Policia e Lezhës ka finalizuar një operacion, duke goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike dhe një tjetër të armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat, një 22-vjeçar nga Velipoja është arrestuar në flagrancë pasi u kap me doza kanabisi në automjet dhe në banesë, ndërsa një 30-vjeçar, pasagjer në të njëjtin automjet, është proceduar penalisht pasi iu gjetën një armë gjahu, municion luftarak dhe pajisje komunikimi.
Policia ka sekuestruar gjithashtu armën, lëndën narkotike, automjetin, municionin dhe pajisjet elektronike.
Njoftimi i policisë:
Shëngjin/Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në inteligjencën informative, goditen një rast i shitjes së lëndëve narkotike në doza dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
-Iu gjetën në automjet dhe në banesë, doza kanabisi që i posedonte me qëllim shitjen në Shëngjin, vihet në pranga 22-vjeçari.
-Procedohet penalisht një 30-vjeçar, pasagjer në automjet, pasi posedonte 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 radio marrëse-dhënëse.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë ndaluar në Shëngjin, për kontroll, një automjet me të cilin qarkullonin 2 shtetas.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. G. dhe pasagjer shtetasin S. I., shërbimet e Policisë gjetën disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se i posedonte shtetasi Flavio Gropaj, me qëllim shitjen. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. G. u gjetën doza të tjera të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. I. u gjetën 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 radio marrëse-dhënëse.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin F. G., 22 vjeç, banues në Velipojë, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. I., 30 vjeç, banues në Velipojë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: automjeti, dozat e kanabisit, arma e gjahut, municioni luftarak, 2 radiot dhe 1 celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.