Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 3 shkurt pushimin e gjykimit të vetingut të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës, Bevis Shehaj, vendimarrje që e riktheu atë në detyrë. Vendimi u mor me shumicë votash, ku shumica çmoi se Shehaj kishte qenë student në kohën kur ka hyrë në fuqi legjislacioni për vetingun e magjistratëve dhe nuk mund të konsiderohej i tillë. Pakica vlerëson ndryshe, duke sjellë në vëmendje se Shehaj kur ka kryer praktikën si gjyqtar, ka gëzuar të drejtat dhe detyrimet e magjistratit dhe për rrjedhojë duhej t’i nënshtrohej vetingut.
Bevis Shehaj u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kalifikimit, KPK më 15 qershor të vitit 2022, me shumicën e votave të anëtarëve të trupës.
Shehaj depozitoi në Komision në janar të vitit 2020 një kërkesë për mosfillimin e procedurës së rivlerësimit ndaj tij, duke parashtruar se ishte emëruar në detyrë pas datës 22 korrik 2016, kur hyri në fuqi ligji për rivlerësimin kalimtar të magjistratëve dhe për rrjedhojë nuk ishte subjekt rivlerësimi. Po ashtu, Shehaj vërejti se ishte verifikuar nga instituciont përkatëse, ashtu si të gjithë magjistratët e rinj.
Shumica e trupës së KPK konkludoi se Shehaj ishte subjekt rivlerësimi dhe pasi kreu procesin e vetingut ndaj tij, e shkarkoi për probleme në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit, duke çmuar se me qëndrimet dhe veprimet e tij kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Shehaj u konsiderua si subjekt rivlerësimi nga shumica me argumentin se kishte kryer stazhin si gjyqtar me emërim të përkohshëm në vitet 2015-2016, duke gëzuar të drejtat e dhe funksionet e gjyqtarit, si dhe për faktin se vetë ai e kishte konsideruar veten si subjekt, pasi me vullnetin e tij të lirë kishte plotësuar dhe depozituar në afatet ligjore deklaratat dhe dokumentacionin përkatës shoqërues në lidhje me kriterin e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.
Ndërsa pakica vlerësoi se Shehaj nuk përfshihej në asnjë nga kategoritë e përcaktuara lidhur me subjektet e rivlerësimit në kohën e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun e magjistratëve. Megjithatë, ajo shtoi se dhe se do t’ë kryhej rivlerësimi ti tij, atëherë duhej të konfirmohej në detyrë.
Vendimi i Komisionit u ankimua në Kolegj nga gjyqtari Bevis Shehaj, i cili kërkoi ndryshimin apo prishjen e tij, duke pretenduar se është marrë në kundërshtim me provat, faktet dhe ligjin.
Po ashtu, Shehaj kërkoi kryerjen e një analize të re financiare për pasuritë nën emrin e tij, si apartament, garazh dhe automjet, të dhuruara nga prindërit përpara emërimit në detyrë në vitet 2011 dhe 2014, duke evidentur se është emëruar si magjistrat në janar të 2017-ës dhe një muaj më vonë është caktuar në detyrë. Ai ka kërkuar që në analizën financiare të konsiderohet fakti se janë pasuri të dhuruara nga prindërit dhe për këtë arsye të kryhet bazuar në të ardhurat e tyre dhe duke hequr shpenzimet jetësore.
Ndër të tjera ai kërkoi të konsiderohet si një magjistrat, i cili nuk mund t’i nënshtrohej procedurës së rivlerësimit kalimtar, për shkak se i është nënshtruar njëherë këtij procesi përpara emërimit në detyrë.
Në vijim, Kolegji konstaton se gjyqtari Shehaj nuk ngre pretendime për shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore publike, duke qenë se ka kërkim primar prishjen e vendimit të Komisionit, që e cilëson të marrë në aplikim të gabuar të ligjit, pasi nuk bënë pjesë në kategorinë e subjekteve të rivlerësimit.
