Një qytetar ka denoncuar publikisht për JOQ Albania një ndërhyrje brutale dhe të paligjshme në parkun e madh të Liqenit Artificial në Tiranë, një zonë mjedisore e shpallur e mbrojtur dhe e destinuar për rekreacion.
Sipas denoncimit në këtë zonë janë zhvilluar ndërtime të paautorizuara, janë dëmtuar sipërfaqe të gjelbra, është lënë mes pisllëkut dhe janë prerë pemë, pavarësisht investimeve publike të kryera më herët në përmirësimin e infrastrukturës.
Qytetari shpreh indinjatë për heshtjen e institucioneve. Qytetari shkruan se as Policia e Shtetit as Policia Bashkiake dhe as institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit nuk kanë ndërmarrë hapa për të hetuar apo ndaluar masakrën.
Qytetari në fund kërkon që Prokuroria të hetojë rastin dhe Ministria e Turizmit dhe mjedisit të ndërhyjë për vlerësimin e dëmeve, teksa shton se kërkohet edhe një reagim zyrtar nga ana e Bashkisë Tiranë.
Përveç dëmeve në gjelbërim dhe ndërtimit të paligjshëm, situatat në parkun e Liqenit Artificial rëndohet edhe më shumë nga grumbullimi i mbeturinave që në këtë vapë përhapin erë të rëndë dhe rrezikojnë shëndetin publik, teksa Tiranë nuk vepron.
Denoncimi i qytetarit për JOQ Albania:
Unë, si qytetar i shqetësuar dhe i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive publike të përbashkëta, denoncoj publikisht një masakër mjedisore të ndodhur në zemër të Tiranës – në Parkun e Madh të Liqenit Artificial, një zonë e shpallur e mbrojtur mjedisore dhe e trajtuar nga vetë qeveria si një hapësirë për zhvillimin e sportit dhe rekreacionit të qytetarëve.
Në këtë hapësirë, ku janë bërë investime publike me fonde shtetërore për të krijuar infrastrukturë moderne për sportistët dhe komunitetin, është zhvilluar një ndërhyrje brutale dhe e paligjshme, që përfshin dëmtimin e sipërfaqeve të gjelbra, prerje të pemëve dhe ndërtime të paautorizuara.
E ulëritshme është heshtja totale dhe mungesa e çdo reagimi institucional: • Policia e Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor për të hetuar këtë krim mjedisor; • Bashkia e Tiranës, që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi këtë zonë, ka heshtur në mënyrë të pashpjegueshme; • Strukturat përgjegjëse për mjedisin, si Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, nuk kanë marrë asnjë masë.
Ekziston një dyshim serioz se kjo heshtje institucionale lidhet me një marrëveshje korruptive mes organizatorëve të kësaj masakre dhe zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës.
Ky është një akt kriminal që dëmton jo vetëm natyrën dhe pasurinë publike, por edhe shkel rëndë të drejtat e qytetarëve për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të mbrojtur.
KËRKESAT E MIA JANË TË QARTA: 1. Hapja e një hetimi urgjent nga Prokuroria mbi këtë rast. 2. Ndërhyrja e menjëhershme e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të konstatuar dëmet dhe për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale. 3. Reagimi publik i Bashkisë së Tiranës, për të dhënë llogari për këtë skandal dhe për rolin (aktiv ose pasiv) të saj në këtë çështje.
I bëj thirrje të gjitha mediave të lira, organizatave mjedisore dhe qytetarëve të ndershëm të reagojnë kundër kësaj shkatërrimi dhe të kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi./ JOQ