Banorët e fshatit Kurdari në Klos kanë hyrë me forcë brenda në Bashki dhe janë përplasur me policët duke protestuar kundër ndërtimit të Hidrocentralit (HEC), të cilin e konsiderojnë si një kërcënim për jetën e tyre.
Ata janë shprehur se uji është elementi jetik për mbijetesën e fshatit, pasi bujqësia dhe frutokultura janë burimet e vetme të të ardhurave për ta.
Sipas tyre, ndërtimi i këtij HEC-i do t’i lërë ata pa furnizim me ujë dhe për pasojë do të shkatërrojë çdo mundësi jetese.
Ky HEC, i cili do të ndërtohet nga një zhvillues i huaj, ka marrë mbështetje nga ministrja Belinda Balluku, e cila ka firmosur për zhvillimin e projektit dhe ka dhënë “bekimin” për realizimin e tij.
Ata theksojnë se ndërtimi i HEC është një krim ndaj fshatit dhe jetës së tyre dhe kërkojnë që ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku të japë llogari.
“Na ka marrë kryetarja në qafë, po na detyron ta bëjmë këtë çështje politike. Ju po na shkatërroni të ardhmen, po bëni krim ndaj jetës sonë!” – thanë banorët gjatë protestës.
Ata janë të vendosur të vazhdojnë me protestën dhe të kërkojnë ndalimin e këtij projekti.