam. Ju po na shtyni me dhunë. Po na prishni shtëpiat tona” – thotë me zë dhe figurë një tjetër banor i zonës.
Ndërsa shohin fadromat dhe policët u kanë rrethuar shtëpitë, të tjerët kujtojnë se ishin të njëjtët policë dhe inspektorë që merrnin ryshfet kur këto bujtina u ngritën pa leje nga shteti.
Njëri prej tyre, akuzoi direkt në sy drejtuesin e policisë gjatë protestës dhe për pasojë, policët tentuan ta arrestojnë, por pa sukses.
“Ju keni marr lekt për me ba kto ndërtesa! Ju! Ju jeni hajdutat! Ju jeni hajdutat! Sot vini e ua shembni! Ti i pari! (Polici: Paraqitu në prokurori!) Ti i pari që vjen këtu e ua shemb! Ti zbaton ligjin? Ke marr lekt e ke lënë me ndërtue!
Ndërkohë një tjetër protestues i moshuar kujtoi se si kryeministri Edi Rama u kishte premtuar se mund t’i investonin paratë e tyre dhe t’i kthenin fëmijët e tyre nga jashtë për të jetuar në Theth.
“Kur erdhi Edi Rama këtu në Theth, zoti kryeministër i Shqipërisë tha hapur, të gjithë ndërtoni në pronat tuaja. Tani nga doli kjo ide? Rinia u kthye nga jashtë. Unë s’kam dalë asnjëherë jam banor i përhershëm. Unë flakën do t’ia ve. Më mirë të më marrin shpirtin se të bëjnë ato që kanë bë. Kam qa si fëmia dje që u shemb shtëpia e njërit që është i mytur në borxh. E di se ju keni detyrën e shtetit, ju japin urdhra, po edhe ne do mbrojmë pasurinë e djersën tone” – u shpreh një prej banorëve të Thethit./ Shteg.org