Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një njoftim zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për rreziqe të mundshme që lidhen me përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.
Në deklaratë thuhet se për shkak të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, disa vende kanë ndërprerë përkohësisht fluturimet dhe kanë mbyllur hapësirat ajrore, ndërsa ekziston edhe mundësia për protesta të papritura apo veprime të dhunshme që mund të shënjestrojnë qytetarë ose interesa amerikane jashtë territorit të SHBA.
“Departamenti i Shtetit u bën thirrje qytetarëve amerikanë në të gjithë botën që të tregojnë kujdes të shtuar. Protesta dhe ngjarje të tjera të paparashikueshme mund të ndodhin në disa vende si reagim ndaj situatës në Lindjen e Mesme. Udhëtimet drejt rajonit duhet të shmangen për sa kohë të mbetet e pasigurt situata”, thuhet në njoftim.
Ky paralajmërim vjen në një kohë tensioni të lartë në rajon, pasi Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer goditje të drejtpërdrejta pas bombardimeve të fundit ndaj objekteve iraniane, duke rritur rrezikun për destabilitet më të gjerë në Lindjen e Mesme.