Edi Rama kërkoi pak ditë më parë pezullimin e menjëhershëm të veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU). Por, lidhur me këtë temë, juristi Kreshnik Spahiu kujtoi se si vitin e kaluar, karteli i ushqimeve me kimikate, AKU dhe qeveria u bashkuan duke sulmuar dhe shantazhuar kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehun, pasi zbuloi se në Shqipëri ishin tregtuar akullore të kontaminuara me oksid etileni që shkaktojnë kancer, leucemi dhe ndikojnë në aftësinë riprodhuese tek meshkujt.
Spahiu risolli në vëmendje se si Prokuroria e Tiranës dhe qeveria u bashkuan me AKU-në, në mbrojtje të oligarkëve të ushqimeve, të njohur edhe si tregtarët e vdekjes. Presioni ndaj KLSH-së synonte ndalimin e auditimeve që mund të zbulonin mashtrimin me ushqime, ushqimet me kimikate të ndaluara dhe përfituesit e krimit ushqimor.
“Disa muaj më parë një lajm kaloi tangent në mediat shqiptare, ku qe një nga lajmet më të rëndësishme, ku drejtuesi i Kontrollit të Lartë të Shtetit doli dhe pati një përplasje me prokurorinë, po dhe me AKU, për shkak se ai kishte paraqitur një kallëzim penal për produktet kancerogjene, në të cilat tregtoheshin akulloret në Shqipëri dhe ato kishin refuzuar që edhe ti konfiskonin edhe ti bllokonin dhe i kishin lënë ende në treg. Çështja penale nuk kishte filluar. Nga përplasja me KLSH, jo vetëm që qeveria nuk u rreshtua në krah të kreut të KLSH, por ngritën një komision ku e kryqëzuan kreun e KLSH vetëm për këtë iniciativë që mori. Absolutisht bënë përpjekje për t’a denigruar në çdo lloj aspekti politik dhe për t’a vënë në presion. Mbajtën krahun e AKU. Dhe ky ishte momenti ku qeveria duhet të tregonte seriozitetin që ka për ndërtimin e një standarti dhe një institucioni të fortë. Unë nuk mendoj që vjen e keqja se kujt partie i është lënë, unë mendoj që Shipëri problemi bazik është që nuk ka ndërgjegjësim dhe unë të falënderoj që ke ngritur këtë emision, se po të kishe ngritur ndonjë emision për mercedesat, për kontrollin e makinave, ndoshta do na ndiqnin 2 milionë, njëqind për njëqind e shqiptarëve sepse nuk ka ndërgjësim kur thua për kontrollin ushqimor. Kontrolli ushqimor sot në çdo vend të BE, që nga viti 2002 ka një kuadër ligjor dhe një agjensi europiane të cilët kanë standartizuar një zinxhir kontrollesh, standardesh, testesh apo sanksionesh që lidhen me gjithë procedurat e standardit ushqimor“, tha Spahiu.
Spahiu tha gjithashtu se AKU ka pasur performancë të dobët. Ai tha se Shqipëria do ta ketë të vështirë të arrijë standardet e Bashkimit Europian sa i përket kontrollit ushqimor.
“Është edhe show edhe situata është emergjente. AKU është agjencia më jo stabile në vend, drejtuesit e saj janë ndërruar me muaj jo me vite. Shqipëria atë me të cilën është krenuar deri dje sot se ka. Thuhet në Shqipëri haet mirë dhe produktet bujqësore janë të mira, por sot është një nga vendet me cilësinë më të dobët ushqimore dhe kjo vjen sepse instituti i kontrollit ushqimor është ai më i dobëti. Do jetë e vështirë për Shqipërinë që të arrijë standardet e BE. Shqipëria konsumon 80% produkteve ushqimore jashtë standardeve europiane”, tha ai.
Spahiu tregoi si veprohet në vendet e tjera në momentin kur konstatohet një produkt me probleme në doganë.
“Me importimin e mallrave që vijnë në doganë inspektimi i AKU fillon nga pjesa e doganës dhe në territorin shqiptar. Por përshembull AKU gjermane konstatoi gjatë inspektimit disa çokollata me alumin të ardhuara nga Azia dhe e futi në listë të zezë kompaninë dhe produktin duke e sekuestruar dhe duke informuar të gjitha vendet e BE”, tha ai.
Juristi Kreshnik Spahiu shtoi se vendi ynë është larg standardeve të Bashkimit Europian për ushqimet bio dhe të kontrolluara. Sipas tij, ne jemi i vetmi vend që nuk tregtojmë asnjë ushqim BIO sipas standardeve BE.
“Një nga përmirësimet që ka bërë BE është se në 2002 ka ngritur një strukturë për ushqimet organike dhe ato bio dhe ato rregullohen nga fara, tek transporti, etiketa dhe vula dhe Shqipëria është larg për të bërë këtë standard. Në vendet e BE ke dyqane që kanë ushqime 100 % bio. Ne s’jemi për të bërë reklamë këtu, apo antireklamë. Në Shqipëri hahet në mënyrë të shijshme por të ushqehesh në mënyrë të shijshme s’do të thotë se ushqehen në mënyrë të shëndetshme. Të marrim një picë duke nisur nga mielli që nuk dihet, nga mishi i përpunuar, proshutat djathërat janë të pashëndetshme dhe jo bio. U përmend vaji i palmës, ai nuk është i ndaluar, por duhet që të bëhet transparencë nëse një produkt është ose jo me vaj palme. Kur ne kemi grurin, bukën, qumështi dhe nënproduktet e tij jashtë standardit të BE ku është të ushqyerit shëndetshëm në Shqipëri?“, tha ai në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’.