Analisti Fatos Lubonja ka komentuar me tone të ashpra procesin e rinumërimit të votave dhe kulturën politike në vend, pas zbulimeve për manipulime në Qarkun e Fierit. I ftuar në studion e “News24”, Lubonja tha se figura si Ceno Klosi nuk fitojnë nga vlerat, por përmes ndikimit të institucioneve dhe klientelizmit, duke përmendur Tatimet si mjet për shantazh apo favore.
“Këta deputetë nuk janë zgjedhur për ide apo përfaqësim, por janë marioneta të krimit apo të grupeve që i çojnë aty për interesa të caktuara. Ceno Klosi është shembull i kësaj – ka marrë shumë vota sepse ka pushtet mbi institucione si Tatimet, të cilat shërbejnë për të ndëshkuar ose shpërblyer njerëzit sipas interesit”, deklaroi Lubonja.
Ai shtoi se deformimi i votës është rezultat i bashkëpunimit mes politikës dhe krimit, dhe se shteti në Shqipëri mbetet ende i paformuar.
“Jemi në një shoqëri para-politike. Këtu secili ka bandën e vet. Polici bashkëpunon me krimin, Prokuroria është inekzistente, çdo gjë funksionon nëpërmjet dominimit dhe klientelizmit. Kjo është trashëgimi direkte e kulturës enveriste, ku arroganca dhe kontrolli i të gjithave pushteteve është norma”, u shpreh ai.
Sipas analistit, këto fenomene nuk janë përjashtime, por mënyra standarde e funksionimit të sistemit aktual politik dhe shtetëror në Shqipëri.