Një 23-vjeçar i identifikuar si Renis Dobra u gjet pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, në shpatin e liqenit të Shkopetit, pak metra larg ujit.
Nga këqyrja e trupit të viktimës janë vërejtur disa mavijosje në pjesën e qafës dhe fytit, shenja këto që kanë shtuar dyshimet se i ri mund të jetë mbytur me litar dhe më pas bashkë me automjetin është hedhur në liqenin e Shkopetit.
Gazetarja e kronikës, Etleva Delia, u shpreh në Abc se shkaqet e ngjarjes mbeten ende enigmë, ndërsa grupi hetimor ka ngritur disa pista të mundshme rreth ngjarjes së rëndë. Ajo shtoi se hetimet janë përqendruar tek e shkuara e të riut, pasi ka pasur precedent në fushën e narkotikëve në Gjermani apo dhe te ndonjë konflikt të mundshëm në Burrel.
Sipas gazetares, fakti që prindërit kanë pasur dyshime se djali i tyre mund të jetë rrëmbyer, ata mund të japin informacione të rëndësishme, që mund të çojnë në zbardhjen e motivit.
“Motivi i vrasjes në Shkopet mbetet enigmë. Dyshime janë se mund të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal në Gjermani ose në ndonjë konflikt në Burrel. Babai i tij mund të ketë të dhëna të rëndësishme, që mund t’i shërbejnë grupit hetimor dhe mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes”, tha gazetarja.
Ajo theksoi se vendi ku ka ndodhur ngjarja nuk ka shumë lëvizje automjetesh dhe as kamera sigurie, që mund të ndihmonin grupin hetimor për të mbledhur të dhëna shtesë.
“Është një rrugë e vjetër, që nuk është shumë e rrahur. Familja dyshonte se ishte rrëmbyer. Edhe kamerat e sigurisë, deri njëfarë momenti kanë kapur lëvizjet, por më vonë është krejt e zbehtë situata se çfarë mund të ketë ndodhur.”, tha ajo.