Policia e Shtetit pa shpalllur më në fund fituesin e tenderit të furnizimit të forcave të rendit me pajisje policore dhe siç mëson Skyweb.al tenderi i është dhënë kompanisë MSSC me pronar biznesmenin Emiljano Dusha kundrejt ofertës 50 300 000 lekë.
Tenderi u shpall në prill 2025, por pas disa shtyrjes dhe anulimesh për shkaqe ende të paditura, tashmë fitues është shpallur furnizuesi i përhershëm i Policisë së Shtetit me armatim si edhe pajisje policore, Emiljano Dusha.
Dusha ka një histori të gjatë me tenderët e Policisë së Shtetit, ndërsa më herët ishte paditur në SPAK nga opozita me akuzën e blerjes së votave në shërbim të Partisë Socialiste.
Siç konfirmohet nga dokumentet e konsultuara nga Skyweb.al, MSSC ka qenë kompania e vetme që ka dhënë ofertë në këtë tender duke e marrë atë praktikisht pa garë. Fondi limit ishte 55 000 000 lekë, ndërkohë që rezulton që Dusha e ka fituar me ofertën 50 300 000 lekë ose rreth 91% të fondit limit.
Edhe pse janë edhe 3-4 kompani të tjera të fokusuara në këtë profil, çuditërisht anjëra prej tyre nuk ka dhënë ofertë duke ia lënë rrugën e hapur MSSC-së për të marrë tenderin e radhës në Policinë e Shtetit.
Të njëjtat kompani duket se “ishin marrë vesh” me njëra-tjetrën duke marrë secila nga një “copë” prej tenderit të armëve dhe municioneve të Policisë së Shtetit.
Natyra e pajisjeve të blera si edhe raporti ekskluziv i Emiljano Dushës me Policinë e Shtetit e vendos atë gjithnjë në “pole position” për tenderët e këtij profili duke shkatërruar tërësisht garën dhe dëmtuar financat publike.
Më herët, kompania MSSC kishte marrë tenderin sekret 30 milionë euro të armëve të ushtrisë nëpërmjet negociimit të drejtpërdrejtë.
MSSC ka rritur ndjeshëm xhiron e saj gjatë dy viteve të fundit duke e mbyllur vitin 2023 (bilanci 2024 nuk është publikuar ende) me 822 milionë lekë fitim (8.2 milionë euro), të cilat kanë ardhur përgjithësisht nga tenderi i armëve të ushtrisë.
Kompania ka nisur të bëjë xhiro të mëdha fill pas vitit 2013, ndërsa më pas nuk ka patur ndonjë aktivitet të qenësishëm./ Skyweb.al