NGA Piro Ahmetaj
Në kapacitetin e angazhimeve në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit dhe NATO-s, kam ndjekur me përgjegjësi të shtuar dinamikën e 1260 ditë/net luftime të përgjakshme për/me Ukrainën: “dhjetëra konferenca të Këshillit të Atlantikut, Institutit të Luftës; panele të kolegëve të sigurisë në USA, Bruksel, Qendrën Marshall, Kolegjin e NATO-s; 3 Samitet e fundit, Madrid-2022, Vilnus-2023, Washington 2024, si dhe që do mbahet në Hagë, në fund të këtij muaji”!
Së pari, sjell në vëmendjen publike se në dhjetëra vlerësime strategjike (të publikuara brenda dhe jashtë vendit), përgjatë 42 muaj luftime kam të optimizuar besimin se: “herët ose vonë, Rusia-Putiniste do ta humbasë me turp, luftën për pushtimin e Ukrainës martire si dhe përballjen me vlerat perëndimor, interesat dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Transatlantike (USA/ NATO/UK/BE)”!
Fatmirësisht ja ku jemi. Mbas 3 vjet e gjysmë përballje stoike, në 1 qershor 2025 ushtria ukrainase ka surprizuar, kryeqytetet dhe kancelaritë perëndimore dhe mbarë-globit duke ndërmarrë një sulm ushtarak të paparashikuar në asnjë nga skenarët edhe më optimistë (përfshi autorin): “breshër dronesh luftarakë të gjeneratës së fundit kanë sulmuan në befasi dhe thellësi strategjike (deri 5500 Km) 5 Baza Ajrore brenda territorit Rus”. Kështu Ukraina finalizoi një nga operacionet më të guximshme, më të sofistikuara dhe më të suksesshme të luftës moderne të quajtur “Rrjeta e Merimangës (Spiderweb operation), duke gjunjëzuar krenarinë e kombit rus, moralin e ushtrisë, fuqinë ushtarake si dhe iniciativën strategjike të Rusisë-putiniste.
Operacioni u zhvillua nën mbikëqyrjen e Presidentit Zelensky dhe u ekzekutua nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), i drejtuar nga Gjeneral Vasyl Malyuk. Mbas rreth 1 vit e gjysmë përgatitje me konspiracion të lartë, një rrjet agjentësh të Forcave Speciale arritën të fusin në thellësi të territorit Rus dronë të ngarkuara me eksploziva luftarake. Kontejnerët me “kabina druri” u vendosën deri 20 km pranë bazave ajrore Ruse si dhe mbi 117 dronë në 1 qershor goditën me sukses objektivat strategjikë.
Operacioni rezultoi në shkatërrimin e 40 bombarduesve bërthamore, përfshirë model Tu-95, Tu-160, Tu-22M3 të vendosur në 5 baza Ajrore me peshë gjeo-strategjike: ”Belaya, në Siberi (5500 km nga Ukraina), në Olenya (Murmansk), në Arktik, Ivanovo Severny (afër Moskës), Dyagilevo (Ryazan), si dhe Ukrainka (Amur) në Lindjen e Largët të Rusisë.
Avionët e asgjësuar përbëjnë 1/3 e flotës bombarduese të Rusisë, ndërsa dëmi vlerësohet në rreth 7 miliardë dollarë. Përtej kostos dhe peshës operacionale, ky sulm u quajt “Pearl Harbor” i luftës moderne tregoi dobësitë e mbrojtjes ajrore të Rusisë përkundër aftësive të Ukrainës për të rimarrë iniciativën strategjike.
Së dyti, disa reagime të pritshme të Rusisë, mund të jenë: “zhvendosjen e avionëve strategjikë në rajone më të sigurta, forcimin e mbrojtjes ajrore rreth bazave me raketa si S-400 dhe Pantsir-S1, si dhe instalimin e sistemeve elektronike kundërdronëve (EW)”.
Ndërsa si kundërpërgjigje ndaj sulmit ushtarak të Ukrainës (gjithsesi brenda kodeve dhe konventave të luftës), Kremlini, ka përshkallëzuar qasjen terroriste duke sulmuar me mbi 1000 dronë dhe 100 raketa jo vetëm ndaj kapaciteteve ushtarake, por edhe ndaj popullsisë civile në qytetet e mëdha, si Kiev dhe Lviv, pa kursyer shkollat, spitalet, si dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës (energjia, ujësjellësit, etj.).
Po ashtu, për shkurajuar mbështetjen e perëndimit për/me Ukrainën, ka: “rritje të retorikës bërthamore nga nr. 2, Medvedev mbi dislolikmi armëve bërthamore në Bjellorusi, Kaliningrad, si dhe provokime ajrore dhe detare në Baltik apo Detin e Zi, për të testuar reagimet e ShBA/NATO-s”.
