Në 4 qershor 2025, deputeti socialist Eduard Shalsi depozitoi në Kuvend një projektligj me objekt “Për një ndryshim në ligjin nr. 7764, datë 2.11.1993 “Për investimet e huaja”, i ndryshuar“. Në letër, duket një nismë e thjeshtë dhe e qetë. Në praktikë, është një shenjë alarmi për mënyrën si po trajtohet procesi ligjvënës në Shqipëri, veçanërisht kur vjen puna te temat sensitive si infrastruktura kritike, liria e medias dhe investitorët e huaj.
Në raportin e përgatitur nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut – i cili sot, më 23 qershor 2025, e miratoi nismën symbyllurazi– hasim një dokument me tre faqe, ku përveç pjesëmarrjes dhe një pasqyrimi copy-paste nga relacioni i paraqitur, nuk gjendet asnjë analizë reale, debat substancial apo shqetësim legjitim për përmbajtjen.
Ligj me një paragraf, justifikim pa firmë
Projektligji shton thjesht një paragraf të ri në nenin 10 të ligjit në fuqi për investimet e huaja, i cili përfshin investime që prekin “infrastrukturën publike kritike, teknologjitë e dyfishta, aksesin në informacionin sensitiv apo mbi lirinë e medias” si objekt vlerësimi apo ekzaminimi nga një akt nënligjor që do të nxirret nga Këshilli i Ministrave.
Dhe këtu qëndron edhe paradoksi i madh ligjor dhe politik: një ligj për investime që prekin thelbin e sovranitetit publik po tenton të delegojë rregullimin përfundimtar me një VKM. Pa debat. Pa transparencë.
Dhe nëse duam të jemi më të saktë – edhe pa firmë: relacioni shoqërues nuk mban firmën as të vetë propozuesit, Eduard Shalsi.
Në paragrafin e parë të relacionit nuk përmendet asnjë kërkesë konkrete nga Komisioni Europian – vetëm një formulim i vagullt se “BE e ka vendosur si kusht”. Cili akt? Cila shkresë? Cili takim? Asnjë shenjë.
Misioni i pamundur: përafrim me një paragraf
Pyetja që mbetet pezull është: a mund të përafrohet legjislacioni shqiptar me rregulloren (EU) 2019/452 përmes një paragrafi të shtuar në një nen ekzistues?
Deputetja Ermonela Felaj, e cila mori pjesë në mbledhjen e komisionit, e shtron këtë pyetje në mënyrë retorike, duke pyetur nëse nisma përputhet “plotësisht apo pjesërisht” me direktivën. Por kur ke vetëm një paragraf, çfarë mund të përputhësh? Madje, edhe vetë propozuesi, z. Shalsi, thotë se përafrimi do të ndodhë me një VKM. Pra, parlamenti “veror” do mblidhet të nxjerrë një ligj që në thelb vetëm autorizon ekzekutivin të bëjë “punën e vërtetë”.
Pikërisht këtu lind një problem i madh kushtetues. Kushtetuta shqiptare i njeh Kuvendit kompetencën për të rregulluar fushat që prekin të drejta themelore, sigurinë kombëtare dhe pasuritë publike. Investimet që prekin infrastrukturën kritike apo teknologjitë e dyfishta janë një nga këto fusha. Delegimi i kompetencës te një VKM bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e ndarjes së pushteteve dhe me nenin 1 të Kushtetutës që thotë se “qeverisja bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve”.
Kujt i shërben kjo nismë?
Projektligji ka ardhur pa u planifikuar në programin analitik vjetor të Këshillit të Ministrave. Nëse kjo është një kërkesë e BE-së, lind pyetja: pse nuk është reflektuar në programin vjetor analitik të projektakteve që miraton Këshilli i Ministrave?
A mos ndoshta, kjo është thjesht një nismë e sajuar për një investim të caktuar?
