Fiorentina ka hedhur sytë nga Kristjan Asllani për të përforcuar mesfushën, me trajnerin Stefano Pioli që e sheh shqiptarin si profilin ideal për ndërtimin e lojës në Firenze.
Drejtuesit vjollcë kanë nisur kontaktet paraprake me Interin, të cilët janë të gatshëm të dëgjojnë oferta. Te zikaltrit prej kohësh kanë menduar se një transferim huazim ose i përhershëm në një skuadër me më shumë hapësira mund të ishte rruga më e mirë për zhvillimin e 23-vjeçarit.
Tanimë pengesa kryesore mbetet vetë lojtari. Sipas raportimeve nga mediat italiane, Asllani nuk ka ndërmend të largohet nga “San Siro”, të paktën për momentin.
Pas ndërrimit të trajnerit, me Chivu që ka marrë frenat pas largimit të Inzaghit, mesfushori shqiptar shpreson se mund të ketë më shumë minuta në sezonin e ardhshëm dhe dëshiron të luftojë për vendin e tij në formacion.
Situata mbetet për t’u ndjekur gjatë verës, por për momentin transferimi i Asllanit drejt “Artemio Franchit’’ është në pritje.