Ndërkohë, veçanërisht Berlini dhe Londra Zyrtare si dhe vendet e tjera të NATO-s, mbas 2 javësh në Hagë pritet të konfirmojnë vijimin e mbështetjes së pakushtëzuar, me armatime moderne deri në fitoren e Ukrainës si dhe ndaj të keqes së përbashkët, Rusisë – putiniste !
Së treti, ky operacion përbën një ngjarje madhore jo vetëm për fatin e luftës Ukrainë – Rusi, por edhe për fuqinë përcaktuese të teknologjisë, inteligjencës dhe taktikat e zgjuara në luftërat moderne, të cilat tashmë, pa asnjë mëdyshje prevalojnë mungesën e fuqisë tradicionale ushtarake. E thënë më shkurt, mbas këtij sulmi Rusia – Putiniste u ekspozua se nuk është më e pathyeshme.
Edhe me mbas këtij sulmi, Kievi ka konfirmuar se: “nuk ka kurrsesi qëllim pushtimin e as një meter² të territorit të Rusisë, por mbetet në të drejtën e doktrinës së mbrojtjes sovrane që të shkatërrojë (me çdo mjet) si dhe të marrë nën kontroll një nga nyjat nevralgjike të infrastrukturës për mbështetjen ushtarake dhe logjistike të armikut (Rusisë) kundër sovranitetit territorial të Ukrainës”.
Me këtë rast, përveç peshës të këtij sulmi sjell në vëmendje strategjike: “edhe 3 poshtërimet e tjera që Rusia ka pësuar nga shkurti 2022 deri qershor 2025”:
heqja e forcave Ruse nga rrethinat e kryeqytetit Kiev, në mars 2022; fundosja e “nëndetëses Moskva”, ose krenarisë së Flotës Ruse në Detit të Zi në prill 2022, nga një vend (Ukraina) me marinë, ose forca detare të limituara; kundëronfensiva e Ukrainës duke çliruar 20 % të territore të pushtuar nga Rusia, si Kharkiv dhe Kherson (2 herë territorin e RSh), të vetëshpallura nga Putini ”si pjesë jetike e sovranitetit të memës Rusi”.
Poshtërimi i dytë (gusht 2023) i Rusisë – putiniste ishte rebelimi i Prigozhit (qershor 2023) dhe të mercenarëve rreth tij (Grupi Wagner), çka ekspozoi çarje të thella në elitën politike dhe kohezionit të kombit rus rreth luftës, kalbëzimin e moralit të ushtrisë si dhe brenda zinxhirit të komandimit të FA Ruse.
Poshtërimi i tretë (gusht 2024): Pushtimi i Kurskut ose përparimi i forcave ukrainase (rreth 25 km) në territorin Rus, shënojë fillimin e rrokullimës që e pret Putinin në Ukrainë, si dhe të gjunjëzimit në përballjen me fuqinë ushtarake dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/ BE)!
Në përmbledhje përtej dezinformimit, mesi i vitit 2025, makinerinë e luftës ruse e gjen “duke u zvarritur e përgjakur dhe rraskapitur, duke mbajtur të pushtuar më pak se 19 % të territorit ukrainas”. Po ashtu, Kremlini gjendet sot, edhe më izoluar nga vlerat dhe rendi global. Prandaj, si një organizate terroriste ose “bishë e plagosur”, kërcënon Perëndimin me përdorimin e armëve bërthamore !
Në shtesë, do ishte e padrejtë të mos përshëndesnim përpjekjet dhe rolin aktiv të Shqipërisë në mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimmarrjeve në NATO-s, si dhe kontributeve me shumë se modeste që RSh i ka dhënë gjatë 42 muajve Ukrainës në këtë përballje “për jetë a vdekje” me të keqen e përbashkët. G
jithsesi, nga kapaciteti i ekspertit për peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të luftës, do t’i këshilloja faktorët relevant të Tiranës që: “humbja e luftës, diskreditimi ndërkombëtar si dhe kolapsi ekonomik që e pret Rusinë (për pasojë edhe e peshën e Serbisë në Ballkan) përbën një rrethanë (jo dhuratë) të artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/ BE) për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në rajon, Mesdhe, etj.”!
Nga ana tjetër, mbetet domosdoshmëri kritike që edhe RSh të modernizojë konceptin, strukturat, kapacitetet dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura. Kështu edhe angazhimi në Samitin e NATO-s (që do të zhvillohet në Hagë në fund të këtij muaji) për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga 2% në mbi 3 % deri 2030, ka për qellim të përmirësojë eficiencën e agjencive të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në përmbushje të misionit kushtetues: “për të mbrojtur integritetin territorial (neni 5); zhvilluar interesat gjeopolitike të RSh në Rajon si dhe për të “merituar me dinjitet karrigen” në tavolinën e NATO/BE-së.
Zoti e bekoftë fitoren në Ukrainë, fuqinë ushtarake të NATO-s, si dhe ardhmërinë euratlantike të kombit shqiptar si ShBA dhe gjithë Europa demokratike.