Në sfondin e kësaj nisme ligjore, nuk mungojnë zërat që aludojnë për një projekt ambicioz që mund të lidhet me ishullin e Sazanit — një territor me rëndësi të lartë strategjike dhe historike.
Në korridoret politike të Shqipërisë, përflitet jo fare fshehur se, pas kësaj nisme mund të fshihen interesa të caktuara të huaja, që synojnë të fitojnë akses në zona kyçe të territorit shqiptar përmes mekanizmave të butë si një VKM, që është akt rutinë qeverie, i cili kalon pa shumë zhurmë, pa shumë kontroll, e që në dukje shmang “ortakërinë” me opozitën.
Nëse kjo do kishte gjasa të ishte e vërtetë, atëherë nuk është më thjesht çështje përafrimi me BE-në, por një lojë e qeverisë me pronën dhe sigurinë kombëtare të vendit, ku dera e pasme mund të jetë hapur që në Kuvend.
Eduard Shalsi, deputeti propozues, hedh firmën e tij nismëtare me vulën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, por nga ana tjetër kёsaj nisme i bashkёlidhet një relacion i pafirmosur.
Përafrim apo mashtrim?
Në një klimë ku besimi publik në Shqipëri është në nivele dukshëm të ulëta dhe transparenca ligjvënëse është jetike, kjo iniciativë nuk ndihmon aspak.
Nëse sot Kuvendi kalon një ligj të tillë pa debat, pa amendamente, pa analizë të ndikimit real dhe pa përfshirje publike – atëherë nuk bën veçse rolin e noterit përballë qeverisë.
Sigurisht që, nuk është kjo mënyra se si një shtet anëtar i ardhshëm i BE-së përmbush kushtin për një “legjislativ të fortë dhe të pavarur”.
Një shtesë ligjore që nuk përcakton kritere të qarta, që përmend “lirinë e medias” mes kritereve për investime të huaja, pa sqaruar lidhjen mes tyre, dhe që nuk vendos asnjë mekanizëm kontrolli parlamentar mbi aktet që do nxirren – është një rrezik për standardet demokratike.
Jo çdo VKM është reformë! As vetë reforma nuk mundet të bëhet me vendime unilaterale të qeverisë. As me ligje të shkruara në zyrat e ekzekutivit për të legalizuar më pas procese të errëta.
Nëse Shqipëria ka zgjedhur rrugën e integrimit europian, atëherë ajo duhet ta marrë seriozisht shtetin e së drejtës. Pa procedura të përshpejtuara. Pa relacione boshe dhe raporte memece copy-paste.
Ndoshta nesër, kur të paraqitet ndonjë investim që synon një port detar apo një rrjet energjetik, dhe vendimi të merret thjesht me një VKM të miratuar në heshtje, atëherë Kuvendi i deputetëve të zgjedhur nga populli, mund të kujtohet – por do ishte tepër vonë. Kuvendi do kujtohej se harroi detyrën për të cilin shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë e krijuan: të mbrojë interesin publik dhe sovranitetin kombëtar.
A do refuzojnë 140 deputetët të “damkosen”?
Duket sikur është fatale: ata që janë sot, do jenë përsëri nesër. E njëjta qeveri. I njëjti Kuvend. E njëjta mendësi. I njëjti pushtet.
Nëse 140 deputetët që sot, në fund të mandatit, do votojnë pa asnjë shqetësim për këtë nismë anti-popullore, ata do të mbahen mend jo si ligjvënës, por si bashkëpunëtorë në krimin institucional të shpërdorimit të pasurive publike dhe të cenimit të sigurisë kombëtare. Më shumë se 140 deputetët e Reformës në Drejtësi.
Deputetët e Kuvendit aktual, duhet të refuzojnë “damkosjen”. Sepse kur ligjet nisin me një paragraf dhe mbyllen me një VKM, përgjegjësia nuk humbet mes “kolegjialitetit” – ajo mbetet mbi firmën dhe dorën që pulson votën e secilit./ Bufiim.com