Pushimi i çështjes nga shumica
Shumica e Kolegjit vlerëson aktet e administruara nga Komisioni për Shehajn, prej nga është konstatuar se ai është kualifikuar për të ndjekur programin 3-vjeçar të formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, në profilin e gjyqtarit, për periudhën 2013-2016. Pas përfundimit të vitit të dytë, në vitin 2015, ai është caktuar për të kryer stazhin profesional pranë Gjykatës së Tiranës.
Me vendim të datës 20 janar 2017 të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, Shehaj është emëruar magjistrat dhe afro një muaj më vonë është caktuar si gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Shumica vëren se subjekti është emëruar në detyrë me hyrjen në fuqi të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nëntor të vitit 2016, që vlerësohet se ka sistemuar në mënyrë të posaçme brezin e studentëve të Shkollës së Magjistraturës që përfunduan studimet në vitin akademik 2016 – vit i cili korrespondon me ndryshimet kushtetuese dhe të kuadrit ligjor të reformës në sistemin e drejtësisë.
Sipas shumicës së Kolegjit, hyrja në fuqi e ligjit që miratoi ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në kuadër të reformës në drejtësi, e gjeti Shehajn të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, por të paemëruar nga ish-KLD-ja si “magjistrat”.
Po ashtu, Kolegji sjell në vëmendje se në nenin 136/a të Kushtetutës parashikohet se, gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre sipas ligjit.
“Në rastin konkret, Komisioni ka konsideruar si subjekt rivlerësimi z. Shehaj që në vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, kur ishte akoma student dhe i padiplomuar”, shprehet shumica e trupës së KPA dhe konstaton se studentët që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës cilësohen kandidatë për magjistratë.
Tjetër argument që paraqet shumica është edhe përcaktimi në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, se cilat ishin organet që do të ushtronin përkohësisht kompetencat e institucioneve të reja që nuk ishin krijuar ende.
Shumica e Kolegjit vlerëson për parashikimi ligjor tregon se qëllimi i ligjvënësit ka qenë që ky grup kandidatësh për magjistratë ku bënte pjesë dhe Shehaj, t’i nënshtroheshin kontrollit, sipas juridiksionit të zakonshëm, para se ata të emëroheshin në detyrë, ashtu siç edhe është parashikuar për brezat e ardhshëm të kandidatëve për magjistratë.
“[…]ndërsa ligjvënësi ka pasur për qëllim që këta magjistratë t’i nënshtroheshin juridiksionit të zakonshëm, ai nuk mund të ketë pasur për qëllim që t’i përfshinte ata në grupin e subjekteve të rivlerësimit që do t’i nënshtroheshin kontrollit, sipas juridiksionit të posaçëm të rivlerësimit, në zbatim të nenit 179/b të Kushtetutës, duke vendosur vetëm për këtë grupim që t’i nënshtroheshin një kontrolli të dyfishtë”, arsyeton KPA dhe shton se ish-KLD-ja ka respektuar edhe afatet ligjore për emërimin e Shehajt brenda dy muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit dhe caktimin në pozicion brenda tre muajve.
Lidhur me dorëzimin e deklaratave për rivlerësimin nga ana e subjektit, Kolegji vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të afektojë interpretimin që përcaktimeve kushtetuese, që lidhet me vullnetin e ligjvënësit dhe jo me sjelljen procedurale të subjekteve.
Në përfundim shumica e trupës së KPA vlerëson se momenti i emërimit të ankuesit si gjyqtar, me vendimin e ish-KLD-së në janar të vitit 2017, është momenti kur ai ka fituar statusin e magjistratit dhe për rrjedhojë kontrolli dhe vlerësimi i tij duhej t’I nënshtrohet juridiksionit të zakonshëm dhe jo institucioneve të vetingut.
