Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike. Deri më tani janë raportuar rreth 20 vatra zjarri në total, nga të cilat 3 vijojnë të jenë aktive.
Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vatrat aktive ndodhen në tre qarqe: Vlorë, Lezhë dhe Kukës.
Mësohet se në Vlorë, vatra më problematike është ajo në fshatin Kudhës, bashkia Himarë ku raportohet se flakët kanë intensitet të lartë.
Në zonat Qafë Lerë – Llaman gjithashtu ka vatra të vogla zjarri aktive.
Ndërsa në Kukës, në fshatin Kolsh, zjarri ka rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane dhe flakët janë përhapur të favorizuara edhe nga temperaturat e larta.
Vatra tjetër aktive raportohet se është në Lezhë, në fshatin Ndërfan të Mirditës, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pyll të ri dhe shkurre.
Prej ditësh temperaturat e larta janë bërë shkak i zjarreve në vend. Përpos vatrave të larpërmendura, flakët kanë përfshirë edhe disa zona në Lushnje, ku janë djegur gjithashtu sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre e bimësi.