“[…]veprimtaria e Komisionit, si një prej institucioneve të rivlerësimit, është kryer në tejkalim të juridiksionit të tij kushtetues e ligjor, duke ia nënshtruar çështjen e ankuesit procesit të rivlerësimit, në kushtet e mungesës së juridiksionit të rivlerësimit”, vlerëson shumica e Kolegjit ndërsa pretendimet e tjera për pasurinë dhe profesionalizmin janë gjetur të panevojshme për t’u trajtuar.
Në përfundim, shumica e Kolegjit e përbërë nga kryesuesja Mimoza Tasi, relatorja Ina Rama dhe anëtarja Albana Shtylla kanë vendosur prishjen e vendimit të Komisionit dhe pushimin e gjykimit të çështjes për vetingun e gjyqtarit Bevis Shehaj.
Mendimi i pakicës
Anëtarët e Kolegjit, Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz kanë dalë në pakicë duke votuar kundër vendimit të marrë lidhur me kontrollin e vendimarrjes së Komisionit për Shehajn. Ata shprehen se ndajnë të njëjtin qëndrim me shumicën lidhur me konstatimin e situatës faktike për sa i përket periudhës së studimeve të Shehajt, caktimin e tij për të kryer stazhin profesional, emërimin si magjistrat gjyqtar dhe caktimin për ushtrimin e funksionit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Por ata kanë dalë me qëndrim të kundërt për sa i përket mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të parashikimeve kushtetuese dhe legjislacionit, që përbën paketën ligjore të reformës në drejtësi të miratuar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016.
Sipas pakicës, bazuar në ligjin e vitit 1996, “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Shehaj, gjatë periudhës së stazhit profesional në vitin 2016, gëzonte të drejta dhe kishte detyrime njësoj si magjistratët e tjerë në detyrë. “Këto të drejta dhe detyrime janë gëzuar dhe duhet të përmbusheshin nga subjekti i rivlerësimit”, vërejnë Schuetz dhe Çomo dhe shtonë se në kuadër të këtyre detyrimeve, rezulton që Shehaj të ketë plotësuar formularët përkatës.
Duke ju referuar legjislacionit të vetingut të magjistratëve, pakica konstaton se të gjithë magjistratët në detyrë duhet t’i nënshtroheshin procesit të rivlerësimit kalimtar ex officio.
Pakica vlerëson se me të drejtë shumica e trupës së KPK e ka konsideruar gjyqtarin Bevis Shehaj si subjekt rivlerësimi në kuadër të procesit të vetingut.
“[…]interpretimi që Kolegji duhet t’i bënte zbatimit të nenit 179/b të Kushtetutës në çështjen konkrete nuk duhet të ishte literal, por sistematik, në frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe parashikimeve të paketës ligjore të vitit 2016, për implementimin e reformës në drejtësi. Ndryshimet kushtetuese, si dhe parashikimet ligjore të kësaj pakete kërkojnë që asnjë magjistrat të mos ushtrojë detyrën pa iu nënshtruar verifikimit të pasurisë dhe figurës”, arsyeton pakica e Kolegjit dhe e gjen të pajustifikueshëm vlerësimin e shumicës se Shehaj nuk duhet t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit kalimtar.
Analizën e shumicës për zgjidhjen e çështjes, të bazuar vetëm në parashikimet e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Schuetz dhe Çomo e konsiderojmë jo të përshtatshme, duke ritheksuar faktin se, në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, Shehaj gëzonte të drejtat dhe detyrat e magjistratit si pasojë e një ligji tjetër.
Pakica e vlerëson mënyrën e e saj të inperpretimit të parashikimeve ligjore në pajtim me frymën e Kushtetutës dhe në përmbushje me qëllimin e reformës në drejtësi, për të rikthyer besimin e publikut te një sistem drejtësie ku magjistratët ushtrojnë misionin e dhënies së drejtësisë, pasi të jenë verifikuar në lidhje me integritetin e figurës, ligjshmërinë e pasurisë së tyre dhe profesionalizmin.
Bazuar në këtë arsyetim, pakica ka kërkuar kontrollin në themel të vendimit të KPK, por kjo është pamudnësua nga vendimi shumicës./BIRN